E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: PS fund bojkotit,po skadon afati i mandateve

 Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shprehet e sigurt se me apo pa tryezën e presidentit Topi për zgjidhjen e krizës politike, bojkotit parlamentar do t’i jepet fund para datës 4 mars. Datë kjo që përkon dhe me skadimin e mandatit të deputetëve socialistët të cilët prej 6 muajsh nuk kanë bërë betimin. Këto komente Topalli i bëri pas takimit me homologun malazez, Ranko Krivokapiç. “Kam 6 muaj që pres që të ndalet bojkoti. Nëse kjo ndodh para tryezës, gjatë tryezës apo pas tryezës, e rëndësishme është që të ndalet bojkoti dhe të hyjmë në normalitetin e jetës parlamentare dhe demokratike. Unë jam optimiste. Jemi në afatet e fundit të skadencës së mandatit të çdonjërit prej deputetëve, që ende nuk kane ardhur për të bërë betimin dhe nuk janë paraqitur në parlament. Unë jam e sigurt se bojkoti do të marrë fund si mjeti më i papërshtatshëm, më pak evropian”, u shpreh Topalli.Një muaj më parë kryeparlamentarja i dërgoi një letër të 64 deputetëve socialistë ku i njoftonte për afatin e skadimit të mandatit me datën 4 mars. “Përsëris ftesën për çdo deputet, emër për emër, ndërgjegjes së tyre shoqërore dhe politike, ejani në Parlament, keni vendin tuaj, keni hapësirën tuaj. Bëni detyrën për të cilën ju ka votuar populli. Bojkoti ka vetëm një emër dhe emri është i zotit Rama. Jam e sigurt se bojkotit po i vjen fundi”, u shpreh Topalli. Edhe kryetari i Parlamentit malazez, duke u ndalur në situatën politike në Shqipëri, tha se jeta demokratike e një vendi dëmtohet nga bojkoti. “Unë jam i bindur që opozita është e ndërgjegjshme që duhet të kthehet në Parlament për të bërë punën e saj , të përfaqësojë votuesit, të kontribuojë në reformat për liberalizimin e vizave, përndryshe ajo është jashtë loje, duke mos kryer funksionin e saj. Bojkoti është një gabim që i kushton çdo partie politike dhe që duhet mësuar prej tyre. Ata e dinë që duhet ta ndalin bojkotin”, tha Krivokapiç.                                b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›