E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Berisha: Do shesim të gjitha asetet shtetërore

 nertila mahoKriza e financave po detyron Qeverinë të shesë të gjitha asetet e saj publike. Kreu i Qeverisë kërkoi dje gjatë një takimi me ministrat e sektorit ekonomik, që të përgatitet privatizimi i aseteve publike të vendit. Duke përjashtuar vetëm shkollat, spitalet dhe digat. Vendimi i Berishës për shpejtimin e privatizimit vjen në një kohë kur Ministria e Financave ka ngrirë deri në verë shpenzimet dhe investimet jo prioritare. Financat parashikojnë një shkurtim deri në 26 miliardë lekë të shpenzimeve, për shkak të mungesës së të ardhurave për shkak të krizës ekonomike. Duke pasur më pak para nga tatimet e doganat, Qeveria, ashtu siç bëri edhe vitin 2009, po kërkon të përdorë paratë e privatizimeve për të financuar deficiti. Këtë e pranoi dje dhe kryeministri, kur theksoi se "vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe e Qeverisë, për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë". Sipas ligjit, 10 për qind e të ardhurave nga privatizimi shkojnë për fondin e kompensimit të pronarëve, 10 për qind për fondin e dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, kurse pjesa tjetër për buxhetin e shtetit. Pikërisht këto para synon Qeveria, në mënyrë që të realizojë premtimit e veta. Sipas ligjit, gjysma e parave që shkojnë në buxhet, duhet përdorur për rritjen e investimeve dhe gjysma për uljen e borxhit. Aktualisht, janë një sërë asetesh në kompani të ndryshme që presin privatizimin, si kompania shtetërore e naftës dhe e gazit Albpetrol sh.a, asetet e mbetura në Albtelekom, asetet e mbetura në kompaninë Armo, asetet publike tek Operatori i Sistemit të Shpërndarjes apo edhe Korporata Elektro-energjetike Shqiptare. Por Berisha ka gjetur një arsye tjetër, përveç asaj ekonomike, për të justifikuar lënien e aseteve në duart e privatëve. Edhe pse një strategji totalisht e spektrit të djathtë, privatizimi, sipas Berishës, do të ulë korrupsionin në këto kompani. "Ky proces është i domosdoshëm dhe jetik, para së gjithash, për t'u ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë çerdhet e korrupsionit. Në këtë proces, ne synojmë të rrisim në një nivel të ri menaxhimin e aseteve në Shqipëri. Në Shqipëri dhe kudo, një nga qëllimet madhore të privatizimit është përmirësimi i menaxhimit. Pra, ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar, përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme. Armiku numër një i privatizimit është korrupsioni. Ai përpiqet të bëjë çdo gjë për ta bllokuar atë, sepse status quo-ja u leverdis atyre, i mjelin si lopën dhe i fusin në xhepat e tyre aksionet publike të Qeverisë apo sipërmarrjet e tjera me radhë. Armiku i dytë është burokracia jonë, e cila zvarrit këtë proces që duam të ecë me shpejtësi të madhe".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›