Ligji për mbetjet, shoqëria civile protestë para Kuvendit
TIRANË Një grup të rinjsh, pjesëtarë të organizatës “Kuvendi Civil” dhe veprimtarë të mjedisit të bashkuar në “Aleancën kundër Plehrave”, protestuan dje në rrugët e kryeqytetit kundër draftit për menaxhimin e mbetjeve që po diskutohej dje në Kuvend. Ata e nisën protestën para Ministrisë së Mjedisit në rrugën e Durrësit dhe pastaj marshuan duke hedhur parulla të ndryshme përgjatë rrugës nga Banka Qendrore te Gjykata e Lartë. Protesta e tyre vijoi në rrugën nga Parku Rinia tek selia e parlamentit. Lavdosh Ferunaj, veprimtar i çështjeve mjedisore, tha se “Aleanca kundër Plehrave” po i bën presion parlamentit që të mos e miratojë draftin e kthyer për rishqyrtim nga presidenti Topi.
Ai u shpreh i zhgënjyer nga fakti që mazhoranca nuk pranoi asnjë sugjerim për riparimin e disa neneve. “Ne jemi pro ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, por nga ky ligj duhen përjashtuar nenet që kanë të bëjnë me importin e mbetjeve. Ne kishim besim se kjo mund të rishikohej, por mesa duket funksionon një skemë tjetër, ku mazhoranca shpreh një autoritet të pashpjegueshëm krejt jashtë çdo lidhjeje me komunitetin”, - tha ai.