Rama në fshatrat e Shkodrës: Detyra juaj nuk mbaron te vota
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar dje turin e tij të quajtur "Dialog me Shqipërinë" në fshatrat Paçram dhe Dajç të Shkodrës. Kryetari i PS-së ka dëgjuar shqetësimet e banorëve të fshatit Paçram, duke u shprehur në këtë takim se është koha për një politikë të re, e cila të trajtojë ndryshe fshatin dhe banorët e tij. "Qëllimi i këtij udhëtimi është që të diskutojmë së bashku lidhur me shqetësimet e mëdha të jetës së përditshme, lidhur me vështirësitë që kanë familjet shqiptare, posaçërisht në zona periferike, lidhur me pamundësinë e të rejave dhe të rinjve, për të pasur kushte normale, qoftë në shkollim, qoftë në punësim", tha Rama, ndërsa shtoi se "kjo zonë, në këtë rajon të Shqipërisë, ku janë 50 për qind e tokave të punueshme djerrë, nuk është pasqyrë e aftësive dhe vullnetit të njerëzve, por është politika e braktisjes së njerëzve në fatin e tyre". Rama u ka thënë fshatarëve të Paçramit të shkojnë përtej të majtës dhe së djathtës, për t‘i dhënë jetë një programi për Shqipërinë, i cili duhet të jetë shpresë dhe njëkohësisht rrugë për të gjithë së bashku. Nga fshati Paçram, kreu i Partisë Socialiste ka udhëtuar drejt një tjetër fshati të Qarkut Shkodër, në Dajç. Varfëria dhe mungesa e punësimit apo vetëpunësimit në bujqësi e blegtori kanë qenë problemet e hasura edhe në këtë fshat. Gjatë bisedës me banorët e Dajçit, Rama ka folur për kthimin e besimit te puna në fshat, si një mundësi për të jetuar në mirëqenie, e cila sot duket utopi, por që në fakt të gjithë fqinjët tanë e kanë realizuar. "Dua t‘ju them që, unë besoj se këto janë probleme që ne duhet t‘i zgjidhim, këto janë probleme që i kanë hasur edhe të tjerët dikur në historinë e tyre dhe i kanë zgjidhur. Këto janë probleme që zgjidhjet nuk mungojnë, por janë mundësitë e brendshme të secilit, që duhet të bëhen pjesë e përpjekjes sonë të përbashkët për të zgjidhur këto probleme, sepse për shumë kohë ia kemi deleguar zgjidhjen e tyre një grushti njerëzish. Për shumë kohë ia kemi lënë fatin tonë në dorë një grushti njerëzish. Për shumë kohë kemi menduar gabimisht se politika është ekskluzivet i atij grushti njerëzish dhe detyra fillon dhe mbaron te vota. Por, në fakt, sepse kemi menduar kështu, jemi në këtë gjendje dhe pikërisht sepse mund të mendojmë ndryshme, mund ta ndryshojmë gjendjen", tha kreu i PS-së.