E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: PSD fillon fushatën, kandidatë në çdo rajon

Socialdemokratët e Skënder Gjinushit deklaruan dje hapjen e fushatës elektorale dhe përgatitjen për zgjedhjet e vitit 2009. Në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar janë bërë publike disa prej qëndrimeve kryesore politike. Kreu i partisë tha se "PSD-ja do të konkurrojë në çdo qark, sipas ligjit të ri, me listën e saj, duke synuar rezultat dinjitoz". Ai shtoi se taktikat zgjedhore do të varen nga Kodi Zgjedhor. Partia Socialdemokrate e cilëson veten forcë çelës dhe përcaktuese në fitoren e së majtës në vitin 2009. "Ajo mbetet forca më e qartë dhe më garantuese e bashkimit të së majtës. Bashkimi nga ne është kërkuar, sepse kjo është një kërkesë e të gjithë elektoratit të majtë, dhe jo si një mjet për mbijetesën apo konkurrencën e PSD-së", theksoi Gjinushi. Ai vlerësoi se nuk ka qeverisje dhe fitore në vitin 2009 pa kontributin dhe rolin e PSD-së. Për sa i takon krizës institucionale që ka shpërthyer në vend, pra kriza në Kuvend për imunitetet dhe dekretet, sipas PSD-së nuk është gjë tjetër veçse pjesë e krizës totale ekonomike, politike dhe sociale në të cilën ndodhet vendi. "Ajo tregon se ato që kemi thënë në 2007 janë tashmë më se të vërtetuara", nënvizoi Gjinushi. Sipas tij, "nuk ka President që të mund të bashkëjetojë normalisht dhe institucionalisht me Kryeministër Sali Berishën". Ai shtoi se zgjedhja e Presidentit nuk ishte zgjidhje e krizës, pasi kriza e ka emrin qeveri, e ka emrin keqqeverisje dhe ajo zgjidhet vetëm me largimin e kësaj shumice dhe qeverisë së saj. "Sali Gërdeci do President pa dinjitet; deputet pa imunitet; ministra të korruptuar e drejtorë të implikuar në vrasje e zhdukje", konstatoi Gjinushi. Ai përshëndeti gjithashtu mbështetjen që po i jepet institucioneve të pavarura nga Komuniteti Ndërkombëtar, Departamenti i Shtetit dhe përfaqësitë e Bashkimit Evropian. Urimi i Gjinushit është që qëndrimi i Topit për t‘i dhënë Presidencës pavarësinë dhe dinjitetin e kërkuar kushtetuese të kthehet në realitet. "Është e vërtetë ajo çka deklarohet nga PD-ja, se Topi ka përkrahur persekutorë të regjimit të kaluar dhe ky është Sali Berisha, prandaj opinioni përshëndet distancimin që po bën Presidenti prej këtij persekutuesi të regjimit komunist", nënvizoi Gjinushi. Socialdemokratët thotë se Gjykata e Lartë i duhet qeverisë për të mbuluar skandalet dhe tragjedinë e rrugës Durrës-Kukës dhe atë të Gërdecit. "84 votat treguan se dhe në kushtet e çarjes së të majtës apo mercenarizimit përsëri japin një President më të pavarur, se sa me një shumicë të thjeshtë", këmbënguli Gjinushi. Ndaj sipas tij, PSD-ja ka qenë kundër ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe vendimi i KQZ është një skandal i radhës. "KQZ-ja pasi zëvendësoi popullin e Vlorës në 2007, vendosi të zëvendësojë popullin e Shqipërisë në 2008, e mesa duket KQZ meriton vetëm fjalën e një komisioni që duhet larguar, është i vetmi ndryshim mesa duket pozitiv në Kushtetutë, i bërë kohët e fundit", vijoi Gjinushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›