Rama në kryesi: I fitojmë zgjedhjet edhe pa LSI-në
Kryesia e PS-së është mbledhur mbrëmë në Dajt ku është diskutuar për strategjinë zgjedhore
TIRANË- Socialistët startojnë fushatën e tyre elektorale për zgjedhjet ardhshme parlamentare që pritet të mbahen qershorin e ardhshëm. Kryesia e Partisë Socialiste ka miratuar dje në orët e vona të mbrëmjes strategjinë organizative dhe të veprimit elektoral të kësaj force politike nga qendra deri në bazë. Lajmin e ka bërë publik zëdhënësja e kryesisë së kësaj force Mimi Kodheli në një dalje të posaçme për mediat.
Kryesia
Në vijim të praktikës së muajve të fundit, Partia Socialiste ka mbledhur dje në komunën e Dajtit, kryesinë e saj, e cila ka diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh tepër të rëndësishme të karakterit organizativ dhe politikë, siç janë funksionimi i strukturave partiake në nivel qendror dhe vendor, programi i ardhshëm politikë dhe qeverisës, “Dialogu me Shqipërinë” apo edhe opozita parlamentare. Një nga çështjet kryesore që ka zënë dhe pjesën më të madhe të diskutimit ka qenë ajo që ka të bëjë me strategjinë elektorale, për të cilën kryesia ka miratuar projektin voluminoz të përgatitur nga sekretariati për çështjet elektorale. “Kryesia diskutoi në lidhje me përgatitjen dhe organizimin elektoral në prag të procesit të pritshëm zgjedhor. Një prej çështjeve kryesore të diskutuar në mbledhjen e sotme ka qenë mënyra e funksionit të strukturave të PS në nivel qendror dhe vendor për të kaluar me sukses sfidën që lidhet me zgjedhjet e ardhshme në vend”, - tha Kodheli. Sipas këtij projekti synohet të realizohet një koordinim perfekt i gjithë drejtuesve dhe burimeve njerëzore të PS-së nga Shtabi Qendror Elektoral deri në mirëfunksionimin e organizatave socialiste në bazë. Në funksion të këtij qëllimi gjatë mbledhjes është bërë miratimi i shtabit qendror i cili do të përbëhet nga gjashtë veta dhe dot ë drejtohet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, janë miratuar 12 grupet e punës që do të punojnë pranë shtabit qendror si dhe është bërë shpërndarja e anëtarëve të kryesisë nëpër rrethe, si përgjegjësit për organizimin e fushatës në çdo zonë zgjedhore. “Sekretariati i PS dhe anëtarët e PS kanë marrë një angazhim të plotë politik për të drejtuar këtë proces të rëndësishëm të muajve të ardhshëm. Kryesia e PSSH i vlerësoi pozitivisht dhe i dha mbështetjen maksimale për propozimet e parashtruara gjatë mbledhjes së sotme në lidhje me organizmin elektoral të muajve të ardhshëm”, - tha Mimi Kodheli. Ndërkohë lidhur me strategjinë elektorale, kryetari i PS-së Edi Rama mësohet të jetë shprehur i sigurt se me anë të saj garantohet një fitore e sigurt në zgjedhjet e ardhshme edhe në rast se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të pranojë të bëhet pjesë e koalicionit të përbashkët zgjedhor.
Programi
Në të njëjtën kohë kryesia e PS është e përqendruar edhe te Programi qeverisës që do të finalizohet në javët në vijim, i cili më pas pritet të diskutohet gjerësisht me grupet e interesit dhe publikun. Por për shkaqe kohore kryesia ka shtyrë diskutimin e detajuar në lidhje me programin për një mbledhje të ardhshme kryesie dhe më pas në Asamblenë Kombëtare. “Kryesia e PS e vlerëson këtë program si një risi në politik bërjen shqiptare, ku për herë të parë një forcë politike në opozitë punon së bashku me qytetarët për t'u ofruar një zgjidhje konkrete problemeve dhe shqetësimeve të përditshme”, - u shpreh Kodheli në lidhje me programin. Kryesia i ka dhënë një rëndësi maksimale gjatë diskutimit dhe krijimit të të gjitha kushteve të nevojshme për të pasur një proces normal, demokratik zgjedhor. Për këtë ajo i ka ofruar mbështetje të plotë grupit parlamentar dhe përfaqësuesve të PS në Kuvend për të përfunduar me sukses reformën zgjedhore, të cilën PS e konsideron prioritetin e axhendës së saj parlamentare.
Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral
Gramoz Ruci
Kastriot Islami
Fatmir Xhafaj
Blendi Klosi
Shpetim Idrizi
Etleva Bishaj
Grupet e punës pranë Shtabit Qendror
Grupi i Kontakteve me strukturat vendore te PSSH
Sajmira Pino, Arben Ahmetaj, Gerti Janaqi, Ermonela Xhafaj
Grupi i Bordeve të Dialogut Qytetar dhe i marrëdhënieve me shoqërinë civile/grupet e interesit
Edlira Haxhiymeri, Artan Lame, Besa Shahini
Grupi për Organizimin e Vullnetarëve (simpatiantë/përkrahës të PS, rinisë, gruas, e tjerë)
Sajmir Tahiri, Ermira Danaj, Ajola Xoxe, Edvin Lame
Grupi për Komunikimin Mediatik
Endri Fuga, Adrian Angoni
Grupi për Organizmin e ish-Drejtuesve
Ethem Ruka, Viktor Doda
Grupi për marrëdhëniet me Organizatat e Veteranëve dhe shoqatën e ish-ushtarakëve
Elidiana Canaj, Kastriot Muco, Mehdi Pogace
Grupi i kontakteve dhe marrëdhënieve me emigrantët
Vangjel Tavo, Albert Xholi
Grupi për trajtimin ligjor dhe administrativ të zgjedhjeve
Damian Gjiknuri, Ilir Gjoni
Grupi për krijimin e Dosjeve me mosrealizimet dhe korrupsionin e qeverisë Berisha
Ervin Bushati, Adriana Berberi, Lorenc Vangjeli
Libri i kontakteve të Partisë
Ethem Ruka, Besnik Dede, Armand Sharra
Organizimi rajonal
Qarku Berat Erjon Brace
Qarku Durrës Namik Dokle
Qarku Dibër Pandeli Majko
Qarku Elbasan Valentina Leskaj
Qarku Fier Ermelinda Meksi
Qarku Gjirokastër Gramoz Ruci
Qarku Korçë Ben Blushi
Qarku Kukës Mimi Kodheli
Qarku Lezhë Lindita Nikolla
Qarku Tiranë Shpëtim Idrizi
Qarku Shkodër Mimoza Hafizi
Qarku Vlorë Arben Isaraj
----------------------------------------------------------------Rama në Fier evidentoi faktin se sistemi publik dhe ai privat janë dy sisteme që plotësojnë njëri-tjetrin
PS premton heqjen e TVSH-së në arsimin privat
TIRANË- Vendosja e TVSH-së në arsimin privatnga qeveria aktuale është një barrë e dyfishtë për familjet të cilat zgjedhin për të shkolluar fëmijët e tyre në këtë sektor. Në këtë çështje është përqendruar ndër të tjerash diskutimi i “Ideve për të Ardhmen”, gjatë fazës së dytë të Dialogut me Shqipërinë, zhvilluar në qytetin e Fierit. Kryetari i PS-së Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me njerëzit e sektorit të arsimit në këtë qytet, është shprehur për domosdoshmërinë e hartimit të politikave që rrisin dhe zhvillojnë arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve. Lideri i opozitës është shprehur gjatë bashkëbisedimit me mësues dhe pedagogë të qytetit të Fierit, se heqja TVSH në arsimin privat, do të jetë një ndër masat e para që do të marrë Partia Socialiste me fitoren në zgjedhjet e 2009. Faza e dytë e “Dialogut me Shqipërinë”, e quajtur Rruga e ideve për të ardhmen, ka nisur të përvijojë disa nga alternativat e PS-së për qeverisjen. “Sot është e patolerueshme sipas nesh, që arsimi privat të paguajë taksë mbi vlerën e shtuar, duke bërë që këta prindër që i çojnë fëmijët në arsimin privat, të paguajnë dy herë, një herë që shteti të ndërtojë një infrastrukturë të besueshme për arsimin publik, por edhe që të shkollojnë fëmijët në arsimin privat. Kjo nuk është një politikë në favorin e fëmijëve tanë. Kjo është një politikë, e cila të rrjep dy herë të njëjtin dash, apo më saktë, në rastin konkret, të njëjtin qengj”, - tha Rama gjatë fjalës së vet. Ai ka evidentuar faktin se sistemi publik dhe ai privat janë dy sisteme që plotësojnë njëri-tjetrin, prandaj nuk duhen parë si armiq të njeri tjetrit. Nisur nga kjo logjikë ai i ka konsideruar të gabuara politikat e qeverisë ndaj arsimit në përgjithësi dhe sektorit privat të tij në veçanti.