Topalli: Zvicra nuk është Lapardhaja
Topalli, vizite dy ditore në Zvicër
TIRANË- Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryetares së Kuvendit, e cila nëpërmjet një deklarate për mediat ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e deputetit socialist. “Në sqarim të gënjeshtrave të radhës të deputetit Erion Braçe, i bëjmë të ditur Erionit, se Zvicra nuk është Lapardhaja, por është një vend mik. Sqarojmë Erionin, se kjo është vizita e parë zyrtare e realizuar në këtë vend dhe se shpenzimet e qëndrimit të delegacionit shqiptar janë mbuluar nga pala zvicerane, pa marrë asnjë lekë nga taksat e shqiptarëve”, - thuhet në sqarimin e Kuvendit. Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, me ftesë të Kryetarit të Këshillit Nacional (Parlamentit) të Zvicrës Andre Bugnon, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndodhet për një vizitë zyrtare dy ditore në Bern, Zvicër, një ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe me standardet më të larta e stabilitet më të konsoliduar ekonomik në botë. Topalli e filloi vizitën e saj me presidentin zviceran z. Couschpin i cili shprehu interes për rritjen e investimeve zviceriane në Shqipëri në shkëmbime tregtare, por edhe në fusha si energjitike, infrastrukturë, turizëm etj.