E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në “5 pyetje nga Babaramo”: Trupi im në dispozicion të kësaj kauze

TIRANE- Duke folur në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në televizionin News24, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi se greva e urisë ishte rruga e vetme e mbetur për të cuar deri në fund kauzën e opozitës për transprencë. “U ezauruan të gjitha rrugët demokratike, greva ishte e vetmja rrugë” u shpreh Rama.
Duke komentuar deklaratat e qeverisë, kryesocialisti ripërsëriti bindjen se nuk ka asnjë vendim gjykate që mohon transprencën e zgjedhjeve, sikundër pretendon mazhoranca.
“Ne nuk kërkojmë rinumërim të votave, ne kërkojmë hetim të rinumërimit. Nuk duam të merremi me rezultatin, ndarjen e mandateve, nuk kemi qëllim të ndryshojmë rolet në tavolinë, por ne kërkojmë hetim të kutive të zgjedhjeve ku përfshihen hetime të listave, të procesverbaleve, identiteteve të atyre që kanë votuar. Hapja e kutive të zgjedhjeve për efekt transparence përmes një hetimi parlamentar nuk është e ndaluar .” u shpreh Rama.

I pyetur për arsyen pse PS nuk i drejtohet prokurorisë për të hetuar pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve, kreu i opozitës tha “Provat janë në kuti, duhen hapur kutitë që provat të cohen në prokurori”.

Duke folur për sakrificën e grevistëve që kanë mbyllur sot ditën e katërt të grevës së urisë, Rama nënvizoi se edhe turpi i tij do të vendoset në dispozicion të kauzës për transparencë. “Trupi im në dispozicion të kësaj kauze deri në zgjidhjen e krizës” tha Rama.

I pyetur për mundësitë e zhbllokimit të ngërcit politik, kryesocialisti tha se zgjidhja i takon qeverisë, ndërsa theksoi se shumica absolute e deputetëve të opozitës janë të gatshëm të bëhen pjesë e grevës së urisë deri në momentin që sic tha Rama, mazhornaca do të reflektojë.

“Të gjithë janë të vendosur, kjo nuk mbaron deri në fund. Kur te vijë momenti im do të hyj edhe unë në grevë. Për secilin ka një moment, nëse zgjidhja do të vonojë jemi të gatshëm të bëjmë cdo sakrificë” u shpreh kryesocialisti në “5 pyetje nga Babaramo”.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›