Rama në twitter: Asnjë transparencë, vetëm blozë dëshpërimi mbi opozitën
Deklaratave të kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e shtabit ministror të emergjencave iu është kundërpërgjigjur menjëherë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një reagim në rrjetin social Twitter ai shkruan:
“Asnjë transparencë, asnjë informacion, asnjë plan për krizën vetëm blozë dëshpërimi mbi opozitën për të mbuluar dëborën që mban peng vendin. Duhet një plan që ne e kemi,duhet një vullnet për bashkëpunim që ne e kemi,por duhet dhe një qeveri normale që vendi nuk e ka!Do bëjmë tonën. Për KM kështu është gjithë Europa,po në fakt askund si në Shqipëri nuk vuajnë me dhjetëra mijëra familje të braktisura në mëshirën e fatit.”
Më herët Berisha në akuzat ndaj numrit një të opzitës u shpreh:
“Më duhet ti them zotit Edi Rama që bën ciu ciu nga mëngjesi deri në darkë se emergjencat janë çështje e burrave dhe grave të guximshëm, të vendosur dhe kurajozë. Je i vetmi sot në Evropën e mbuluar nga dëbora që bën korbin. I them ti që përpiqesh të nxjerrësh kapital politik nga një situatë e tillë. Je i vetmi dhe je unik që bën kallogje, kasandrën e së keqes. Që na thua se në një paranojë enveriane, pas borës do vijë përmbytje e pas saj dita e fundit. Pra ky zotëri ka organizuar një rrjet dizinformimi të paskrupullt me telefonata njofton se këtu u shembën 10 shtëpi e në katër shtëpi janë zënë brenda të tjerët. Më e keqja, në raportin e tij fatal me vdekjen ky njeri ka kulturë të vetme përdhosjen e kodit të vdekjes. Sot nga selia e partisë së tij citonte një familje në Margegaj të një intelektuali të shquar ku thonin se nëna e tij ka mbetur mbi dhe dy ditë. Në ka një pasion të çmendur për ti përdhosur të vdekurit. A ju kujtohet Kosta Trebicka çbëri me të?”