E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama bën korbin, përpiqet të nxjerrë kapital politik

“Qëllimi i parë mbetet shpëtimi i jetëve njerëzore”. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave, duke i’u referuar situatës emergjente që paraqitet në zonat verilindore dhe juglindore të vendit.

Ndërsa pak ditë më parë, kreu i qeverisë shpalli gjëndjen e fatkeqësisë natyrore dhe emergjencës, në fokus solli dhe operacionet e kryera në  këto zona. Për të, dita e sotme ka qënë më e qetë se dje, por e rëndësishme sipas tij mbetet dhe përballimi i situatës me mjaftë sukses.

Po përballohen me sukses pasojat e një situate dëbore masive, në më shumë se gjysmën e territorit të vendit, borë e cila ka mbuluar, ka paralizuar trafikun në vende të mëdha dhe të fuqishme por mbi të gjitha ka shkaktuar mbi 620 viktima në të gjithë botën. Sot ka qenë një ditë më e qetë se dje. Sot kam ndjekur në mënyrë konstante operacionet e kryera në zonën e fatkeqësisë natyrore nga Korça në Vermosh.

Duke qëndruar në të njëjtën linjë, kryeministri tha se anëtarët e Komitetit të Emergjencave janë të gjithë në terren dhe kanë si qëllim  vetëm shpëtimin e jetëve njerëzore.

Anëtarët e Komitetit kanë qenë sot gjatë gjithë ditës në krye të detyrës, në qarqe me probleme. Qëllimi i parë dhe më kryesor është shpëtimi i jetëve njerëzore, ky është objektivi ynë i parë dhe më madhor. Vetëm sot me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe mjete të tjera ajrore janë transportuar një numër jo i vogël të sëmurësh, mbi 10, janë shpëtuar jetë të kërcënuara, tha më tej Berisha.

Më tej, akuzat e kryeministrit Berisha ndaj kryesocialistit Rama ishin të hapura, duke e cilësuar si të vetmin lider opozite që përfiton nga situata e emergjencës natyrore.

Më duhet ti them zotit Edi Rama që bën ciu ciu nga mëngjesi deri në darkë, se emergjencat janë çështje e burrave dhe e grave të përkushtuar dhe të vendosur dhe kurajoz. Ti je unik në Europë sot, në Europën e mbuluar nga dëbora, je i vetmi që bën korbin, je i vetmi që përpiqesh të nxjerrësh kapital politik nga një situatë e tillë, je i vetmi dhe unik që bën kallogjerin, Kasandrën e së keqes, që na thua se pas borës do vijë përmbytja dhe pas përmbytjes do vijë dita e fundit. Pra ky zotëri ka organizuar një rrjet dezinformimi të paskrupullt me telefonata, njofton se këtu u shembën 10 shtëpi, se në 4 shtëpi janë zënë brenda gjithë të tjerët dhe më e keqja në raportin e tij fatal me vdekjen, ky njeri ka kulturë të vetmen, përdhosjen e Kodit të Vdekjes, u shpreh Berisha.

Në vazhdën e akuzave, kryeministri kërkoi nga kreu opozitar Rama, që në këto çaste të respektojë dhimbjen njerëzore.

Nëse nuk je i zoti të ndihmosh, vazhdo shpif e trillo sa të duash, por leri të vdekurit në vendin që meritojnë, mos u merr me të vdekurit. Nuk mund të bëhen ata objekt politizimesh. Ti duhet të ulësh kokën para dhimbjes njerëzore dhe jo të dalësh si korb dhe të mbjellësh zi, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›