E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama nis mbjelljen e 2 mijë pemëve te liqeni. PD: Po mashtron

Edhe mbjellja e pemëve në kryeqytet është shndërruar në debat. Partia Demokratike ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po mashtron me shifrat e gjelbërimit. Ndërkohë që vetë PD-ja, së bashku me Ministrinë e Mjedisit, nuk mund të konsiderohen si të parët në front lidhur me shtimin e hapësirave të blerta. Kryebashkiaku Rama ka ndjekur nga afër dje punimet për mbjelljen e 500 pemëve të para, të cilat në total do të arrijnë në 2000 copë në territorin e parkut të liqenit. "Sot ne mbjellim 500 pemët e para, 2000 të tjera do të mbillen në ditët e javët në vijim dhe mijëra e mijëra të tjera do t‘i shtohen parkut vitin e ardhshëm, duke realizuar një projekt, i cili kur të jetë i plotësuar me të gjitha ndërhyrjet, me infrastrukturën dhe me pasqyrën ujore, do ta kthejë këtë park edhe një herë tjetër në një pikë referimi për çdo familje kryeqytetase", tha dje kreu i bashkisë, Rama. Sipas tij, bashkia kërkon që të ndërhyjë me një investim të rëndësishëm në park, duke rindërtuar të gjithë pasqyrën ujore, si dhe duke ripërtërirë të gjithë gjelbërimin e parkut e duke e shtuar në mënyrë shumë të ndjeshme cilësinë e të gjithë infrastrukturës së brendshme të tij, me rindërtimin e rrugëve të brendshme, me ndërtimin e një korsie të veçantë për vrapuesit e një korsi të veçantë për biçikletat. Për kreun e Bashkisë së Tiranës, një komponent mjaft i rëndësishëm për projektin e rehabilitimit të parkut të madh të liqenit është gjelbërimi i tij, shtimi i sipërfaqes së gjelbër. Kjo synohet të arrihet përmes shtimit të florës së parkut dhe mbjelljes së fidanëve të rinj në të. Për këtë arsye, është planifikuar të ripyllëzohet një sipërfaqe prej 7.135 m2 me rreth 2600 rrënjë të reja pemësh, të llojit: manjolë 250 copë, prunus dulcis 250 copë rrënjë pishe 300 copë, pemë mimoze rreth 1800 copë.

Por nga selia e PD-së kanë dalë akuzat se këtu ka mashtrim. "Në vitin 2005, në strategjinë lokale për një mjedis të shëndetshëm në qytetin e Tiranës 2005-2008, Rama u deklaroi qytetarëve se sipërfaqja e gjelbër në Tiranë është 4.5 m2/banorë dhe synohej të arrihej në 7 m2/banorë në fund të vitit 2008", u shpreh anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak, njëkohësisht zëvendësministër i Mjedisit, Taulant Bime. Sipas tij, pretendohet që në 9 vjet, sipërfaqja e gjelbër në kryeqytet është rritur me 110 ha, sipërfaqe kjo e barasvlefshme 36 herë sa parku ‘Rinia‘ (me sipërfaqe prej 3 ha). Pra, qytetarë të Tiranës, sot ju mësoni që keni në Tiranë edhe 36 parqe ‘Rinia‘", tha Bime, duke kërkuar nga drejtuesit e Bashkisë së Tiranës që t‘ia tregojnë këto edhe qytetarëve. Nga ana tjetër, drejtuesit e bashkisë i kanë kujtuar numrit 2 të Ministrisë së Mjedisit, se kur Lufter Xhuveli deklaronte se do të mbillte 1 milion pemë, në dokumente figuronin vetëm 450 mijë të tilla, që asnjëherë nuk u konfirmuan nëse u futën në gropa për t‘u mbjellë apo jo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›