Rama njeh politikanin italian me qëndrimin e PS-së për krizën
Kryebashkiaku Edi Rama, njëkohësisht lideri i Partisë Socialiste, priti dje pasdite Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë, Gianfranco Fini dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës në Shqipëri. Gjatë këtij takimi, Rama i dhuroi z.Fini, çelësin e Qytetit, një vlerësim, i kthyer tashmë në traditë, që kryetari i Bashkisë rezervon për njerëz të shquar që vizitojnë Tiranën. Pjesë e dhuratave ka qenë edhe një statujë e Kullës së Sahatit, simbol i kryeqytetit shqiptar. Vizita e Finit bëhet në një kohë kur që prej një jave, 200 deputetë socialistë dhe mbështetës të tyre kanë hyrë në një grevë urie pa afat, me kërkesë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapjen e kutive. Sipas njoftimit për shtyp nga Bashkia e Tiranës, Rama njohu Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë me ndryshimet e Tiranës, si dhe me sfidat e shumta që mbart zhvillimi i saj. Në cilësinë e liderit të opozitës, Rama njohu z.Fini me zhvillimet politike në vend, si dhe qëndrimin e forcës politike që ai përfaqëson. Gjatë paradites së djeshme, Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë, Gianfranco Fini, pas takimit që zhvilloi me Kryeministrin Berisha, shprehu qëndrimin e tij rreth zhvillimeve politike në Shqipëri. Sipas tij, çdo zgjidhje e çdo situate duhet të vijë përmes rrugëve kushtetuese. "Uroj zgjidhje të çështjeve që janë të hapura dhe duan zgjidhje, dhe ashtu që siç tha Kryeministri Berisha; "zgjidhjet duhen në respektim të Kushtetutës dhe ligjeve dhe Pavarësisë".