E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa–Vllaznia, cila do ta fitojë finalen e tretë?

Kavajasit në 7-të finalet e mëparshme kane humbur 6 dhe fituar 1. Shkodranët në 12-të finalet e para kane fituar 6 dhe humbur po 6

Kur në vitin 1972, Vllaznia e Besa u ndeshën për herë të parë midis tyre në një finale të Kupës së Shqipërisë, të gjithë shtruan pyetjen: “Kush do ta fitojë trofeun?”

FINALJA E PARË
Atëherë për Besën ajo ishte finalja e katërt: tri të parat e kishte humbur me Partizanin, 17 Nëntorin (Tiranën e sotme) dhe me Dinamon. Për Vllazninë bëhej fjalë për finalen e peste, teksa në katër të parat e kishte fituar vetëm një herë, në vitin 1965 (mposhti Skënderbeun), ndërsa kishte humbur tri të tjerat: që të tri me Partizanin (rekordmeni aktual i Kupës). Vllaznia e mbylli sezonin 1971-1972 si kampione e vendit (titulli i tretë i saj, trajner Xhevdet Shaqiri), ndërsa Besa në vendin e gjashtë nga 14 skuadra që kishte kampionati. Edhe pse favorite e pastër shihej Vllaznia, shkodranët humbën 2-0 në Kavajë në takimin e parë. Në ndeshjen e kthimit në Shkodër, Vllaznia barazpeshoi shifrat me dy penallti të realizuar nga Ramazan Rragami. Për të përcaktuar fituesin pas kohës shtesë u gjuajtën penalltitë: Vllaznia fitoi 5-3, por e veçanta e tyre njëherësh edhe e kësaj finaleje janë (dhe mbetet një rekord unikal), është fakti se pesë penalltitë e kuqebluve u realizuan nga Ramazan Rragami, që duke i shtuar edhe dy 11-metërshat e shënuar gjatë lojës e shkelmoi shtatë herë topin nga pika e bardhë. Për Vllazninë ky ishte trofeu i dytë (pas atij të vitit 1965), ndërsa për Besën finalja e katërt e humbur.

FINALJA E DYTË
Pas dhjetë vjetësh,Besa e Vllaznia u përballën sërish për të disktuar finalen e dytë direkte midis tyre, pikërisht në edicionin 1981-1982. Besa nuk kishte diskutuar më finale të tjera, ndërkohë që Vllanzia kishte fituar trofeun e katërt në vitin 1979 (ndaj Dinamos). Në kampionatin 1981-1982, Vllaznia e mbylli duke u pozicionuar në vendin e 4-t, ndërsa Besa në të 7-in. Besa fitoi ndeshjen e parë 2-1 në Kavajë, ndërkohë që Vllaznia përmbysi gjithçka në Shkodër: 5-1, edhe pse kavajasit i kishin çuar përkohësisht shifrat e përgjithshme 3-1 (shënoi Shtini 43’), përpara se shkodranët të shënonin pesë gola në harkun e 14 minutave (Luçi 73’, Hafizi 74’, Gruda 78’, Hafizi 82’, Duraj 86’). Vllaznia regjistroi finalen e katërt të fituar (1965, 1972, 1979, 1981), ndërsa Besa finalen e pestë të humbur.

FINALJA E TRETË
U desh të kalonin gati 18 vjet, që të dyja skuadrat të diskutojnë midis tyre finalen e tretë historike. Pikërisht, më 9 maj në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” (ora 20:30). Pyetja e bërë në fillim të shkrimit e meriton të shtrohet sërish. “Kush do ta fitojë kupën?” Ndërsa në finalen e vitit 1972 dhe 1982, Vllaznia përballej si favorite ndaj Besë dhe i fitoi të dy trofetë, në vitin 2010, është Besa ajo që shihet qartë si favorite: vendi i dytë për kavajasit, kundrejt të gjashtit të shkodranëve. E atëherë, “kush do ta fitojë kupën?” Vllaznia që është për herë të 13-të në finale, ku në 12-të të parat ka fituar 6 dhe ka humbur po 6, apo Besa që në 7-të finalet e mëparshme ka humbur 6 dhe ka fituar vetëm 1. Duke parë statistikat e përballjeve në finale midis Vllaznisë e Besës, shkodranët janë fitues në edicionet 1971-1972 dhe 1980-1981, e natyrshëm që kanë si objektiv për ta bërë “tris” ndaj kavajasve.

BESA-VLLAZNIA
DY FINALET E MËPARSHME

1971-1972: Vllaznia-Besa 2-0, 0-2 (pen: 5-3)
1980-1981: Vllaznia-Besa 5-1, 1-2

DREJT FINALES

RRUGA E VLLAZNISE

Në turin e parë, Vllaznia eliminoi Tomorin e Beratit: fitoi 4-0 në Berat dhe 5-1 në Shkodër. Në turin e dytë eliminoi Kamzën: fitoi 3-1 në Kamzë dhe barazoi 2-2 në “Loro Boriçi”. Në ndeshjen e parë të turit të tretë Vllaznia barazoi 0-0 Skënderbeun në Korçë, ndërkohë që në atë të kthimit fitoi thellësisht 4-0 në “Loro Boriçi”. Në gjysmëfinale, Vllaznia eliminoi Teutën: humbi 1-0 takimin e parë në Durrës dhe fitoi 2-0 ndeshjen e kthimit në Shkodër.

VLLAZNIA
Viti i themelimit: 1919
President: Valter Fushaj
Stadiumi: “Loro Boriçi”, Shkodër
Pjesëmarrëse: në 57 edicione
Në çerekfinale: 46 herë
Në gjysmëfinale: 28 herë
Në finale: 13 herë
Fituese: 6 herë
Finale të humbura: 6 herë
Finale për tu luajtur: 1 (2010)
Fituese: 1964-1965, 1971-1972, 1978-1979, 1980-1981, 1986-1987 2007-2008
Finaliste e humbur: 1965-1966, 1967-1968, 1969-1970, 1985-1986 1998-1999, 2005-2006
Gjysmëfinaliste: 1951, 1951, 1957, 1973-1974, 1976-1977, 1977-1978, 1984-1985, 1987-1988, 1989-1990, 1992-1993, 1997-1978 , 2000-2001, 2002-2003, 2003-2004, 2004-2005, 2008-2009, 2009-2010

RRUGA E BESES
Në rrugën drejt finales, Besa eliminoi në turin e parë Pogradecin e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 3-2 në Pogradec dhe 1-0 në Kavajë. Në turin e dytë eliminoi Laçin: fitoi 0-1 në takimin e luajtur në Lezhë dhe barazoi 1-1 në ndeshjen e kthimit në Kavajë. Në turin e tretë, çerekfinalet, Besa eliminoi Tiranën: fitoi 2-0 në Kavajë dhe humbi 4-2 në kryeqytet, duke mbërritur në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale eliminoi Shkumbinin: barazoi 1-1 në Kavajë dhe fitoi 1-0 ndeshjen e kthimit në Peqin.

BESA
Viti i themelimit: 1925
President: Nexhat Bizhdili
Stadiumi: “Besa”, Kavajë
Pjesëmarrëse: në 52 edicione
Në çerekfinale: 22 herë
Në gjysmëfinale: 11 herë
Në finale: 8 herë
Fituese: 1 herë
Finale të humbura: 6 herë
Finale për tu luajtur: 1 (2010)
Fituese: 2006-2007
Finaliste e humbur: 1961, 1962-1963, 1970-1971, 1971-1972, 1980-1981, 1991-1992
Gjysmëfinaliste: 1957, 1958, 1964-1965, 2009-2010

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›