Doganat, në prill realizimi 102 %
Doganat kanë tejkaluar planin në realizimin e të ardhurave për muajin prill. Në një konferencë për shtyp drejtori i Përgjithshëm Flamur Gjymishka tha se administrata doganore arkëtoi 9.5 miliard lek nga 9.3 të planifikuara duke realizuar planin e të ardhurave në masën 102 %. "Krahasuar me muajin prill 2009, janë arkëtuar 1.18 miliard lekë më tepër ose 14.2 % më shumë", u shpreh Gjymishka. Duke ju referuar katër mujorit të parë të këtij viti ai theksoi se vihet re një rritje e konsiderueshme në vlerë e eksporteve. " Gjatë katër mujorit të parë 2010 është regjistruar volumi i eksporteve shqiptare e shprehur në sasi në 557 mije ton nga 339 mijë ton të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 218 mijë ton ose 64% më shumë" detajoi drejtori i Doganave. Ndërkohë që sa i përket eksporteve në vlerë, ai vuri në dukje se realizimi në volum kap vlerën 20 miliard lekë me një rritje 11 miliard lekë ose 129% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009.