Bajerni sulmon UEFA-n
Nga finalja e Ligës së Kampioneve kundër Interit mungojnë saktësisht 15 ditë, por Bajerni ka ngritur zërin qysh tani. Uli Hënes, ish-ylli dhe presidenti i Bajernit të Munihut, sulmoi në mënyrë frontale UEFA-n, duke e akuzuar se ndodhet nën presionin e një influence të dukshme italiane. Gjithçka është rrjedhojë e konfirmimit të skualifikimit të Frank Riberisë për finalen e madhe të Madridit, i ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari italian Roberto Roseti gjatë ndeshjes së parë gjysmëfinale kundër Lionit. Hënes shtoi gjithashtu se janë shumë italianë në role kyçe në UEFA. “Në UEFA janë shumë italianë që kanë interesa. Arbitri (Roseti) që përjashtoi me karton të kuq ishte italian, ashtu si shumë persona të tjerë që mbulojnë role të rëndësishme brenda saj, ndërkohë që është vetëm një gjerman”, - qahet Henës, në një deklaratë të tij për agjencinë gjermane, SID. “Në një situatë të këtij lloji, e kemi thuajse zero mbështetjen morale”, - shtoi drejtuesi i lartë bavarez. Të mërkurën Komisioni i Apelit i UEFA-s konfirmoi vendimin për tri ndeshje pezullim të Frenk Riberisë (përfshirë dhe finalen e Madridit). Fantazisti francez i Bajernit të Munihut shkaktoi një faull të rëndë ndaj Lisandro Lopez të Lionit.
Aips, Mourinho, trajneri më i mirë në botë
Tekniku i Interit u përzgjodh nga shtypi ndërkombëtar sportiv ndërkombëtar
Për shtypin ndërkombëtar sportiv (Aips), Hoze Murinjo është “trajneri më i mirë në botë”. Portugezi është përzgjedhur në Kongresin e 73-të të Shoqatës që u zhvillua në Antalia të Turqisë dhe ku merrnin pjesë 200 gazetarët sportivë nga 96 vende të botës. Trajneri i Interi mblodhi 37 për qind të votave, duke lënë në vend të dytë Aleks Ferguson të Mançester Junaitid (20%) dhe në vend të tretë, Gus Hidink (13.3%). Fabio Kapelo fitoi 9.3%, Marçelo Lipi (8%), Dunga (6.7%), Marcelo Bielsa (4%) dhe Van Gaal i Bajernit (2.7%). Interi nën drejtimin e Murinjo fitoi Kupën e Italisë, është në prag të fitimit të Serisë A dhe në finale të Ligës së Kampioneve kundër Bajernit të Munihut të Luis van Galit.
Mesi, lojtari i gazetarëve
Sulmuesi i Barcelonës, argjentinasi Lionel Mesi u përzgjodh si lojtari më i mirë në botë nga gazetarët sportivë. Ylli i Barçës
Mori 43% të votave i ndjekur nga Runi (14.9%) dhe Kaka (9.2%).
Real Madrid synon Stivën Xheradin
“Daily Mirror”: Spanjollët të gatshëm të ofrojnë 34 milionë euro
Real Madrid është duke përgatitur një ofertë prej 34 milionë eurosh për t’i rrëmbyer Liverpulit kapitenin e tij, Stivën Xherad. Lajmin e dha gazeta britanike “Daily Mirror”. Mesfushori anglez ndiqet prej tre vjetësh nga “Los Blancos”. Më përpara Xherardi kishte refuzuar një ofertë të Çelsit, por tani besnikëria e tij ndaj “Reds” duket se nuk ka më kuptim, pasi klubi anglez jo vetëm që ka dalë në shitje, por është zhytur në borxhe të konsiderueshme ndaj bankave kreditore. Ashtu si Xherardi, edhe sulmuesi spanjoll Fernando Torres është i pasigurt për të ardhmen, nisur edhe nga fakti se marrin rroga mjaft të larta, por më se të pranueshme për kualitetet e tyre.
8 Maj 2010