E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse bukuroshet e Hollivudit martohen me më të rinj



Dashuri të reja apo dashuri për të rinj? Kjo është dilema e yjeve të Hollivudit, të cilët prej kohësh preferojnë të frekuentojnë partnerë më të rinj se vetja. Nëse për meshkujt nuk duket e çuditshme që në krah të kenë një të dashur apo grua 20 vjet më të re, edhe për femrat ky fenomen po bëhet normal dhe jo i papranueshëm. Për të famshmit, dashuria shkon e vjen, me lajme bombastike, deklarata e përgënjeshtrime, por ajo që mbetet është tërheqja nga partnerë shumë më të rinj, të cilët i shoqërojnë me buzëqeshje prej fëmije të padjallëzuar në tapetin e kuq. Mes këtyre çifteve, nuk dimë se cila është dashuri e vërtetë apo biznes i pastër. Në këtë rast na pëlqen të mendojmë se dashuria nuk njeh moshë dhe siguria e vetme e suksesit të zemrës, vlen më shumë sesa teket e yjeve.
Madona dhe modeli 22-vjeçar
E para në listë kryeson këngëtarja e njohur Madona, e cila pasi u divorcua nga bashkëshorti Gaj Riçi, e që ishte 10 vjet më i ri se ajo, u fejua me modelin 22-vjeçar Jesus Luz. Fillimisht këngëtarja shmangte daljet në publik e shoqëruar me të, por më pas gjithçka u bë publike dhe dyshja zyrtarizoi lidhjen me anë të një ceremonie që u bë e ditur nga babai i djaloshit.
Kajli Minog dhe 30-vjeçari Andres
Një tjetër këngëtare, e cila njihet për preferencat ndaj meshkujve më të rinj në moshë, është Kajli Minog. Edhe pse është e mrekullueshme, ajo është 41 vjeçe dhe së shpejti pritet të martohet me 30-vjeçarin Andres Velencoso. Ajo preferoi ta bënte imazhin e parfumit më të ri për meshkuj dhe çdo gjë shkoi më së miri. Parfumi u quajt “Inverse”, megjithatë të gjithë e njohin me emrin Andres.
Mariah Keri dhe bashkëshorti 27-vjeçar
Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe këngëtarja e njohur e popit Mariah Keri, e cila është 39 vjeçe dhe është martuar me 27-vjeçarin Nik Kanon. Në intervistat e kohëve të fundit, këngëtarja është shprehur e lumtur për momentet e veçanta që kalon me bashkëshortin, i cili në media është cilësuar si një nga këngëtarët me trup më të bukur. Mos është kjo arsyeja e dashurisë së këngëtares?
Çer dhe i dashuri 39-vjeçar, Tim Medvetz
Edhe pse është 63 vjeçe, ajo është më e bukur se 30 vjet më parë. Përveç bukurisë, një tjetër rëndësi në jetën e saj zënë edhe të dashurit më të rinj në moshë. I fundit që ka fatin të përjetojë një lidhje sentimentale me Çer është 39-vjeçari, Tim Medvetz. Falë kirurgjisë estetike askush nuk mund të dallojë se kush nga të dy është më i ri në moshë. Më e thjeshtë në këtë rast do të ishte të thoshim se këngëtarja do të fitojë rininë e përjetshme.
Demi Mur dhe bashkëshorti 31 vjeçar, Ashton
Çifti që na bind më shumë në këtë renditje është, pa dyshim, Demi Mur, që tashmë është 46 vjeçe dhe 31-vjeçari Ashton Kutçer. Në publik ata janë gjithmonë të qeshur, gjithmonë të dashuruar dhe të pandarë. Aktorja ka arritur me sukses të mbajë raporte të mira edhe me ish-bashkëshortin Robin Uillis, i cili së bashku me Kutçer dhe Mur organizojnë mbrëmje në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Aktorja ka preferuar që në shtëpinë ku jeton me burrin e saj të jetojnë edhe 3 vajzat që ka nga martesa e parë.
Eva Longoria dhe bashkëshorti 27-vjeçar
Edhe bukuroshja Eva Longoria, shtëpiakja më pak e dëshpëruar në botë, në moshën 34-vjeçare mundi të fuste në kurth një nga sportistët më tërheqës, duke u martuar më pas me të. Bëhet fjalë për martesën e saj me 27 vjeçarin Toni Parker, me të cilin nuk humb rastin të ecë në tapetin e kuq tepër e dashuruar dhe krenare. Fotografët në mjaft raste kanë publikuar imazhe të çiftit, duke u puthur plot pasion. Edhe në rolin e saj në “Shtëpiake të dëshpëruara”, aktorja tërhiqet nga kopshtari i saj më i ri në moshë.
Ivana Tramp dhe ish-bashkëshorti Rosiano
Rinia vlerësohet pozitivisht edhe në Itali. Rasti më pikant ka të bëjë me “dinakun” Rosano Rubikondi, i cili përfitoi nga rasti për t’u martuar me miliarderen Ivana Tramp. Por, ajo u tregua më “dinake” se ai dhe sapo kaloi në periudhë jo të mirë të jetës së saj, menjëherë i kërkoi divorcin, duke vrapuar te një tjetër për ta përdorur si aksesor. Mediat italiane e komentuan këtë ngjarje për faktin se ata dukeshin tepër të dashuruar me njëri-tjetrin, aq sa të gjithë mendonin se ishte dashuri e vërtetë.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›