Berisha: Hapim edhe dokumentet sekrete
ADI SHKEMBI
"Shqipëria është një vend me shtet ligjor dhe disponon të gjitha ligjet dhe institucionet për të bërë transparent edhe dokumentin më sekret të saj". Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini.Kreu i maxhorancës tha para mediave se gjatë takimit me kreun e Parlamentit italian u diskutua edhe për situatën politike në Shqipëri, duke shprehur angazhimin e maxhorancës për zgjidhjen e saj. "Unë shpresoj që opozita të përfitojë dhe e ftoj opozitën të përfitojë nga këto mundësi", theksoi kreu i ekzekutivit. Sipas tij, Qeveria respekton çdo mënyrë proteste demokratike. "Unë sigurova Presidentin Fini se Qeveria ime mbetet e vendosur të respektojë të drejtën kushtetuese të çdo qytetari shqiptar, force politike apo organizate për të protestuar në mënyrë paqësore, në formën që ai e konsideron më të përshtatshme. Sikundër jam dëshmuar dhe dëshmohem i hapur për zgjidhje kushtetuese dhe ligjore, transparencën e plotë të çdo procesi në këtë vend", tha më tej Berisha. Nga ana e tij, Fini vlerësoi se kriza politike duhet zgjidhur sa më shpejt, në respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. "Sigurisht që ne respektojmë pavarësinë dhe dinamikën politike të vendit tuaj. Do të kem mundësinë, gjatë vizitës sime në Tiranë, që të kem një takim edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, zotin Rama dhe nuk më mbetet tjetër veçse të uroj për një zgjidhje sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve që janë ende të hapura dhe që kërkojnë zgjidhje. Dhe, sigurisht, sikundër përmendi edhe Kryeministri Berisha, në respektim të Kushtetutës, të ligjit dhe të pavarësisë, por edhe të rekomandimeve apo të mendimeve të të gjithë komunitetit ndërkombëtar", deklaroi Fini pak orë përpara se të takohej edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kryetari i PS-së Edi Rama.
Vizat
Vizita e Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Italisë shënon edhe kulmin e ceremonive të zhvilluara në këtë stinë eventesh mes dy vendeve. Fini konfirmoi se Roma zyrtare do të vazhdojë të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. "Sikundër e thashë edhe pak më përpara, procesi i liberalizmit të vizave është një proces më se i rëndësishëm dhe që duhet të bazohet në meritë dhe ky përbën edhe synimin kryesor. Gjithashtu Italia është duke punuar gjerësisht për mbështetjen dhe vazhdon të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave, që sikundër e tha edhe zoti Berisha, është një proces më se i rëndësishëm, pavarësisht sprovave të shumta që i është dashur të përballet e të kapërcejë Qeveria shqiptare, pikërisht, sprova që i janë vënë përpara nga Bashkimi Evropian", u shpreh Fini. Në të njëjtën kohë ai vlerësoi se Tirana zyrtare ka bërë progres edhe për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore. "Për të mos u ndalur dhe përsëritur më tej ato që përmendi zoti Kryeministër, do të doja thjesht të kufizohesha në faktin se këto përmirësime dhe këto raporte të shkëlqyera janë hasur edhe për sa i përket luftës kundër kriminalitetit dhe në mënyrë të veçantë, luftës ndaj kontrabandave të ndryshme, luftës ndaj trafikut të qenieve njerëzore, pra emigracionit klandestin, por edhe të lëndëve narkotike", vijoi më tej kreu i Parlamentit italian. Përsa i përket çështjes së liberalizimit, Kryeministri Berisha tha se Tirana zyrtare e konsideron heqjen e vizave si një proces të bazuar mbi meritën. "E sigurova mikun tim se, për mua dhe Qeverinë time ky proces është dhe do të mbetet gjithnjë një proces i bazuar në meritën. Ky është interesi jetik i shqiptarëve, është interesi kombëtar i tyre", theksoi Berisha.
Fini me Topin: Ne, mbështetës të flaktë të Shqipërisë
Kreu i Parlamentit italian u takua dje edhe me Presidentin, Bamir Topi. "Italia është, ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e flaktë e Shqipërisë në përmbushjen e aspiratës së saj për t'u integruar në Bashkimin Evropian me meritë", tha Fini. Ndërsa kreu i shtetit theksoi se "tashmë shpresojmë që edhe me mbështetjen tuaj, Shqipëria do të marrë në një kohë sa më të shkurtër dhe statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE".
Kalimi në bulevard
Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini dhe Kryeministri Sali Berisha, kanë kaluar dje fare pak metra pranë vendit ku po zhvillohet greva e urisë së deputetëve socialistë. Në përfundim të konferencës për shtyp Berisha e Fini kanë dalë nga dera e Kryeministrisë që të nxjerr në bulevard dhe më pas kreu i Parlamentit italian ka kaluar mes për mes rrugës kryesore për të shkuar te kryesia e Kuvendit, aty ku e priste kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Nga ana e tij, Berisha ka hyrë sërish nga e njëjta derë në Kryeministri, shumë pranë grevistëve.
Marrëdhëniet Shqipëri-Itali
Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetarin e dhomës së deputetëve italianë, Kryeministri Berisha tha se "në këtë takim kemi konstatuar me kënaqësi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe kombeve tona. Ishte një rast për t'i shprehur mirënjohjen time më të thellë Presidentin Fini dhe Parlamentit italian, Kryeministrit Berluskoni dhe Qeverisë italiane për të gjithë mbështetjen dhe avokaturën e shkëlqyer që u kanë bërë përpjekjeve të Shqipërisë, në projektet e saj të mëdha, integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian".