E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama nuk do të mund të bllokojë proceset integruese”

13/11/2009  Berisha-Topalli garantojnë qytetarët

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, duke iu drejtuar kundërshtarit të tij politik, garantoi të gjithë qytetarët shqiptarë se opozita me në krye Edi Ramën me bojkotin e saj nuk do të mund të bllokojë asnjë proces që lidhet me liberalizimin e vizave dhe as anëtarësimin në BE. Gjatë fjalës së tij në Parlament kreu i qeverisë garantoi se qeveria që ai kryeson ka prioritet çështjen e vizave, duke ndërmarrë çdo reformë dhe do të vendosë çdo teknologji, në mënyrë që gjatë vitit të parë të këtij mandati të marrim përgjigje pozitive për lëvizjen e lirë në të gjithë Evropën. “Zotohem para jush se së bashku do të ndërmarrin çdo reformë, do të paguajmë çdo çmim, çdo mendim, me qëllim që praktikat funksionale në këtë vend të konsolidohen çdo ditë e më shumë me praktikat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, - tha Berisha. Duke përmendur praktikat evropiane, larg praktikës së viktimizimit të një populli për një individ, Berisha e ftoi kreun e PS-së të bëhet bashkautor i realizimit të reformave për proceset integruese të vendit. “Sepse ky është interesi jetik i të gjithë shqiptarëve, i atyre që të duan ty dhe atyre që më duan mua, dhe e atyre që nuk na duan as mua e as ty, por kanë ëndrrën e madhe evropiane për të lëvizur të lirë”, - vijoi Berisha. Për përgjegjësinë e kreut të selisë rozë ndaj reformave në vend foli edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Shef është ai burrë që merr përgjegjësi e thotë: ‘Unë humba’. Ai nuk mund të thotë: ‘Njerëzit e mi humbën’. Shefat duhet të jenë burra. Por edhe gra, po të jenë, nuk mund të mbajnë peng për karrierë personale dhe ego individuale një grup parlamentar”, - tha Topalli dhe ftoi deputetët e opozitës për të ushtruar detyrën e tyre në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›