E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Holanda, vrau e torturoi viktimën

12/11/2009  Interpol Tirana sjell në Shqipëri të kërkuarin Sokol Aliaj, i dënuar me 20 vjet burg

Në bashkëpunim ekzekutoi e torturoi në plazhin e Durrësit, shtetasin Robert Mitro

TIRANË- Një 31-vjeçar që akuzohej për vrasje është ekstraduar dje nga Holanda. Nga burimet e policisë mësohet se më datën 11.11.2009, në orën 23:25, nga zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Amsterdami, Holandë, drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Sokol Aliaj, 31 vjeç, lindur në Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr. 50, datë 01.11.2007, e ka dënuar me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 79 e 25, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Policia e shtetit njofton se shtetasi i mësipërm në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ka vrarë dhe më pas torturuar në mënyrë çnjerëzore, në zonën e plazhit Durrës, shtetasin Robert Mitro. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Hagën, më datë 09.10.2008, është bërë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Sokol Aliaj. Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit njofton se Aliaj do të dërgohet pranë Drejtorisë së Burgjeve, ku do të vuajë dënimin për vrasjen që ka kryer.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›