E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama nuk përfaqëson socialistët që punuan për NATO-n”

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ngjarje historike për Shqipërinë". Topalli, anëtare e delegacionit shqiptar në Samitin jubilar të 60-vjetorit të NATO-s, u shpreh në një prononcim për mediat, se “merita kryesore për këtë ngjarje u përket të gjithë shqiptarëve, sakrificës dhe mundit të tyre. Pa dyshim që kjo ka arsyet e veta, pasi ishte kjo mazhorancë që e udhëhoqi këtë proces. Anëtarësimi nuk do të ishte bërë i mundur, nëse Shqipëria rreshtohej ende si një vend i pasigurt, ku zotëronte korrupsioni dhe mafia. E pyetur se çfarë përfiton Shqipëria, Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se “së pari vendi përfiton nga pikëpamja ushtarake. Në rast të ndonjë sulmi të mundshëm ndaj Shqipërisë, bazuar në këtë Traktat, të gjithë anëtarët e Aleancës janë të detyruar që të japin asistencë militare dhe ta konsiderojnë mbrojtjen e Shqipërisë njësoj si të ishte vendi i tyre. NATO nuk është thjesht një aleancë ushtarake, por është një aleancë politike dhe ekonomike dhe vetë anëtarësimi është një hap tjetër i madh drejt BE-së, sepse të dyja këto procese shkojnë paralel me njëra-tjetrën”. E pyetur mbi rolin e opozitës në këtë proces, kryetarja Topalli u shpreh se “opozita bëri detyrën e vet duke votuar për ligje dhe reforma, siç ishte rasti i Kodit Elektoral”. Nga ana tjetër, Topalli u shpreh se e ka bërë gjithmonë diferencën mes PS-së dhe individit Edi Rama, i cili nuk përfaqëson ata socialistë që kanë punuar për këtë anëtarësim”. Tani kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve parlamentare, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “nuk e përkthen me vota, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por e konsideron si një hap shumë të rëndësishëm drejt sigurisë“.
Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›