E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhësit e pavendosur, objektivi i fushatës parazgjedhore të PS-së



Shaban Sulçe

Votuesit e pavendosur do të jenë objektivi i fushatës parazgjedhore për strukturat e organizatat në bazë si dhe Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2009. Në strategjinë elektorale të selisë rozë gjendet një udhëzim, i cili u është dhënë strukturave bazë të Partisë Socialiste, të cilave u kërkohet që të përqendrojnë punën e tyre për të bindur sa më shumë votues të pavendosur që vota e tyre të jetë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fillimi i kësaj faze përkon me përfundimin e procesit të parë, që parashikonte kalimin e strukturave partiake në struktura elektorale. Tashmë organizatat e PS-së në bazë kanë marrë profil elektoral dhe pritet që shumë shpejt të nisin procesin e dytë, i cili është ai i punës në terren me zgjedhësit. Por në këtë drejtim, një rëndësi shumë e veçantë do t’i kushtohet votuesve të pavendosur, të cilët ende nuk e kanë një vendim të qartë se për cilën forcë politike do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Strukturat socialiste do të zhvillojnë takime derë më derë, do të zhvillohen aktivitete të shumta, do të organizohen tryeza me tematika të aktualitetit, takime me elektoratin etj. Ato do të synojnë që të bindin votuesit e pavendosur për të votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2009.

Vullnetarët
Një rol mjaft të rëndësishëm me punën me elektoratin, veçanërisht me zgjedhësit e pavendosur, duket se do të luajë edhe Rrjeti i Vullnetarëve të Partisë Socialiste. Ky rrjet u lançua gjatë këtij muaji nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili u kërkoi pjesëtarëve të këtij rrjeti që të angazhohen dhe të trokasin derë më derë për të mundësuar ndryshimin e shumëpritur në Shqipëri. Rrjeti i Vullnetarëve të PS-së përbëhet nga njerëz të paangazhuar më parë në strukturat politike, gjithashtu nga anëtarë të FRESSH-it, nga Forumi i Gruas Socialiste, nga shoqëria civile, studentë etj. Ata do të angazhohen gjatë fushatës parazgjedhore, por gjithashtu edhe gjatë fushatës zyrtare elektorale, në punën me elektoratin, ku do të synohet arritja e një mbështetjeje sa më të gjerë.

Faza e tretë

Strategjia elektorale e Partisë Socialiste, e miratuar gjatë njërës prej mbledhjeve të fundit të Asamblesë Kombëtare të saj, përmban në vetvete tri faza të rëndësishme. Faza e parë është ajo e kthimit të strukturave dhe organizatave socialiste me profil elektoral. Faza e dytë është puna në terren me zgjedhësit, ndërkohë që faza e tretë është realizimi i sondazheve me anëtarësinë e Partisë Socialiste për përzgjedhjen e emrave në listën e saj për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo do të realizohet nëpërmjet sondazheve. Elektorati dhe anëtarët e PS-së në të 12 qarqet e vendit do të thonë fjalën e tyre për miratimin ose jo të kandidatëve për deputetë që do të përfshihen në listat e Partisë Socialiste. Rezultatet e sondazheve do të përcaktojnë nëse propozimet e bëra nga strukturat drejtuese të PS-së për emrat e kandidatëve do të kenë mbështetjen decizive të elektoratit socialist.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›