E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Infrastuktura rrugore, prioritet i manditit të dytë të qeverisë së djathtë

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje pasdite në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e segmentit Levan-Tepelenë, një projekt me vlerë 70 milion euro, financuar nga BEI dhe BERZH. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, ky segment është pjesë e Korridorit Veri- Jug, që shtrihet nga Hani i Hotit deri në Kakavijë. Segmenti Levan-Tepelenë ka një gjatësi 70 kilometra, 60 për qind e së cilës do të jetë aks i ri rrugor, kurse 40 për qind do të jetë përmirësim i rrugës ekzistuese. Ky segment rrugor është projektuar me dy kalime, sipas të gjitha standardeve të rrugëve evropiane. Duke përshëndetur banorët e kësaj zone, Kryeministri Berisha u shpreh se "kjo rrugë do të lidhë jugun me portin e madh të Vlorës dhe do të shndërrojë këtë zonë, në njërën prej rrugëve më të urbanizuara të vendit. Nga viti 2006 e deri më sot, komuna Frakull ka marrë rreth 320 milionë lekë investime, ndërkohë që nuk ka pasur as edhe një investim të vetëm para vitit 2006, nga qeveria socialiste", u shpreh Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te infrastruktura rrugore në vend, Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "kjo qeveri është përqëndruar, më shumë se kurrë ndonjëherë në ndërtimin e rrugëve. Rrugët e asfaltuara, rrugët e shkurtra dhe të standardeve evropiane janë kusht që ju të ndiheni si qytetarë evropianë, që trualli të fitojë vlerat e tij të mëdha në treg dhe prodhimet tuaja të kapin me shpejtësi dhe me çmime të arsyeshme tregun", tha Kryeministri. Kreu i Qeverisë premtoi se "brenda mandatit të dytë, Shqipëria në asfalt, do të jetë projekti ynë më i madh infrastrukturor i të gjitha kohërave. Ne nuk ndërtojmë vetëm rrugët kombëtare", tha Kryeministri, duke shtuar se "po ndërtohen edhe me mijëra kilometra rrugë rurale. "Dje po dëgjoja opozitën tek akuzonte në Vlorë, se ne po diskriminojmë zona dhe me këtë kryetari i opozitës akuzonte në mënyrën më antikombëtare për aksin e shqiptarëve, rrugën Durrës - Morinë. I them opozitës së blofeve se me asgjë nuk mund t’i përçajë shqiptarët", vijoi më tej Kryeministri. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "nga Levani në Konispol po ndërtohen 250 km rrugë dhe ka edhe shumë në ndërtim e sipër". Axhenda e kësaj qeverie, sipas Kryeministrit Berisha, synon ta bëjë Shqipërinë me rrugët më të reja dhe më të mira në Ballkan dhe më gjerë. Duke u ndalur te rruga Durrës-Kukës, Kryeministri theksoi se "ky korridor do të dyndë Kosovën dhe më gjerë në brigjet turistike të Shqipërisë dhe do të krijojë një treg të hapur dhe shumë të mirë për prodhimet vendase. Është armiqësia që kreu i opozitës ka ndaj rrugës, që të shtyn në një verbëri të tillë. Sepse në qoftë se do ta shndërrojmë së shpejti në realitet portin gjigand të Vlorës, me një investim prej rreth 2 miliard euro, kjo erdhi vetëm sepse korridori i shqiptarëve u jep vlerë të dhjetëfishtë ujërave të Vlorës", tha Kryeministri Berisha. Ky korridor, sipas Kryeministrit, "u jep fund disa ndarjeve natyrore të kombit dhe e bën kombin të ndihet pranë e pranë". Duke vijuar me projektet që pritet të përfundojnë në mandatin e dytë qeverisës, Kryeministri Berisha premtoi se "do të përfundojë boshti i Jugut, rruga e Arbrit etj. Ne nuk kemi blofe e mashtrime, por kemi vepra dhe i shndërrojmë premtimet në vepra. Unë ju premtoj zonave rurale të Shqipërisë se në mandatin e dytë, në çdo shtëpi në fshat do të ketë ujë të pijshëm, ashtu siç kanë shtëpitë në qytet, do të asfaltojmë rrugët, do të bëjmë që fëmijët e tyre të shkollohen në shkolla të njëjta me ato të qytetit", vijoi Kryeministri. Kreu i Qeverisë u ndal edhe te projekti i ullirit, që sipas tij "po merr jetë me shpejtësi të madhe"."Vetëm në këto katër muaj janë mbjellë 2 milionë rrënjë ullinj. Nëse kemi deklaruar në projektin tonë mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj, unë ju premtoj se brenda këtij mandati ne do të shkojmë më tutje duke e shndërruar Shqipërinë në një prodhues shumë të rëndësishëm të ullirit në Mesdhe dhe më gjerë", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri premtoi se "4 vitet që vijnë do të jenë vitet e hapave të mëdha të integrimit të Shqipërisë, por viti i parë i mandatit të dytë do të jetë viti i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në mbarë Evropën" tha ndër të tjera Berisha.

Fjala e plotë e kryeministrit

Erdha sot këtu, të ndaj me ju gëzimin e fillimit të punimeve të kësaj rruge, e cila do të lidhë Levanin me Tepelenën, Jugun me  Portin e madh të Vlorës,  rrugën e cila do të shndërrojë këtë zonë, në njërën prej rrugëve më të urbanizuara të vendit. Ky është një segment i rëndësishëm, me një vlerë prej 70 milion eurosh, me një  gjatësi prej 70 km, i standardeve më të mira ndërkombëtare.

Duke inauguruar rrugën, kryetari i Komunës së Frakullës më informoi se nga viti 2006 e deri më sot, keni marrë investime si komunë 320 milionë lekë, ndërkohë që nuk ka pasur as edhe një investimi të vetëm, para vitit 2006, nga qeveria socialiste. Kryetari juaj, me krenari, më tregoi shkollën e re të mesme, një shkollë shumë e bukur, por edhe objekte të tjera të rëndësishme.

Sot, meqenëse ne jemi para kësaj vepre të rëndësishme, sërish dua të ndalem tek projektet e qeverisë sime,  për rrugët dhe infrastrukturën e vendit. Me bindjen time më të thellë, rrugët e asfaltuara, rrugët e shkurtra, rrugët e standardeve evropiane janë kusht, i të gjitha kushteve, që ju të ndiheni si qytetarë evropianë, janë kushti të gjitha kushteve që ju të udhëtoni ashtu siç udhëtojnë qytetarët evropianë, janë kusht i të gjitha kushteve që trualli të fitojë vlerat e tij të mëdha në treg , që prodhime tuaja të kapin me shpejtësi dhe me çmime të arsyeshme  tregun, sa më parë. Ndaj dhe ne jemi përqendruar, më shumë se kurrë ndonjëherë, në ndërtimin  e rrugëve. Ne nuk ndërtojmë vetëm rrugët kombëtare. Ne po ndërtojmë me mijëra kilometra rrugë rurale. Unë jam këtu, për t’u dhënë fjalën shqiptarëve, se brenda mandatit të dytë, Shqipëria në asfalt, do të jetë projekti ynë  më i madh, projekti ynë më i madh infrastrukturor, i të gjitha kohërave.

Dje po dëgjoja opozitën tek akuzonte në Vlorë,  se ne po diskriminojmë  zona dhe me këtë kryetari i opozitës akuzonte në mënyrën më antikombëtare për aksin e shqiptarëve, rrugën Durrës – Morinë. Unë dua t’i them opozitës, e cila në një rast shpall se shqiptarët  i vodhën orën Xhorxh Bushit,  në rastin tjetër deklaron se shqiptarët nuk do të marrin ftesën për në NATO , në një rast tjetër shpall të vdekurin në aksident si të ekzekutuar nga qeveria, apo në rastin tjetër krijon blofin se ujërat e Korfuzit iu dhanë Greqisë, e të tjera raste të tilla, pra, dua t’i them opozitës së blofeve se me asgjë nuk mund t’i përçajë shqiptarët. Në atë çast kur ti flisje, po të mos mbyllësh sytë dhe po të mos mbyllësh mendjen,  do të shihje se nga Levani në Konispol, po ndërtohen, jo 10 apo 15, 20 apo 30 kilometra, por po ndërtojmë 250 km rrugë dhe ka edhe shumë në ndërtim e sipër. Këtë e shohin të gjithë ata që udhëtojnë nga Fieri në Vlorë, të gjithë ata që shkojnë nga Vlora në Selenicë, nga Vlora në Llakatund, nga Vlora në Sarandë, nga Himara në Pilur, nga Kardhiqi në Delvinë,  nga Konispoli në Sarandë.

Pra, zoti “përçarës” , më duhet  të të them se axhenda jonë është e papërballueshme nga ty, se ne kemi një axhendë që ta bëjmë Shqipërinë me rrugët më të reja,me rrugët  më të mira në Ballkan dhe më gjerë. Çdo ditë ky projekt shndërrohet në realitet. Por dua t’u them dhe dy fjalë për korridorin, të cilin ne po e ndërtojmë . Është armiqësia që ti ke ndaj rrugës, që të shtyn në një verbëri të tillë. Sepse në qoftë se do ta shndërrojmë së shpejti në realitet Portin gjigand të Vlorës, me një investim prej rreth 2 miliard euro, kjo erdhi vetëm e vetëm nga korridori i shqiptarëve, erdhi sepse ky  korridor u jep vlerë të dhjetëfishtë ujërave të Vlorës. Ky korridor  do të dyndë Kosovën dhe më gjerë në brigjet turistike të Shqipërisë. Ky korridor do të bëjë që prodhimet tuaja , të Frakullës, të Novoselës , të Levanit, të Fierit, të Myzeqesë, të kenë një treg të hapur dhe shumë të mirë. Ky korridor gjithashtu,u jep fund disa ndarjeve natyrore të kombit dhe e bën kombin të ndihet pranë e pranë. Ndaj dhe ju që derdhnit lot krokodili se Vlora po diskriminohet, hiqini syzet e nihilizmit, mos bëni rolin e atij që ka sy por nuk shikon, se Vlora ju shikon juve , se Fieri ju shikon, se Lushnja ju shikon, se gjithë Shqipëria ju shikon.  

Unë u ndala tek rrugët, sepse sërish në mandatin e dytë rrugë do të ketë. Rrugët do të jenë përparësia absolute infrastrukturore e jona. Në këtë mandat ne do të përfundojmë këtë trajektore, do të përfundojmë  boshtin e Jugut. Ne do të lidhim me rrugë të re Elbasanin me Tiranën. Në këtë mandat ne do të lidhim Qafë Plloçën me Qukësin me rrugë të re. Në këtë mandat, ne do të përfundojmë rrugën e Arbrit. Në këtë mandat, Shqipëria do të ketë rrugët më të shkurtra, më të mira , më të bukura se çdo vend tjetër.

Ne nuk kemi blofe, nuk kemi mashtrime,kemi vepra, ne i shndërrojmë premtimet në vepra. Unë ju premtoj zonave rurale të Shqipërisë se në mandatin e dytë, në çdo shtëpi në fshat do të ketë ujë të pijshëm, ashtu siç kanë shtëpitë në qytet, do të asfaltojmë rrugët, do të bëjmë që fëmijët e tyre të shkollohen në shkolla të njëjta me ato të qytetit.

Dua të theksoj edhe një projekt tjetër të madh, një projekt që po merr jetë me shpejtësinë më të madhe se sa e kishim parashikuar, projektin e ullirit.  Katër vite më parë unë isha në Panaja. Në një takim me fermerët e  atij fshati, (fshati ishte i veshur me ullinj), unë ju dhashë fjalën se do të bëj çdo gjë që Shqipëria të vishet me ullinj. Që kur qeveria ka lancuar projektin, vetëm në këto katër muaj janë mbjellë 2 milionë rrënjë ullinj. Shqipëria e ka shumë të gjerë zonën e ullirit, por Mallakastra do të jetë padyshim në krye dhe unë ju jap fjalën se nuk do të lemë kodër  të saj, pa e qëndisur me ullinj. Në qoftë se ne kemi deklaruar në projektin tonë mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj, ju duhet ta keni të qartë se brenda këtij mandati ne do të shkojmë më tutje. Shqipërinë do të shndërrojmë në një prodhues shumë të rëndësishëm të ullirit në Mesdhe dhe më gjerë.

Këto katër vite ishin vite të ndryshimeve të mëdha. Ishin vite në të cilat ne u bëmë anëtarë të NATO-s, aplikuam për anëtarësimin në BE. Ishin vite në të cilat ne ia dolëm të mbajmë premtimet tona më të vështira, dyfishimin e rrogave të 44 mijë mësuesve, dyfishimin e rrogave të 16 mijë infermierëve, dyfishimin e rrogave të  katër mijë  mjekëve, dyfishimin e pensioneve  të 170 mijë pensionistëve në fshat. Ne e bëmë këtë. Unë sërish dua t’u zotohem ju se mandati i dytë do të shënojë rritje të tjera shumë të mëdha të rrogave dhe të pensioneve, do të shënojë barazimin e pensioneve të fshatit dhe të qytetit. Ju nuk keni vuajtur me pak se sa punëtorët në fabrika. Njësoj keni vuajtur, ndaj dhe ne do t’ua barazojmë pensionet.

Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e hapave të mëdha të integrimit të Shqipërisë, por viti i parë i mandatit të dytë do të jetë viti i lëvizjes suaj të lirë në mbarë Evropën, lëvizja pa viza është zotimi ynë.

Edhe njëherë ju përshëndes.

Le t’i urojmë së bashku kombëtares sonë të futbollit që të fitojë sot. Uroj që ajo të shënojë një fitore, por të bëjë gjithashtu një lojë të bukur.

Ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju garantoj se do të vij sërish dhe këtë rrugë do të inaugurojmë të përfunduar, së bashku. Do të ndërtojmë çdo rrugë të Frakullës, të Levanit, të Fierit, të Lushnjës , të mbarë Shqipërisë.”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›