E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kërkon Presidentin me shantazhe politike

28-05-2012 / Gazeta 55

Enkelejd Alibeaj, deputet i PD-së


Ish ministri i Drejtësisë dhe anëtari demokrat i komisionit parlamentar të ligjeve, Enkelejd Alibeaj u shpreh dje se Edi Rama kërkon shkeljen e Kushtetutës në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Alibeaj tha se kryesocialisti po tenton të mbajë peng statusin e vendit kandidat edhe për këtë vit. Deputeti demokrat kujtoi se formula kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, është një formulë kushtetutshmërisht e moralshme, ndërsa Edi Rama ka humbur tashmë garën e parë, atë të moralit politik. “Thelbi i diskutimit të Ramës duket se është që, përmes kësaj çështje, mund të mbajë peng statusin e vendit kandidat. Edi Rama e di shumë mirë se në 3 raundet e para presidenti zgjidhet me 84 vota, ndërsa në dy raundet e fundit, me 71. Por, lepuri flet diku tjetër. Ai kërkon me çdo kusht të sjellë frymë konfliktuale në politikë. Gara e parë që ka humbur Rama, është ajo e moralit politik. Formula kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, është një formulë kushtetutshmërisht e moralshme. Ajo është votuar si nga Berisha ashtu dhe nga Rama si dhe është njohur nga ndërkombëtarët. Problemin e vetëm ndërkombëtarët e kanë me opozitën. Partia Demokratike ka qenë për një proces të dakordësuar, një proces të bazuar edhe në konsensus. Por, Partia Socialiste është e vendosur të mos jetë pjesë e marrëveshjes, duke sjellë të tilla pështjellime refraktare dhe konfliktuale. Kemi thënë se procesi do jetë plotësisht transparent dhe kjo duket se kanë nisur negociatat dhe konsultat mes spektrit politik, mes aleatëve të koalicionit”, u shpreh ish ministri i Drejtësisë.    Alibeaj tha gjithashtu se mazhoranca i ka votat për të zgjedhur presidentin nga radhët e saj, nëse negociatat me opozitën do përfundojnë pa rezultat. “Kushtetuta parashikon si kohë procedurale 5 raunde, çka do të thotë që përfshin brenda saj edhe kohën e duhur për të eksploruar modalitetet dhe mundësitë për një kandidat nga radhët e shumicës. Ne nuk do të reshtim së insistuari për një figurë konsensuale dhe të gjithëpranuar. Mbetet që PS t’i thërrasë arsyes politike. Dyert tona do të jenë gjithnjë të hapura”, tha Alibeaj. Duke komentuar tendencën e opozitës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, Alibeaj tha se zgjedhjet do bëhen atëherë kur i ka caktuar sovrani. “Zgjedhjet janë dhe do të bëhen atëherë kur i ka përcaktuar sovrani”, deklaroi më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›