E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama premton në Shkodër luftë kundër korrupsionit

Kreu i PS-së: “Po qeverisemi nga një kryeministër komunist i korruptuar”. Rama: “Më 28 qershor do të ndahemi përfundimisht nga politika e vjetër”

Shaban Sulçe

Turi i Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste është zhvilluar dje në qytetin e Shkodrës. Në këtë takim ka marrë pjesë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij Rama ka akuzuar korrupsionin qeveritar si shkaktar të varfërisë dhe mjerimit që gjenden sot shqiptarët. Kryetari i Partisë Socialiste ka shpalosur një tjetër prioritet të programit elektoral të PS-së, siç është lufta kundër korrupsionit. Rama akuzoi politikën e vjetër 18-vjeçare se ka bërë që në Shqipëri të mungojë siguria e jetës, se vendi drejtohet nga një kryeministër komunist si Sali Berisha, se qeveria e papërgjegjshme dhe e korruptuar ka varfëruar shqiptarët. “Sot Shqipëria është më e varfër se 4 vjet më parë. Katër vjet të tjera si këto janë absolutisht të padurueshme. Ka 18 vjet që papunësia rritet bashkë me malin e premtimeve të politikanëve të vjetër. Sot Shqipëria është më e papunë se 4 vjet më parë. Katër vjet të tjera si këto janë absolutisht të papërballueshme”, - u shpreh Rama.

Korrupsioni
Kryetari i Partisë Socialiste, gjatë fjalës së tij, u ndal te çështja e korrupsionit. Ai e akuzoi kryeministrin Berisha se jo vetëm dështoi që të mbante premtimin e tij përpara shqiptarëve, por e zhyti vendin edhe më shumë në korrupsion dhe rrjedhimisht varfëri dhe mjerim. “Ka 18 vjet që korrupsioni thith energji e të ardhura nga organizmi i shoqërisë sonë për t'i derdhur në xhepat e oborrtarëve të pushtetit të radhës teksa politikanët e radhës në pushtet përbetohen se do ta shfarosin korrupsionin. Në fakt, ata bëjnë vetëm spostimin e kanaleve të korrupsionit nga një klientelë pushteti te klientela e pushtetit tjetër. Sot Shqipëria është e kapur nga korrupsioni jo vetëm më keq se 4 vjet më parë, po në një formë që askush nuk mund ta imagjinonte 4 vjet më parë. Katër vjet të tjera si këto janë të pafalshme. Asnjëherë papërgjegjshmëria dhe i pari i punëve të këtij vendi nuk kanë qenë më bashkë sesa sot. Asnjëherë paaftësia dhe i pari i qeverisë së këtij vendi nuk kanë qenë më të njehsuar sesa sot. Asnjëherë korrupsioni dhe kryeministri i këtij vendi nuk kanë qenë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa sot”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama. Ai deklaroi se fitorja e PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit do t’i japë fund këtij fenomeni shkatërrues. “Lajmi i mirë sot është se asnjëherë më parë sesa më 28 qershor shqiptarët e shqiptaret nuk e kanë pasur më të pastër përpara tyre rastin për t'u ndarë nga e vjetra e pangrënshme, e patretshme dhe e pazgjedhshme që Sali Berisha ofron për të tetëmbëdhjetin vit me radhë”, - vijoi Rama.

Apeli

Rama ka përsëritur në Shkodër thirrjen që askush mos ta lërë bosh vendin që i takon në betejën mes së ardhmes dhe së shkuarës. “Lini gjurmën tuaj në historinë e re që po fillon”, - ishte apeli përmbyllës i kryetarit të PS-së në këtë takim.
Edi Rama u bëri thirrje të rinjve se nuk ka rast më të mirë se ky që na japin zgjedhjet e ardhshme, për ta provuar ndryshimin e madh, ndryshimin e historisë. "Nuk ka rast më të mirë se ky që na japin zgjedhjet e ardhshme për ta provuar këtë të vërtetë të madhe, duke mos e lënë bosh sot vendin që i takon secilit prej nesh në këtë betejë mes së ardhmes dhe së shkuarës. Ky është rasti juaj për të bërë histori miqtë e mi të rinj”, - deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›