Rama prezanton Nikollën: Saliu ta harrojë Tiranën
Kreu i PS akuzon PD e LSI se kanë bllokuar vendimet për kryeqytetin në Këshillin Bashkiak. Të heqin dorë nga premtimet dhe të japin llogari për gjendjen në të cilën ndodhen sot shqiptarët.
Partia Socialiste ka hapur dje në mënyrë zyrtare fushatën edhe në Tiranë, duke nisur nga Njësia Bashkiake nr 1. Në një takim të zhvilluar dje, në orët e pasdites, kreu socialist Edi Rama ka prezantuar Lindita Nikollën si kandidate e opozitës, për një mandat të dytë, në krye të Njësinë Bashkiake numër 1. Me moton “Lindita është Tirana që duam”, kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar nga banorët e kësaj njësie votën, duke theksuar se duke votuar për të Linditën, do të votonin për veten e tyre.
Fjala
Në një takim elektoral, ku ka marrë pjesë edhe vet kryesocialisti Edi Rama, PS ka prezantuar anëtaren e kryesisë së saj Lindita Nikollin, e cila konkurron për një mandat të dytë si kryetare e njësisë numër 1. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryesocialisti Edi Rama ka folur me superlativa për Nikollën, duke theksuar se ajo është njeriu që mendon për problemet e qytetarëve të kësaj zone. Për këtë, ai ka sjellë në vëmendje raste të shumta, ku banorët e kësaj zone i janë drejtuar Nikollës edhe për probleme që lidhen me institucionet e pushtetit qendror dhe jo atij vendor. “Më 8 maj votoni për veten, duke votuar Linditën. Lindita është Tirana që duam. E mençur, e vendosur dhe e papërtuar. Padyshim një prej atyre që ka zënë një vend të posaçëm në zemrën time, është Lindita. Falë virtyteve e punës së saj të palodhur”, - u shpreh Rama. Më tej, ai ka theksuar se falë vullnetit dhe punës së Lindita Nikollit, Bashkia e Tiranës ka mundur të përcjellë në këtë njësi vizionin e saj zhvillues për gjithë kryeqytetin, pa dallime partiake. “Përditë, ka zënë këtu vend për mrekulli vizioni ynë, që njësia vendore s’duhet të jetë e majtë apo e djathtë, po duhet të jetë e banorëve të majtë e të djathtë pa dallim, qytetarë të barabartë e njësoj të respektuar në të drejtat e tyre”, - u shpreh më tej Rama, ndërsa ka kujtuar ndryshimin rrënjësor që, sipas tij, ka pësuar Tirana gjatë këtyre 10 viteve që drejtohet prej tij. Tirana, është shprehur Rama, do të ketë mundësi, pas këtyre zgjedhjeve, që të ketë dhe më shumë të mira të realizuara nga pushteti vendor, pasi sipas tij e majta në Këshillin Bashkiak do të ketë një shumicë të nevojshme për të marrë çdo vendim në shërbim të qytetarëve. “Ta harrojnë Tiranën, ajo do të rinisë të vrapojë drejt së ardhmes me të gjithë forcën e ambicies së qytetarëve të saj pa dallim, sapo të ketë Këshillin Bashkiak, ku Saliu s’do të ketë më fuqinë bllokuese që i dha Iliri, duke u bashkuar me të për bllokun e punëve të zeza”, - tha Rama, ndërsa ka kërkuar nga kundërshtari politik që të heq dorë nga premtimet dhe të japë llogari për gjendjen në të cilën ndodhen sot shqiptarët. “Në vend se të bëjnë premtime mashtruese, me idera të kopjuara keq nga programi ynë i zhvillimit, duhet t’i japin llogari qytetarëve të Tiranës për keqqeverisjen e tyre. Për faturat e papërballueshme. Për çmimet e papërmbajtshme. Duhet t’i japin llogari Tiranës për vrasjet, grabitjet, gënjeshtrat e patjetër edhe për baltën e pafundme të urrejtjes e shpifjeve që kanë hedhur mbi punën tonë të palodhur”, - u shpreh Rama.
Nikolli
Ndërkohë, vet kandidatja Lindita Nikolli është shprehur se ndjehet e privilegjuar se puna e saj në minibashkinë numër 1 është vlerësuar, duke u rikonfirmuar si kandidate për një mandat të dytë. “Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të marrësh konfirmimin që puna që ke bërë ka lënë gjurmë, por më lejoni në emrin tuaj dhe të çdo qytetari të njësisë bashkiake, atij që ka bërë të mundur çdo gjë të mundur në qytetin e Tiranës, kryetarit të PS, mikut tonë Edi Rama. Kam hyrë në çdo zemër të qytetarit dhe nuk do shkulem nga aty, për ta ndryshuar njësinë tonë dhe për t’u bërë pjesë e ndryshimit”, - tha Nikolli. Ajo gjithashtu theksoi se gjatë viteve që ajo ka qenë në krye të kësaj njësie, slogani i saj ka qenë, “Me çfarë mund t’ju shërbejmë”.