Basha: Mbledhja dhe shpenzimi i taksave do jenë transparente
Asfaltimi i rrugëve, gjelbërimi, pastrimi, strehimi, ambientet shlodhëse për të moshuarit, kënde lojërash për fëmijët, biblioteka dhe mundësi për të penetruar falas në internet, kanë qenë disa nga kërkesat që banorët e njësisë bashkiake numër 3 në kryeqytet i kanë bërë kandidatit të mazhorancës për kryetar bashkie, Lulzim Basha. Kërkesa të cilat janë mbështetur nga Basha, i cili ka garantuar banorët se realizimi i tyre do të jetë prioritet i punës së tij në krye të Bashkisë së Tiranës, në rast se ai do të votohet më 8 maj. Basha i siguroi banorët se në rast se do votohej për të qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, prioritet do të jetë transparenca e vendimmarrjes. “E para për mua është transparenca, do të tregojmë sa taksa mbledhim dhe si i shpenzojmë. E dyta, taksat nuk do i shpenzojmë për rroga, paratë do t’i rikthehen qytetarit nëpërmjet shërbimeve”, - tha kandidati i mazhorancës për kryetar i Bashkisë së Tiranës. Basha është njohur gjithashtu me problemet e shumta që shqetësojnë banorët e kësaj njësie, ku ashtu si dhe në lagje të tjera të Tiranës, infrastruktura mbetet problemi më kryesor. “Ne kemi problemet e rrugës, kemi vënë prita që të mos na hyjë uji nëpër shtëpia. I heqim çorapet edhe dalim zbathur, kur i çojmë kalamajt në shkollë, se uji është mbi rrugë. Na mbytën hekurat, na mbytën plehrat, na mbytën pislliqet. Kam lënë fshatin atje ku jetoja, që është 300 banorë, atje i ka vajtur fshatit derë më derë asfalti, këtu siç e shikoni nuk është vënë dorë” - iu ankua Bashës një banor. Nga ana tij, Basha duke bashkëbiseduar me banorët e kësaj zone ka theksuar se problemet e qytetarëve do të jenë dhe probleme të tijat. “Të gjitha këtu janë problemet parësore për komunitetin dhe janë problemet e mija, jo vetëm tuajat. Ju jap fjalën që në çdo lagje të Tiranës, ne do ndërtojmë hapësira të gjelbërta për fëmijët”, - i garantoi Basha banorët.