E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama prezanton ekipin garues në zgjedhje, 35 kandidatë, të rinj nga platforma “Deputeti që duam” dhe “Akademia Politike”

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama ka zhvilluar sot një podcast maratonë me episodin ekskluziv, “Parti e re për Shqipërinë në BE”, ku ka prezantuar ekipin garues të PS në zgjedhjet e 11 majit.

Në nisje të podcastit “Flasim”, Rama kishte të ftuar ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila është kandidate në listën e mbyllur të qarkut Elbasanit dhe zv.ministren e Brendshme, Romina Kuko, kandidatja për deputete në listën e mbyllur të Partisë Socialiste për Korçën.

“Me pasaportën e BE, çdo ambasadë e BE i vjen në ndihmë kudo ku ndodhet një shqiptar apo shqiptare që zotëron pasaportën e BE nëse nuk ka aty pranë një ambasadë shqiptare. Ky është horizonti ynë i mandatit të katërt i konkretizuar, sot ju ftoj në një maratonë ekskluziv i këtij podcasti me ata dhe ato që i janë bashkuar skuadrës sonë kombëtare për fitoren e 11 majit dhe që janë pjesë e përpjekjes së re së PS për të qenë një parti e re për Shqipërinë në BE. PS 2030, për Shqipërinë në BE”, tha Rama në prezantimin e këtij podcasti.

Muzhaqi dhe Kuko kanë folur për eksperiencën e tyre si dhe rrugëtimin dhe angazhimin në politikë.

Më tej, ministrja për Rininë dhe Fëmijët, njëkohësisht drejtuesja e platformës “Deputeti që duam”, deklaroi sot se 35 kandidatë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit vijnë nga kjo platformë si dhe nga “Akademia Politike”.

“35 nga kandidaturat vijnë nga platforma. Gjysma e tyre janë vajza dhe është ky një lajm i mirë“, u shpreh Muzhaqi në podkastin “Flasim”, të kryeministrit Edi Rama.

Sipas saj, të paktën 7 prej tyre do të jenë deputetë, pasi janë në listën e mbyllur.

“Ne kemi nevojë për të gjithë ata njerëz fantastikë që kemi brenda platformës”, tha Muzhaqi.

Nga ana e tij, kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama tha se platforma “Deputeti që duam” dhe Akademia Politike, janë dy burimet kryesore për prurjet e reja që masivisht hynë dhe plotësuan një pjesë të konsiderueshme të listave të PS-së dhe do të veshin fanelën e skuadrës kombëtare të PS, jo thjesht për të fituar zgjedhjet, por si një brumë për të përgatitur “Partinë Socialiste 2030” për ”Shqipërinë 2030”.

/a.gj/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›