E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-prokurorisë: Më hetoni dhe mua për 21 janarin

Denis Dedej / Flamur Vezaj

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i është drejtuar dje me një letër Prokurores së Përgjithshme duke i kërkuar që të dërgojë në bangën e të akuzuarve edhe dy personat që kanë përgjegjësinë kryesore për atë që ka ndodhur më 21 janar të votit të kaluar, kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Nga ana tjetër Rama shpreh shqetësimin përse është kërkuar heqja e imunitetit për deputetët Besnik Baraj, Tom Doshi e Taulant Balla dhe nuk është kërkuar edhe ai vetë, apo deputetët e tjerë të PS-së, që të dëshmojnë.

Lejomëni tJu drejtohem publikisht në këtë moment kaq përcaktues për fatin e demokracisë shqiptare, ku roli i organit të akuzës është vendimtar dhe hetimi i plotë e i paanshëm i tragjedisë së 21 janarit domosdoshmëri mirëfilli historike. Ju përgëzoj fillimisht edhe drejtpërsëdrejti për hapat e rëndësishëm që janë hedhur së fundmi në drejtim të zbardhjes së vrasjeve…,- thuhet në fillim të letrës së Ramës. Ai shpjegon se PS e ka pranuar pa asnjë ngurrim kërkesën për hetimin e tre deputetëve dhe se kur kjo kërkesë të votohet në parlament, opozita do të jetë pro saj. Madje Rama thotë se PS do të mbështesë heqjen e imunitetit të çdo deputeti të opozitës. Por në këtë pikë e shoh të udhës tJu bëj publikisht një pyetje dhe një shpjegim nga këndvështrimi im si kryetar i Partisë Socialiste e në këtë rast edhe organizator i demonstratës së 21 janarit. Pse zonja Prokurore e Përgjithshme nuk jam thirrur ende unë vetë, pikërisht në cilësinë e Kryetarit të Partisë Socialiste e të opozitës dhe për rrjedhojë edhe të koordinatorit të të gjitha përgatitjeve të asaj demonstrate, për organizmin e së cilës të tre deputetët e kërkuar prej Jush nuk kanë bërë as më shumë e as më pak se të gjithë kolegët e tyre e, padyshim, asgjë më shumë se sa unë personalisht? Jam i bindur se dëshmia ime do të vlente për hetimin Tuaj jo më pak se dëshmitë e tyre. Prandaj pres me padurim që të thirrem për të kontribuar me gjithçka di për këtë hetim kaq të rëndësishëm për drejtësinë në Shqipëri, e për vetë Shqipërinë në rrugën e mundimshme të ndërtimit të shtetit të së drejtës,- thotë Edi Rama në letrën e tij. Ai sqaron se nuk ka imunitet dhe nuk ka asnjë dallim nga deputetët e tjerë pasi si ata ka qenë pjesë e organizimit të demonstratës së 21 janarit.

Duke u ndalur në këtë pikë, Rama kërkon publikisht përse nuk është marrë nën hetim edhe kryeministri Berisha apo ish-ministri Basha. Cila është pse-ja e mospërfshirjes në hetim të kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha, si dy hallkat më të larta të zinxhirit të komandës së Gardës së Republikës e si përgjegjës të drejtpërdrejtë për funksionimin e asaj garde që në 21 janar vrau njerëz të pafajshëm? E pamundur të kuptohet nga ana jonë, por me sa kam vënë re edhe nga ana e opinionit të shqetësuar publik, mbetja e hetimit në nivelin politik tek vetëm tre deputetët opozitarë. Me gjithë gatishmërinë e tyre të plotë ata smund ta përmbushin dot assesi nevojën e një hetimi shterues të të gjithë nivelit politik, që as mund të ndahet nga hetimi e as mund të hetohet pjesërisht,- thotë Rama. Por nga ana tjetër ai thotë se do ti kërkojë ndjesë kryeprokurores nëse kjo kërkesë e prokurorisë për imunitetin e vetëm tre deputetëve opozitarë, nuk është fundi po vetëm fillimi i hetimit mbi rolin e palëve e të aktorëve politikë për gjithë sa ndodhi në 21 janar në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Edi Rama: Shqipëria meriton të dijë të vërtetën

Ju me siguri jeni në dijeni të dëshmisë rrëqethëse, publike, të vëllait të njërit prej të vrarëve, të ndjerit Hekuran Deda, i cili ka denoncuar publikisht kryeministrin Sali Berisha për një ofertë tronditëse në adresë të familjes Deda. Besoj se edhe kjo dëshmi e bën të domosdoshme marrjen në pyetje të Sali Berishës, bashkë me dorëzanin e tij që ka premtuar tek familja Deda në emër të Sali Berishës jo vetëm para, por dhe fotografinë e vrasësit të Hekuranit në këmbim të favorit të mikpritjes në shtëpi të kryetarit të qeverisë.

Shqipëria meriton të dijë të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Të njëjtën gjë meritojnë padyshim edhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Sepse, në opinionin tim modest, e vërteta e plotë e 21 janarit nuk është thjesht e vërteta e një ngjarjeje tragjike, por një gur themeli në procesin e demokratizimit të vendit tonë e të garantimit të barazisë para ligjit për vitet e ndoshta dekadat që vijnë.

Gjykata lë në burg Ndrea Prendin, shoferin dhe teknikun e KM

Inxhinieri i kryeministrisë Armando Kasa, ka ndryshuar dje dëshminë duke thënë se nuk ishte ai që kishte kopjuar dhe fshirë pamjet filmike të regjistruara nga 11 kamerat e sigurisë që ndodhen të vendosura për rreth ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Gjatë seancës së verifikimit të masës së sigurisë, Kasa tha se ai nuk kishte qenë në punë në orën kur prokuroria pretendon se janë fshirë pamjet. Unë kam kopjuar vetëm materialet e regjistruara nga kamera lëvizëse që ishte mbi ndërtesën e Këshillit të Ministrave dhe nuk kam bërë ndonjë veprim tjetër. Nuk e di çfarë është bërë me filmimet e regjistruara nga kamerat e tjera. Unë kam dalë nga ndërtesa e kryeministrisë në ora 22:30 minuta, para orës 23:00. Orë kjo kur prokuroria pretendon se kanë filluar fshirjet,- tha Kasa. Po këtë version, ndoqi edhe avokati i tij mbrojtës, i cili paraprakisht kërkoi nga gjyqtari ti vihej në dispozicion raporti përfundimtar i ekspertëve të Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së) për serverin. Prokuroria e provon që janë kopjuar dhe fshirë serveri, por nuk e provon që këtë veprim e ka bërë klienti im. Kështu që kërkoj lirimin e menjëhershëm të tij, pasi nuk jemi dakord me masën e sigurisë të caktuar në mungesë,- tha avokati. Por, këto pretendimi i hodhi poshtë prokurori i çështjes Ndini Tavani, i cili u shpreh se ekzistojnë prova të tjera materiale që provojnë se i dyshuari Kasa është larguar nga ndërtesa e kryeministrisë pas mesnatës dhe ka qenë i vetmi person që ka qenë në ndërtesë pas orës 23:00 të natës. Gjyqtari, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi të lërë në fuqi masën e caktuar nga vetë ai pak ditë më parë, atë të arrestit shtëpiak.

Më pas, para gjyqtari Mustafa doli shoferi i ish-komandantit të Gardës, Margarit Kume. Ky i fundit nuk preferoi të flasë për akuzat dhe as për masën e sigurisë të caktuar në mungesë, duke pranuar kështu vetëm pyetjet e gjyqtarit për gjeneralitetet. Edhe avokati Erenik Gjoni tha se nuk kishte ndonjë pretendim konkret dhe se më shumë do të fliste përpara Gjykatës së Apelit. Prokurori Genc Qana në fjalën e tij, u shpreh se edhe pse Gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie, organi i akuzës nuk është dakord dhe do ta apelojë çështjen. Gjyqtari, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë tre ditë më parë nga vetë ai.

Po të njëjtin qëndrim si shoferi i tij, mbajti edhe vetë komandanti i Gardës së Republikës i dyshuari Ndrea Prendi para gjyqtarit Mustafa, duke pranuar të flas vetëm për gjeneralitetet personale dhe asnjë fjalë për akuzat. Edhe avokati i tij mbrojtës Genc Gjokutaj, në fjalën e tij nuk ngriti ndonjë pretendim në sallën e gjyqit, për akuzat apo vendimin, duke u shprehur se pretendimet do ti paraqes në Gjykatën e Apelit. Edhe për Prendin, prokurori kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, kërkesë që nuk u pranua përsëri nga Gjykata, që vendosi të lërë në fuqi vendimin e tre ditëve më parë të dhënë në mungesë me arrest shtëpiak.

Baraj në prokurori: Rama më tha të tërhiqja protestuesit

Ish-kryetari i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj, për të cilin Pr

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›