E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do hetohen familjet e viktimave të 21 janarit

Berisha nuk do ti njoh rezultatet e hetimit të Prokurorisë për 21 janarin. Hetimin nuk mund ta bëjnë ata, të cilët do të hetohen. Jo. thotë ai në këtë intervistë të mbrëmshme televizive. Nga Ina Rama?! Çfarë hetimi! Nga Ina Rama ka vetëm prishje të provave intensive shitje të dokumenteve dhe pengesa nga më serioze të hetimit gjatë një viti, – shton më pas dhe pastaj deklaron për herë të parë një avancë të jashtëzakonshme ën paralajmërimet e tij publike të këtyre ditëve. Thotë që familjet e viktimave të 21 janarit do hetohen gjithashtu: Absolutisht, familjeve të viktimave do tu garantoj se në përputhje me të gjitha kapacitetet e shtetit ligjor, gjithçka do të hetohet rreth vrasjes së njerëzve të tyre. Është familja e viktimave të Ziverit në mos gaboj, vëllai i tij tha se erdha nga Greqia se do të rrëzojmë Sali Berishën, e kanë të gjitha mediat këtë. Kjo kërkon një hetim. Por këtë hetim nuk mund ta bëjnë ata, të cilët ishin pjesë e këtij puci për të rrëzuar Sali Berishën. Më poshtë, pjesë nga intervista e mbrëmshme:

Moderatori Peka: Në krah të ambasadorit amerikan, kryeprokurorja pas një viti nga ngjarja e 21 janarit është detyruar, në një farë forme edhe ka pranuar me portretin e saj se po bën një kërkesë të sforcuar për heqjen e imuniteteve të tre deputetëve të PS-së për protestën e dhunshme të 21 janarit. Është komentuar kjo dalje e kryeprokurores nga opozita dhe është lenë të kuptohet se një gjë e tillë është bërë nën presionin e kryeministrit ndaj ambasadorit amerikan. Z. Kryeministër, a është e vërtet që i keni kërkuar ambasadorit Amerikan në takimin që keni pasur para disa ditësh imunitetin e deputeteve të PS?

Berisha: Më 21 janar, unë kryeministri i vendit u gjeta i rrethuar për 5 orë rresht, ndërsa kryeja detyrën time. Ndërtesa u sulmua me hunj, me gurë, me shishe molotov. Një protestë, e cila u parapri nga montimi i një video ku implikohej kryeministri i vendit, pra duhej një pretekst për të sjellë njerëzit tek kryeministria, një protestë, në të cilën kryeministrit të vendit iu dhanë një seri ultimatumesh në parlament dhe jashtë tij nga kryetari i opozitës, se do të kalosh mbi kufomat, se do ta kesh në prag të derës nga zëvendëskryetari i tij dhe me radhë. Një protestë, e cila, në bazë të dhjetëra, për të mos thënë më shumë, informacioneve, njerëzit e sjellë u paguan me euro, sepse do të rrëzojmë Sali Berishën. U mblodhën nga jashtë dhe brenda, me qëllimin do të rrëzojmë Sali Berishën. Kjo është e vërteta, të cilën janë të paktë shqiptarët që nuk e dinë. Skenari i kësaj proteste ishte shumë i studiuar, i bashkërenduar me kryetarin e shtetit. Shqiptarët duhet të dinë një gjë, që Edi Rama pavarësisht nga i gjithë kompartimenti i tij psikologjik, kurrë, nuk do të guxonte të ndërmerrte atë që mori pa mbështetjen e plotë të Bamir Topit, të Ina Ramës dhe lesefer të shefit të shërbimeve dhe të ndonjë tjetri. Pra, në këtë rast atë që ata nuk kalkuluan dhe e llogaritën gabim, se unë e kisha ditë pune dhe se nga zyra nuk do të largohesha. Ata menduan shumë variante, por për fat të keq hesapet i bënë me veten e tyre dhe pikërisht se i bënë hesapet me veten e tyre ato nuk iu dolën.

Peka: Pas ekspertizës së FBI i konsideroni heronj? (gardistët-shën red.)

Kryeministri: Ajo ishte një mbrojtje heroike e institucioneve… Në pati tejkalime të ligjeve? Jam unë i pari që thirra institucionet të hetojnë, nëse pati apo jo tejkalim ligji. Por një gjë është e sigurt. Institucionet e një vendi të lirë kurrë nuk pushtohen. Institucionet e një vendi të lirë janë pushtimi i kushtetutës, nëse i pushton ato, ato janë të garantuara me ligjet kushtetuese të vendit. Ata mbrojtën në një rrebesh të pafund gurësh, shishe molotov, kallëp dinamiti që u hodhën drejt tyre dhe e vërteta është se mbrojtën integritetin e ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Të qëndrosh në ato kushte, siç qëndruan ata, është akt heroik, të bësh gabime ato faje ose përgjegjësi, ato nxirren të gjitha mbi bazë ligjore, por të nesërmen, siç njoftoi zoti Rama, zonja Ina Rama në orën 5 të mëngjesit, kërkoi arrestimin e të gjithë zinxhirit të komandës. Këtu kishte dhe një person që duhej të arrestohej pa tjetër. Kush ishte ky person? Oficeri përgjegjës për evakuimin e kryeministrit nga kryeministria, i cili nuk kishte qenë në fushë-betejë, i cili ka një detyrë, ka rrugën e vet për të nxjerrë kryeministrin jashtë rrezikut. Ndërkohë që, natyrisht, ai ishte projekti i tyre, se i imi ishte tjetër, ata janë të detyruar të bëjnë projekte, siç bëjnë për Presidentin e Republikës, për Kryetaren e Parlamentit, për Kryeministrin, siç bëjnë në të gjithë botën.

Peka: Përgjegjësi që ka për detyrë të evakuojë kryeministrin?

Kryeministri: U lëshua urdhër arresti… I cili nuk kishte qenë me 21 janar këtu… Ka qenë në zyrën e tij, maksimumi që mund të ketë qenë, ka qenë në linjën nga ata kishin planin e tyre për të evakuuar kryeministrin dhe ai u fut në zinxhirin e atyre që duhej arrestuar pa asnjë provë. Kjo zonjë bisedon më Ministrin e Brendshëm dhe i thotë ky si ka mundësi kjo, se me kë do të mbrojmë nesër institucionet…

Kjo i thotë gjëra pa kuptim, jo po të vijnë se unë nuk i arrestoj dhe po të vijnë do ti mbaj, me një fjalë del qartë skenari, vjen dhe më thotë ministri, i them se ky është një skenar, kjo është faza B, sepse dështuan dje, mendoj se do të fitojnë sot, sot do të humbasin më keq. Thotë se sot po shkoj tek presidenti, i them jo mos shko fare tek presidenti, sepse presidenti nuk është autor i arrestimit të tyre…

Një prokuror pa qenë i çmendur nuk lëshon dot një urdhër të tillë po nuk qe pjesë e këtij skenari dhe pjesë e këtij skenari prokurori nuk mund të jetë kurrë pa presidentin, shumë e thjeshtë kjo. Presidenti në një akt të tillë kur e shikon kur po shkelen normat, akti i parë e shkarkon, mbledh parlamentin, ka mekanizmat e veta.

Shkon ministri i Brendshëm dhe çfarë i thotë, Shkëlqesia e tij Presidenti i Republikës, kujdes ato letrat e tua. Të miat, i thotë ministri, mos ki merak për letrat e mia. Vjen dhe më thotë mua se kishe pasur të drejtë. Takoj përfaqësuesit e trupit diplomatik, u them se kjo është e gjithë situata. Ky është një organizim i këtij zotërisë dhe i them, nuk kam marrë asnjë informacion nga Shërbimi Informativ Shtetëror, në një kohë kur shërbimet e huaja më kishin njoftuar dhe unë dija gjithçka. Këta zotërinj shkojnë dhe takojnë zotin Topi dhe, zoti Topi ju kërkon se kriza zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme, kjo është e vërteta dhe u nxjerr pikërisht ato teza që kishte organizuar dhe që ju dështuan. Zoti Rama do të vinte të mbante fjalim tek zyra ime, dhe natyrisht qeveria bëhej e pa qenë, dhe pastaj unë po të kisha shpëtuar prej tyre do të thirresha të bëja një marrëveshje mbi dhunën dhe forcën, ose dikush tjetër do të përfaqësonte PD-në, ishte një skenar shumë i studiuar.

Peka: Për të qenë pak i qartë. Z. Topi i ka thënë faktorit ndërkombëtar se kjo situatë zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme?

Kryeministri: Absolutisht po, dhe faktori ndërkombëtar ka dalë nga zyra duke thanë se ai zotëria ka të drejtë. Njëri prej tyre të paktën.

Peka: Ai njëri prej tyre, a është ai që shqiptarët mendojnë se është aleati kryesor?

Kryeministri: Shiko, kurrë nuk me ke dëgjuar mua që unë të dekonspiroj, sështë në natyrën time, nuk bëj publike gjëra që nuk duhen bërë.

(…)

Peka: Duke parë gjithashtu edhe sjelljen tuaj politike të jepet përshtypja se nuk jeni i shqetësuar për hetimin. Po tregoni kujdes të madh

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›