Rama reagon ndaj akuzave të kryeministrit për mjedisin
Pas deklarimeve të kryeministrit Sali Berisha lidhur me mjedisin në kryeqytet, kryebashkiaku Edi Rama ka reaguar duke i hedhur poshtë akuzat dhe i ka kërkuar kryeministrit që të punojë për këtë pjesë, duke bashkëpunuar me vendorët. Ai i ka kërkuar qeverisë të angazhohet me fakte dhe jo me batuta në shfaqjet televizive, për të përmbushur detyrimet e saj për mbrojtjen e mjedisit. Rama ka kërkuar që kryeministri ta kthejë në masa konkrete ligjore dhe administrative dosjen e propozimeve konkrete që i është vënë prej kohësh në dispozicion.
Sipas Ramës, Berisha ka penguar përmirësimin cilësor të qeverisjes vendore. “I bëj thirrje kryeministrit të mos i zvarrisë më tutje shqiptaret e shqiptarët me gënjeshtra të reja për të mbuluar të vjetrat, por ta shfrytëzojë kohën që i ka mbetur në krye të qeverisë së paku për të penguar degradimin e mëtejshëm të ekonomisë e të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”, - sqaroi Rama.
14 Mars 2008