E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, rehabilitohen Poliklinikat Nr.2 dhe Nr.3

Nis rehabilitimi i dy poliklinikave ndër më të mëdhatë në kryeqytet. Poliklinikat Nr. 2 dhe Nr. 3 janë në kushte të këqija të ambientit dhe teknologjisë. Por falë një financimi prej 5 milionë eurosh nga qeveria italiane, kushtet në këto poliklinika pritet të përmirësohen. Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka dhe ambasadori italian në Tiranë, Saba d’Elia, përuruan dje fillimin e punimeve për rehabilitimin e poliklinikave në kryeqytet.
Rehabilitimi i plotë i këtyre strukturave financohet përmes një kredie me vlerë 780 mijë euro nga Kooperacioni Italian. Kjo iniciativë do të merret edhe për tri poliklinika, në Korçë, Gjirokastër dhe Peshkopi, rikonstruksioni i të cilave do të kushtojë 5 190 000 euro. Krahas rinovimit fizik të ambienteve që do të rikonstruktohen, janë parashikuar dhe 1.364.000 euro për pajisjet mjekësore të dy poliklinikave, të cilat, bashkë me pajisjet mjekësore bashkëkohore, të sjella në kuadër të INTERREG III, synojnë që këto poliklinika të kthehen në institucione për asimilimin dhe zbatimin e të rejave shkencore. “Si kundërvënie ndaj kësaj sfide, përveç përmirësimit të teknologjisë dhe forcimit të kapaciteteve të burimeve njerëzore, vijnë dhe këto inaugurime të njëpasnjëshme, si ky i sotmi, provë kjo që tregon se programi i Ministrisë së Shëndetësisë ka si qëllim prioritar përmirësimin rrënjësor të shërbimeve dhe përafrimin e tyre me standardet europiane”, - deklaroi Ndoka.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›