Ultimatumi i Shqipërisë ndaj Rusisë: “Nikita Hrushov, tradhtar i ndërgjegjes”
“Zëri i popullit” publikon deklaratën kundër politikës së ndjekur nga Bashkimi Sovjetik. Refuzimi i ftesës së bërë nga Kremlini për të marrë pjesë në bisedimet dypalëshe
, të rishikojë me kurajë pozitat e saj dhe të kthehet përsëri në rrugën e marksizëm-leninizmit e të internacionalizmit proletar, të dënojë qëndrimet e veta shoviniste e veprimet armiqësore ndaj partive motra e vendeve socialiste vëllezër dhe të rivendosë marrëdhëniet e miqësisë e të solidaritetit proletar me to. Madje, edhe pas Kongresit të 22-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, kur Nikita Hrushovi u vërsul me sulmet publike më të ulta dhe me shpifjet më të përbindshme kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe udhëheqjes së saj, partia jonë i është drejtuar udhëheqjes së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që të rishikojë pozitën e saj dhe të rikthehet në rrugë të drejtë. “Partia e Punës e Shqipërisë, në fjalimin e mbajtur më 7 nëntor 1961 në mbledhjen solemne kushtuar 20-vjetorit të themelimit të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe 44-vjetorit të Revolucionit të madh socialist të Tetorit, me ndërgjegje të qetë e të pastër i bën thirrje Komitetit Qendror të ri që zgjodhi Kongresi i 22-të që, me drejtësi leniniste, me objektivitet e gjakftohtësi, jo në mënyrë të njëanshme, të gjykojë mbi gjendjen e krijuar në marrëdhëniet midis dy partive e dy vendeve tona. Partia jonë ka qenë kurdoherë e gatshme, për hir të unitetit të lëvizjes komuniste e të kampit socialist, të interesave të vendeve tona, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese. Por ajo gjithnjë ka qenë dhe është e mendimit që këto çështje të zgjidhen drejt dhe vetëm në rrugë marksiste-leniniste, në kushtet e barazisë dhe jo të presioneve e të diktimit. Ne kemi shpresë e bindje në drejtësinë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”, - tha shoku Enver Hoxha. Edhe në prill të vitit 1963, partia jonë, në një artikull të botuar në organin e Komitetit Qendror “Zëri i popullit”, theksonte: “Në qoftë se Nikita Hrushovi është për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe forcimin e unitetit, këtë duhet ta tregojë me vepra, të ndërmarrë hapa reale e jo fiktive, të heqë të gjitha pengesat që ai ka krijuar në marrëdhëniet midis dy partive të dy vendeve tona. Ashtu siç guxoi të sulmojë në mënyrë shpifëse, të ndërhyjë në punët e brendshme dhe të kryejë veprime armiqësore kundër partisë e vendit tonë, ashtu ai duhet të marrë edhe guximin t’i dënojë botërisht këto qëndrime e veprime antimarksiste dhe të kthehet në respektimin rigoroz të normave internacionaliste të marrëdhënieve midis partive komuniste e punëtore e midis vendeve socialiste. Ne do të mirëpresim çdo hap të sinqertë në këtë drejtim”. Mirëpo, grupi i Nikita Hrushovit jo vetëm nuk ia vuri veshin zërit të arsyes dhe i përbuzi këshillat shoqërore të partisë sonë, e të partive të tjera motra, por vazhdoi me një këmbëngulje akoma më të madhe kursin e tij të tradhtisë, shtoi sulmet dhe veprimet armiqësore kundër partisë sonë, Partisë Komuniste Kineze dhe partive të tjera motra, kundër marksizëm-leninizmit, kundër unitetit të kampit socialist e të lëvizjes komuniste. Ngjarjet dhe faktet kanë provuar në mënyrë të pakundërshtueshme se Nikita Hrushovi është një tradhtar e armik i ndërgjegjshëm dhe i vendosur të ecë deri në fund në rrugën e tij kundërrevolucionare. Vendimi i fundit për të thirrur arbitrarisht dhe në mënyrë të paligjshme një mbledhje të veçantë të partive që ecin pas gjurmëve të tij, është një komplot i ri i madh që flet qartë se grupi i Nikita Hrushovit është përçarësi më i madh që ka njohur historia e lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Në këtë komplot të ri antikomunist, që do të sanksionojë përçarjen e plotë e të hapur të kampit socialist e të lëvizjes komuniste, Nikita Hrushovi përpiqet të tërheqë sa më shumë parti. Lidhur me këtë, ai u ka dërguar të gjitha partive, ndërmjet tyre edhe partisë sonë, një letër me anë të së cilës njofton se ai ka vendosur të thërrasë më 15 dhjetor të këtij viti mbledhjen e komisionit të redaktimit dhe nga mesi i vitit të ardhshëm mbledhjen ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore. Në letër partia jonë ftohet të dërgojë në Moskë delegacionin e saj për të marrë pjesë në punimet e komisionit të redaktimit dhe të njoftojë sa më parë përbërjen e delegacionit. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, duke marrë parasysh se grupi i Nikita Hrushovit ka tradhtuar përfundimisht, në mënyrë të pandreqshme, çështjen e marksizëm-leninizmit e të socializmit dhe se të gjitha përpjekjet e shpresat për ta sjellë atë në rrugë të drejtë kanë dështuar plotësisht, ka vendosur të mos i përgjigjet letrës së tij të 30 korrikut 1964. Me grupin renegat të Nikita Hrushovit, Partia e Punës e Shqipërisë nuk ka të bëjë më. Me këtë rast dhe në këto kushte, Partia e Punës e Shqipërisë vendosi t’ju drejtohet me këtë letër të hapur juve, anëtarëve të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, pionerëve të kauzës së madhe të komunizmit, për të cilët ne kemi patur dhe kemi një respekt e dashuri të thellë. Në këtë letër, ne duam t’ju themi juve, me emër të hapur e me sinqeritet vëllazëror, atë të vërtetë që Nikita Hrushovi jua ka fshehur për vite me radhë. Ai ju ka mashtruar dhe po ju mashtron. Ai ju ka mohuar juve çdo të drejtë të njiheni me materialet e partive të tjera marksiste-leniniste. Partia e Punës e Shqipërisë ju drejtohet juve, sepse ajo mendon se në këtë situatë përgjegjësia dhe roli juaj janë historike. Ju përket juve të thoni fjalën tuaj. Ne te ju kemi besim. Në Bashkimin Sovjetik askush tjetër përveç jush nuk mundet të ndalojë kursin revizionist të Nikita Hrushovit. Ju jeni forca e vetme që mund ta shpëtoni Bashkimin Sovjetik, atdheun e Tetorit të madh, dhe Partinë e lavdishme të bolshevikëve nga qorrsokaku ku e ka futur Nikita Hrushovi, të mbroni marksizëm-leninizmin, nderin dhe dinjitetin e Bashkimit Sovjetik, të ngrini lart flamurin revolucionar të partisë suaj, të cilin Nikita Hrushovi e ka njollosur me turp. Grupi i Nikita Hrushovit po bën një zhurmë të madhe rreth së ashtuquajturës mbledhje ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore. Ai po mundohet t’ju mbushë mendjen juve dhe të gjithë komunistëve të botës se kjo qenka një mbledhje e domosdoshme, se ajo gjoja do t’i shërbeka zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe forcimit të unitetit të kampit socialist e të lëvizjes komuniste. Ky është një mashtrim i madh, një bllof, një manovër e rrezikshme. Në të vërtetë, kjo mbledhje, si nga rrethanat në të cilat po thirret e nga mënyra se si po përgatitet ashtu edhe platforma politike e saj, nuk i shërben aspak çështjes së unitetit marksist-leninist. Ajo ka për qëllim të minojë unitetin, të përçajë përfundimisht lëvizjen komuniste, të forcojë luftën kundër marksizëm-leninizmit, duke i bërë kështu shërbimin më të madh borgjezisë imperialiste. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë deklaron se Partia e Punës së Shqipërisë shprehet me vendosmëri kundër mbledhjes përçarëse të revizionistëve modernë dhe e dënon kategorikisht këtë komplot të ri të klikës hrushoviane.
Në numrin e së shtunës do të lexoni:
Pse nuk mori pjesë Partia Komuniste e Shqipërisë në mbledhjen që organizoi Partia Komuniste e BS-së?
Ku ndaheshin programet e dy partive dhe pse sulmoheshin hapur revizionistët?
Marrëdhëniet e ngushta me Kinën, sa ndikuan në refuzimin e ftesës që iu bë Partisë Komuniste Shqiptare nga BS?
Për më shumë na ndiqni në numrin e ardhshëm
Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 6 tetor 1964
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
14 Mars 2008