E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama rrihet në Vjenë me diplomatin, e godet në kokë

(E plotësuar) Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka reaguar lidhur me një incident që ka përfshirë kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama me diplomatin shqiptar në Vjenë, Egin Ceka.

Zv.ministrja Edit Harxhi u shpreh për mediat, se MPJ është informuar nga ambasadori shqiptar në Vjenë se gjatë një takimi në Akademinë Diplomatike të Vjenës ku ka qenë i pranishëm edhe Edi Rama, është shënuar një incident.

“Gjatë bisedës ku ishin të pranishëm diplomatë të shumtë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova e Maqedonia është fyer imazhi i Republikës së Shqipërisë, ku njëri nga diplomatët shqiptarë në Vjenë Egin Ceka, në përfundim të takimit është afruar pranë kryetarit të PS Edi Rama, lidhur me një pikë që zoti Rama e ka përmendur disa herë, për votën e emigrantëve nëpër ambasada. Edi Rama ka thënë se kjo votë nuk është e mundur për shkak të politizimit të shërbimit diplomatik. Nga ana e tij zoti Ceka i ka shkuar pranë dhe i ka thënë se nuk është e vërtetë që diplomacia shqiptare dhe ambasadat janë të politizuara”, u shpreh Harxhi raporton noa.

Në vijim zv.ministria theksoi se nga ana e kryesocialistit ka pasur fillimisht dhunë verbale dhe më pas fizike, e cila ka degraduar në një konflikt të hapur mes tyre, duke i kërkuar zotit Ceka që të dalë nga salla.

Harxhi tha se fyerjet e përdorura nga kryetari i opozitës janë të padenja për një kryetar partie dhe mbi të gjitha ndaj një diplomati, duke dënuar këtë veprim si një akt të paprecedentë.

...................................

Kryetari i PS, Rama është përfshirë dje në një përleshje publike me një nga diplomatët, pjesë e Akademisë Diplomatike të Vjenës, ndërsa të pranishëm kanë qenë mbi 100 diplomatë.

Rama ka qenë i ftuar në këtë takim për të mbajtur një fjalim nga Fatmir Velaj. Fjala e tij ka qenë e zymtë për zhvillimet dhe realitetin në Shqipëri. Pasi ka ofenduar rivalët e tij politikë, ai është kthyer të ofendojë edhe diplomatët shqiptarë. Sipas tij shqiptarët jashtë vendit nuk mund të votojnë nëpër ambasada sepse ambasadat tona sipas tij vjedhin votat. Ky qëndrim i Ramës ka ardhur pas kërkesave të përsëritura të Kryeministrit Berisha, i cili i ka kërkuar PS që të votojë në Kuvend nismën për të lejuar votën e emigrantëve, transmeton portali “ Ex-press.al”

Në përfundim të takimit, Egin Ceka, një diplomat shqiptar në misionin tonë në OSBE i ka kërkuar Ramës sqarime në lidhje me këto qëndrime fyese të tij. Rama nuk ka preferuar që të japë përgjigje për kërkesën e bërë nga diplomati Ceka, por e ka kapur prej veshi dhe si të mos mjaftonte kjo, e ka goditur më pas në kokë. Kjo ka sjellë një tensionim dhe sherr të hapur mes Ramës dhe diplomatit Ceka, i cili është pasuar me sharje dhe fyerje mes të dyve. Prezent në këtë sherr skandaloz të kryetarit të PS kanë qenë të gjithë të pranishimit e Akademisë Diplomatike të Vjenës. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të ndërhyjnë për të ndarë kacafytjen e Kryetarit të PS me diplomatin. Kjo ka shkaktuar mjaft tension, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe diplomatë të huaj, të cilët janë skandalizuar nga sjellja e pretendentit për Kryeministër të vendit.

Gjatë gjithë takimit me Akademinë Diplomatike të Vjenës, Rama ka qenë mjaft i acaruar. Ai ka pasur një debat edhe me një student nga Vlora. Ai e ka pyetur Ramën se: “për çfarë arsye duhet të të zgjedhim ty në 23 qershor dhe jo Berishën”. Përgjigja e Ramës ka qenë jashtë kontekstit të pyetjes dhe kjo ka bërë që studenti të përsërisë pyetjen e bërë në drejtim të Ramës duke i thënë se: “nuk i’u përgjigje pyetjes, çfarë ke ti më shumë se Berisha”. Në këtë moment Rama, i cili në takime të tilla nuk lejon të pranishmit që të bëjnë pyetje, është revoltuar dhe i ka kërkuar moderatorit të takimit që t’i marrë mikrofonin dhe të mos e lejojë që të flasë më.

Situata e Ramës është tensionuar së tepërmi gjatë ditëve të fundit, veçanërisht pas daljes bllof të lojës së tij me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai ka humbur ekuilibrin dhe i është rikthyer konflikteve verbale dhe sherreve banale si ai i djeshmi në Vjenë. Edhe në takimin e zhvilluar dje, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Zannieri i ka kërkuar Ramës që të plotësojë vendet në KQZ, gjë të cilën Rama deri tani ka refuzuar që ta bëjë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›