E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, sa herë dështon, sulmon integrimin

18-11-2011 / Gazeta 55

Pasi dështoi me Këshillin e Qarkut të Fierit, Edi Rama iu kthye teorisë së pengmarrjes së procesit të integrimit, duke shantazhuar me prishjen e konsensusit. Sjellja antishqiptare përsërit bllokimin e ligjeve me 3/5-at, që u verifikua pas 8 majit, por edhe pas 29 qershorit të 2009-s. Pengmarrësi në krye të PS-së konfirmon mënyrën antievropiane të të konceptuarit të integrimit, si plaçkë tregu e si tra dogane e bojkoti, të cilin mund ta ngrejë e ta ulë sa herë ai regjistron një dështim politik

Dështimet e Edi Ramës nuk kanë të sosur. Duke pasuar njëra-tjetrën, këto dështime konfirmojnë se falë Edi Ramës PS-ja është një forcë politike e konfirmuar në opozitë.
Kjo nuk i pëlqen kreut të PS-së.
I pamësuar me mospranimin e humbjeve, ai pas çdo humbje ka gati justifikimin, që e shndërron në kusht. Por, për aq sa ka në dorë, si në opozitë që është, kushtet e Edi Ramës nuk ka se si të mos  vërtiten e nga të vërtiten dhe “të ngecin” te integrimi.
Aq e shpeshtë është kjo sjellje justifikuese-tekanjoze e Edi Ramës, sa perceptimi ka arritur deri në atë farë mase, sa që duket sikur fajin kreut të PS-së ia ka integrimi… Ndaj edhe bën ç’bën dhe kërcënon me mosvotim të paketës së reformave integruese që kërkojnë 3/5-tat edhe kur humbet vetë bashkinë e Tiranës…, por edhe kur Gramoz Ruçi, humbet kreun e Qarkut të Fierit.
Në këto kushte, i gjendur në spiralen e humbjeve që pasojnë njëra-tjetrën, Edi Rama “duke mos i hequr asnjë presje, deklarimeve të Gramoz Ruçit”, por edhe me sa duket duke mos kuptuar që ai (Gramoz Ruçi) “po e tërheq prej hundësh” (kështu “nuk i hoqi asnjë presje” edhe 10 kushteve më të hershme, të artikuluar, sikurse dje, fillimisht nga Gramoz Ruçi), Edi Rama këtë herë për të mbuluar edhe dështimin e Gramoz Ruçit me humbjen e Qarkut të Fierit, nxiton të marrë peng sërish integrimin, duke nxjerrë kushtin e (mos)votimit të ligjeve të paketës integruese që kërkojnë 3/5 e votave në Parlament.
“Asnjë hap s’do mund të bëhet më tutje për ligjet me 3/5-at nëse ligji do vazhdojë të shkelet në mënyrë flagrante për të grabitur ditën për diell mandatet tona për qarqet Fier e Gjirokastër”, paralajmëroi dje Edi Rama.
Paralajmërimi më i fundit i Edi Ramës, i pritshëm në vazhdën e serisë së preteksteve justifikuese-tekanjoze, që ai në mënyrë të përsëritur, ka përsëritur, jo që pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, por edhe ca më herët, që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 29 qershorit 2009, njëherazi është edhe një konfirmim, për konceptin dhe trajtimit që ai i bën procesit të rëndësishëm të integrimit.
Për Edi Ramën integrimi është një plaçkë tregu dhe i trajtuar prej tij si i tillë, ai i njeh vetes të drejtën, ta ulë e ta ngrejë këtë tra, si dhe kur të dojë, por gjithmonë në mënyrën më inatçore, sa herë që ai humbet ballafaqimet përballë votës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›