Debati qesharak mbi përdorimin e tragjedisë
Opozita shqiptare duket e kompleksuar nga fjalori shterpë i shumicës mbi përdorimin politik të tragjedisë së Gërdecit. Disa ditë para përvjetorit të tragjedisë së Gërdecit, kryeministri Berisha anatemoi përpjekjet e opozitës për mitingje më 15 mars dhe më pas kori i njerëzve pa tru që ai nxjerr para kamerave përsëriste këtë anatemim. Ky zhvillim është ndoshta më absurdi që mund të ndodhë në një vend ku kultura politike nuk kultivon debatin e hapur politik për çështje që tronditin shoqërinë. Nëse ka një gjë të dënueshme, ose së paku të kritikueshme tek opozita e sotme është mospërdorimi si duhet politikisht i tragjedisë së Gërdecit. Opozita, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të botës, nuk ka se si të përdorë ngjarjet veçse politikisht. Ajo as mund ta blejë dhe as mund ta shesë Gërdecin, siç bëri ministri Mediu, kryeministri Berisha apo djali i tij. Opozita nuk mund të ketë asnjë qasje rreth Gërdecit veçse asaj politike dhe nuk mund ta përdorë ndryshe këtë tragjedi, veçse politikisht. E qortueshme është se kjo opozitë e ka përdorur Gërdecin për përfitime politike, por pa debat politik. Pas 15 marsit të vitit të kaluar, ajo pa se kryeministri u rrënua dhe ndryshoi tërësisht historinë e tij politike. Brenda javës ai u bë regresiv, anti-institucional dhe u kaplua nga makthet e njeriut që u kap duke vjedhur dhe vrarë. Seancat e tij parlamentare, nëse ritransmetohen tashmë, të rrëqethin për shkak të rrënimit të tij psikologjik dhe rënies morale. Këtë moment opozita e pikasi dhe në vend që të përdorte politikisht tragjedinë, përdori politikisht kryeministrin. Duke e kapur atë në vendin e krimit, ajo e detyroi “elefantin” të ulej në karrige dhe për gati 9 muaj të bënte çfarë i thoshte opozita. I detyruar prej saj ai hartoi një Kod Elektoral, që përveç defekteve demokratike ka firmosur realisht humbjen e sigurt të së djathtës në zgjedhje. Sistemi proporcional që ai pranoi në bazë qarqesh, nxjerr fitues të padiskutueshëm dhe në kohë të mirë qeverisjeje të majtën shqiptare, e cila ka provuar se ka votat popullore në Shqipëri. E djathta ka fituar në këtë vend falë mazhoritarit dhe efektit në mazhoritar të ndarjes së të majtës. Ky sistem e bën vitale të majtën, pasi vlerëson pluralitetin e saj dhe e kthen atë në vlerë elektorale. Me sistemin elektoral që firmosi, dhe garancitë juridike që i dha kundërshtarit të tij politik, në emër të harresës së përkohshme për Gërdecin, Sali Berisha u soll si një politikan në hall që po i paguante gjobën kundërshtarit të tij duke luajtur me fatin e së djathtës shqiptare. Për gati 9 muaj ai u bë një nxënës shembullor i Edi Ramës dhe shpresonte se me këtë sjellje kjo tragjedi do të harrohej.
Tashmë, Edi Rama i mbaroi punët që duhet të bënte me zotin Berisha. Tre muaj para zgjedhjeve, ai ka me vete një Kod Elektoral tërësisht në favor të tij dhe një kryeministër të rrënuar, që tmerrohet nga 15 marsi. Ajo tashmë është në të drejtën e tij, jo ta përdorë politikisht 15 marsin, por ta poshtërojë politikisht kryeministrin, pasi e ka përdorur atë politikisht një vit të tërë.
Nëse do ishte Sali Berisha në vend të Edi Ramës dhe atij do t’i kishte ndodhur korrupsioni dhe më pas tragjedia e Gërdecit, ai do ta kishte nxjerrë nga zyrat më 16 mars dhe sot do kujtonim njëvjetorin e rënies së Edi Ramës. Ky i fundit zgjodhi taktikë tjetër. Edi Rama mori shkas nga tragjedia për të përdorur politikisht kryeministrin dhe tashmë ka kohën të përdorë politikisht dhe 15 marsin. Është normale që kryeministri bëhet nervoz nga kjo besëprerje, por ata që duhet të shqetësohen nga kjo duhet të jenë mbështetësit e së djathtës, të cilëve ai u ka shitur pushtetin paraprakisht tek Edi Rama vetëm që të mbyllej historia e 15 marsit, ku ka lënë gjurmë djali i tij.
Tashmë opozita nuk ka pse kompleksohet nga akuzat për përdorim politik të 15 marsit. Shumica ka të drejtë formalisht, pasi e ka paguar gjatë vitit që shkoi në dorë taksën informale të 15 marsit, por ja që politika është e pamëshirshme dhe do t’i duhet ta paguajë këtë taksë dhe politikisht. Është problem i kryeministrit Berisha mënyra që zgjodhi për të bërë kompromis me këtë tragjedi të shkaktuar prej korrupsionit. Opozita arriti të përdorë edhe kryeministrin, dhe tashmë dhe tragjedinë politikisht. Ky i fundit natyrisht që ka dalë me bilanc të keq, se as financiarisht nuk arriti ta përdorë dot deri në fund.