Beqja: Vendimin për të lënë ose jo grevën do ta marrim ne grevistët
Deputeti i Qarkut të Shkodrës, Ilir Beqja, thotë se kushtet e opozitës janë të panegociueshme
TIRANË - Përgjatë këtyre 12 ditëve të ngujimit, deputeti i Qarkut të Shkodrës nuk ka qenë më i ngazëllyer se dje. Jo më pak se 10 metra larg tij, sheshi ishte mbushur me zgjedhës së zonës së tij elektorale.
Ndaj dhe Ilir Beqja dukej si kishte hedhur pas krahëve urinë dhe përpinte çdo fjalë që thuheshin nga protestuesit përtej çadrave. Nuk ndihej vetëm e ashtu si ai dhe i gjithë grupi i shkodranëve që u bashkuan përreth monitorit për të ndjekur protestën e kthyer në destinacion të përditshëm për opozitën shqiptare.
E atëherë kur gjithçka qetësohet, ashtu i qetë dhe më një zë të lodhur, Ilir Beqja nis dhe rrëfen për "Shekullin", jo vetëm mendimin e tij për ecurinë e deritanishme të grevës më sublime të opozitës, por edhe për zgjidhjen e krizës që duket se pikësëpari duhet të gjejë miratimin e 200 grevistëve të ngujuar tashmë prej 13 ditësh në çadrat përballë kryeministrisë.
Z. Beqja, tashmë jemi në ditën e 13-të të grevës së urisë. Si do ta gjykonit ju situatën në kushtet që ju jeni të bindur për të vijuar grevën dhe përballeni me heshtjen e pozitës?
Duket që është një lojë e forcë nervash, tërheqje litari. Vërtetë nuk ka një reagim zyrtar të plotë, të artikuluar ndaj kërkesave tona të bëra me dije nga Fatmir Xhafaj, por mazhoranca po shton presionin, duke u përpjekur që kur të vijë një moment në bisedime të mund të lëshojë sa më pak. Kjo është arsyeja që kemi këtë përshkallëzim të situatës. Po të shikoni në vijueshmëri se si ka shkuar kjo histori e kupton përse.
Në ditët e para kishim, kryesisht nga shtypi pro-qeveritarë, fyerje, ofendime për koleget tona, pastaj histori qesharake për njerëz që hanë dhe më pas erdhi presioni ndaj ekipit mjekësor që na shërben me idenë për të kuptuar menjëherë se çfarë ndodh këtu. Dhe ne sot po të shikoni me vëmendje në katet e sipërme të kryeministrisë nuk ka më kamera.
Tashmë të gjithë e kanë kuptuar se kjo është një grevë e vërtetë dhe pasi kuptuan këtë u përpoqën të na rrethojnë me presione negative nga jashtë, duke u përpjekur të ndajnë shqiptarët në njerëz që janë pro-grevës dhe kundra saj. Ndërkohë që ne kemi qenë të qartë që në krye të herës që nuk e kemi këtë grevë kundër demokratëve e kemi kundër Sali Berishës, kundër mazhorancës së tij.
Duke qenë shumë luajal kemi thënë që kjo grevë është për të rënë dakord për transparencën dhe jo për karrigen e tij. Ndërkohë, ditët e fundit sulmohen njerëzit që na shërbejnë dhe arrestohen mbështetësin tanë.
Z. Beqja, ju e nisët përshkrimin e situatës me luftë nervash dhe po e përfundoni me përshkallëzim të situatës. Mos vallë këtë parashikoni dhe ditët në vijim?
Sigurisht që nuk është një situatë e këndshme, nuk është situatë që duhet dëshiruar në një situatë normale. Por, nuk ka zgjidhje tjetër, sepse edhe ndaj kërkesave tona të artikuluara shumë qartë përgjigja deri më tani është shumë e papranueshme. Dje, kreu i deputetëve të demokratëve, Patosi tha se është misioni i pamundur, ajo që kemi kërkuar ne.
Kush është e pamundur, funksionimi normal i televizioni publik, hetimi i vrasjes së një deputeti apo hetimi parlamentar se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e të gjitha këto janë gjëra standarde në një situatë normale, por që kthehen në një situatë ekstreme me kërkesa ekstreme ne një mbështetje ekstreme, sepse ekstreme është qasja e qeverisë deri më tani për zgjidhjen e kësaj situate.
Pas 13 ditëve greve urie, qeveria duket se nuk ka sensibilitetin ndaj kësaj ngjarje, ndërkohë që brenda çadrave janë shtuar zërat për një zgjidhje jo të paqme të situatës.
Z. Beqja, a mendoni se tashmë jeni afër një zgjidhje nëpërmjet dialogut?
Ne nuk tërhiqemi nga kërkesat tona. Vendimi për të hyrë në grevë është marrë në grupin parlamentar, por tashmë vendimi për të dalë nga greva nuk merret më jashtë greve. Padyshim që drafti i vendimit për të dalë nga greva mund të hartohet nga jashtë, por vendimi do të merret në grevë, por jo më nga 22 deputetët, por edhe nga grevistët e tjerë, sepse tashmë kjo është edhe kauza e tyre.
Ne kemi thënë se këto janë kërkesat tona. Presim përgjigje nga pala tjetër, por jemi të hapur për tu ulur në bisedime. Në çdo moment, pa kushte, me ndërmjetës, pa ndërmjetës dhe për të parë aty se kush janë mundësitë e arritjes së një pike të përbashkët.
Por, ajo që më vjen keq është se ende nuk ka qasje për negociata. Ndaj, ne jemi të vendosur dhe këtu flas dhe në emër, jo vetëm të atyre personave që janë këtu, por edhe qindra e mijëra mbështetësve tanë, që ne nuk dalim që këtu pa përmbushur qëllimin e kërkesave tona.
*************************
Ardhja e tij në çadër ka shtuar shpresën e çdo grevisti të ngujuar për 12 ditë në bulevard
Besnik Bare i rikthehet grevës së urisë
TIRANË - Ashtu pa bujë, krejt paqësisht i është rikthyer shokëve të tij. Pas marrjes së mjekimit të specializuar në një nga klinikat e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Besnik Bare i është rikthyer grevës së urisë në çadrat e bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Megjithëse mjekët nuk kanë këshilluar rifillimin e grevës, duket se kjo ka qenë e pamundur për të.
Me një shëndet të rënduar, Kryetarit të Partisë Socialiste, Tiranë, njëkohësisht deputet, i ka mbetur aq fuqi sa të përshëndesë të gjithë miqtë e tij, qofshin këto deputetë apo simpatizantë të thjeshtë të partisë së tij.
Shëtit çadër më çadër, duke i dhënë zemër çdokujt që nuk ka mundur të ngrihet dje nga krevati. Por, më shumë se sa fjalët, ardhja e tij në çadër ka shtuar shpresën e çdo grevisti të ngujuar për 12 ditë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
E shohin si një lloj heroi që sfidon jo vetëm urinë, por edhe shëndetin, ndaj pasditen e djeshme, Besnik Bare është kthyer në njeriun që gjithsecili prej tyre do të kishte dashur të ishte.
Sipas stafit organizator, kryetari i degës së PS-së për Tiranën është kthyer gjatë pasdites së djeshme, e kjo ndoshta nuk do të ishte mësuar, nëse Edi Rama nuk do të niste fjalimin e tij, pikërisht me një përshëndetje ndaj Besnik Bares, që edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, i është rikthyer ngujimit.