E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama sjell më 8 Mars një grua në politikë, prezanton Nikollën

TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zgjedh 8 Marsin si ditë për të prezantuar gruan e parë si kandidate për deputete në zgjedhjet e 23 Qershorit, ndërsa premton se nuk do të jetë e vetmja në listën e kandidatëve për deputete të Partisë Socialiste.

Lindita Nikolla, aktualisht kryetare e minibashkisë numër 1 në Tiranë, nga sot do t’i bashkohet ekipit për një Rilindje Shqiptare të Partisë Socialiste duke e bërë këtë ekip "më të vullnetshëm më bindës e më pranë njëra tjetrës"

“Sot më 8 mars në vixhilje të fitores tonë, ne të PS-së na takon të flasim për gratë dhe të bëjmë një akt të ri besimi dhe respekti. Sot skuadrës së Rilindjes i shtohet një grua tjetër. Kjo nuk është e fundit. Lindita Nikolla, një grua fiskinike, mësuese, ish-drejtoreshë e gjimnazit "Sinan Tafaj", aktiviste e shoqërisë civile dhe së fundmi kryetare e një njësie vendore”, - tha Rama duke prezantuar Lindita Nikollën nga selia rozë.

Lideri i opozitës u shpreh krenar, se PS me këmbënguljen e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor shndërroi Kuvendin nga “një odë burrash, në një Kuvend ku gratë kanë vendin e tyre. Kjo është vetëm pjesë e një rruge të gjatë e të mundimshme që në boshtin e vet të ketë barazinë gjinore”,- përfundoi Rama.

Lidhur me 8 Marsin Rama tha se gruaja shqiptare “ka haraçin e një shtypje të pamerituar, ku një perçe e rëndë ka ndarë vajza të vogla fshatrash, nuset e reja shtatzënë nga kujdesi shëndetësor, gra e vajza të shkolluara nga rruga e përfshirjes në punë”.

Ai bëri me faj “keqqeverisjen që gëlon më shumë se asnjëherë.”.. dëshmi e të cilës, sipas Ramës, janë dhe “27 gra të vrara barbarisht. “Nuk janë shumë por tmerrësisht shumë për tu trajtuar si statistikë. Janë dëshmi tronditëse për atë çfarë po ndodh. Ky 8 mars e gjen gruan shqiptare me një bilanc të rëndë dhe mundësi të madhe."- tha Rama duke shtuar se "8 Marsi është mundësi për rilindje" dhe premtoi se pas 23 qershorit qeveria socialiste do të jetë për një barazi gjinore.

“Mundësia e madhe është vota e 23 qershorit për një Rilindje ku për gruan do hapet një horizont i ri shpresash për mes një politike të re gjinore në qeverisjen e këtij vendi. Jam krenar për këtë 8 mars sepse udhëheq partinë që ka hequr kuotat në çdo nivel përfaqësimi. Kur flitet për Kodin Zgjedhor unë jam krenar që ne socialistët dhe progresistët e shndërruam Parlamentin në një Kuvend ku gratë kanë kuotën dhe zërin e tyre”- Rama.

Nga ana e saj Lindita Nikolli premtoi se do vijojë të angazhohet krah PS e Edi Ramës për një rilindje të Shqipërisë. “Që nesër do vijoj të trokas fort në zemrën e çdo qytetari që kërkon Shqipërinë e rilindur për të vijuar me të njëjtin pasion për të bërë të mundur Rilindjen Shqiptare “

Redaksia Online
(s.g/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›