E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së, tani po e kuptojnë mesazhin e Ramës tek libri “Kurban”

08-03-2013 / Gazeta 55

Është koha e gijotinës në grupin parlamentar të PS-së. Deputetët që morën pjesë në prezantimin e librit të Ramës në vitin 2009, kujtuan se ai ishte një vajtim për humbjen e baskisë së kryeqytetit, por në fakt ishte një lajmërim se si do sillej me deputetët e panevojshëm. Burimet e brendshme thonë se 40 nga 62 deputetët e PS-së s’do rikandidohen më dhe ata do të jenë kurbani që do u hapë rrugë të ardhurve nga biznesi apo që kanë pranuar të paguajnë tarifën e caktuar nga 99-shat e Edvinit

Lista e kandidatëve për  deputet të Partisë Socialiste po krijon një klimë të çuditshme në politikën shqiptare: psikodramën e deputetëve. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka dalë jashtë kompetencave statusore duke prezantuar blerjet e reja të PS, sikur të ishte një president të një klubi futbolli, duke iu garantuar të sapoardhurave në skuadrën e “Rilindjes” në vend të sigurt në lojën politike.
Titullarët e sotëm të ekipit socialist në grupin parlamentar janë konsideruar prej Edi Ramës në disa kategori të pranueshëm, të bindurit, të konsumuar dhe të padëshirueshëm. Në fakt, informalisht në redaksitë e mediave qarkullon një listë prej 40 deputetësh socialistë që kanë një pikëpyetje të madhe mbi kokë, jam apo s’jam në listë.
Formalisht të parët që u eliminuan nga lista e sigurt e PS ishin Asllan Dogjani (pa dijeninë e të deleguarit të kryesisë Arben Malaj), Skëndër Hasa (pa dijeninë e të deleguarit të kryesisë Ben Blushi, këmbëthyer) dhe Arben Isaraj (pa dijeninë e Vali Leskajt), që u zëvendësuan me jeniçerë e rinj si Alfred Peza, Vexhi Muçmata e Ilirian Celibashi, prurje të reja pa miratimin e kryesisë së PS.
Në fakt, deputetë socialistë jashtë llogarive të Edi Ramës janë Arta Dade, Arben Malaj, Fatmir Toçi, Ilir Gjoni, Arben Isaraj, Marko Bello, Alfred Dalipi e Gazmir Bizhga, të cilëve iu është hequr së fundmi edhe përshëndetja në mbledhjet e grupit parlamentar, çka është një sinjal për panevojshmërinë e tyre.
Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, dy figurat që lidhin dy epoka janë sterilizuar dhe nuk kanë ndikim në përcaktimin e listës dhe hyrjen e blerjeve të reja në PS. 
Ndërkohë deputetët miliarderë të PS po përgatiten të paguajnë tarifën e paracaktuar më parë për të qenë të sigurt dhe gjysmë të sigurt.
Operacioni i Erjon Velisë dhe Endri Fuga po krijojnë logjikën e kokës së prerjeve të deputetëve të PS nëpërmjet stimulimit mediatik të sondazheve të“pëlqimit” dhe “mospëlqimit” në bazën socialiste dhe në elektoratin “gri”,  ka për synim shtyrjen e  deputetëve të paguajnë tarifën e caktuar për të dalë të parët në sondazhin e Ramës. Për të gjithë deputetët e tjerë, mospëlqimi në sondazh është sinjal i mënjanimit të tyre nga qarqet në të cilën janë zgjedhur në 2009. Janë rreth 40 deputetë socialistë që nuk e kanë të qartë fatin e tyre politik.
Çdo ditë këta deputetë komunikojnë me njëri-tjetrin për të sonduar nëse do të jenë në listën paraprake sepse iu është komunikuar kurbanizimi me heqjen e përshëndetjes, me mos kthimin e mesazheve që deputetët i bëjnë atij. 
Edi Rama po shkel me arrogancë statutin e Partisë Socialiste,  neni 29 i tij në pikën 14, ku e drejta për të miratuar listat e kandidatëve i përket kryesisë. Sigurisht ky nen përcakton se kryesia, “miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore”. Mirëpo kjo rezulton të mos jetë zbatuar pasi kryesia e PS-së ka më shumë se tre muaj që nuk është mbledhur dhe Edi Rama vetë vendos dhe vetë vulos në parti, duke e kthyer organizatën vullnetare në një vullnet arrogance të tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›