Meta: LSI, hapa konkretë në mbështetje të biznesit fason

Kryetari i LSI-së vizitë në tre biznese të prodhimit fason në Shkodër
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Shkodrës ku vizitoi nga afër disa biznese të prodhimeve fason. Meta nënvizoi se LSI e ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme për biznesin fason, pasi sipas tij, është një biznes tepër i rëndësishëm, që realizon rreth 600 milionë dollarë eksporte jashtë vendit.
“Është një kënaqësi e veçantë që të vizitoj sot një nga sipërmarrjet më të suksesshme në vendin tonë të biznesit fason. Një rast mjaft të suksesshëm gjithashtu të suksesit të prodhimeve ‘Made in Albania’ që ka të bëjë natyrisht me vizionin dhe përkushtimin e sipërmarrësit, Radovani, i cili është edhe një nga pionierët e ekonomisë së tregut të lirë në vendin tonë, ku punësohen me qindra punonjës”, deklaroi Meta.
Ai rikujtoi hapat pozitive të ndërmarra në mbështetje të biznesit fason, ku përmendi zerimin e taksës për importin e lëndëve të para, heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, si dhe zerimin e taksës për pagat deri në 30 mijë lekë (të reja).
Kreu i LSI-së shprehu bindjen e tij se ekzistojnë të gjitha mundësitë për t’u ofruar këtyre bizneseve një mbështetje akoma dhe më të madhe në muajt dhe vitet që vijnë, pasi sipas tij, kjo është një domosdoshmëri për të rritur punësimin, eksportet si dhe një kontribut i jashtëzakonshëm për vetë komunitetin për të lehtësuar problemet sociale dhe për të rritur punësimin në zonat ku këto aktivitete janë përqendruar.
“Natyrisht janë bërë disa hapa pozitivë sikurse është zerimi i taksës për importin e lëndëve të para, apo së fundi edhe heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, apo edhe zerimi i taksës për pagat deri në 30 mijë lek të reja, por jam i bindur se ekzistojnë të gjitha mundësitë për një mbështetje akoma dhe më të madhe në muajt dhe në vitet që vijnë pasi është një domosdoshmëri për të rritur punësimin, është një domosdoshmëri për të rritur eksportet dhe është një kontribut i jashtëzakonshëm edhe për komunitetin këtu dhe kudo tjetër ku kemi aktivitete të tilla për të lehtësuar problemet sociale”, deklaroi Meta.