E Diel, 1 Nëntor 2026

“Siguria rrugore, sfidë globale, brezat e rinj të edukohen për sjelljen në rrugë”

08-03-2013 / Gazeta 55

Presidenti Nishani në Konferencën mbi Sigurinë e Qarkullimit Rrugor
 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i pranishëm në Konferencën e përbashkët Shqiptaro–Austriake mbi Sigurinë e Qarkullimit Rrugor, theksoi rëndësinë e edukimit të brezave për mënyrën e sjelljes në rrugë. “Siguria rrugore është sot një sfidë globale, e cila kërkon një qasje shumë dimensionale. Fatkeqësisht, në nivel botëror, në ditët e sotme, fatalitetet e shkaktuara në jetët njerëzore nga aksidentet rrugore, janë ngjitur në vendin e dytë dhe parashikohet që brenda një dekade të ngjiten në vendin e parë, duke tejkaluar fatalitetet që vijnë nga sëmundjet më të përgjithshme dhe më problematike që ka sot njerëzimi. Por, në këtë rast, unë i bashkëlidhem në tërësi opinionit të qytetarëve në mbarë botën, ashtu dhe opinionit shqiptar, që është një sfidë, e cila mund të përballet me shumë suksese nga shoqëria njerëzore. Është tërësisht në mundësitë e shoqërisë njerëzore, të institucioneve dhe të aktorëve të shoqërisë, për të triumfuar mbi këtë të keqe, mbi këtë sëmundje shumë të rrezikshme”, deklaroi  Presidenti Nishani.
Më pas kreu i Shtetit Nishani vuri në dukje se “gjithçka edhe në këtë rast fillon tek edukimi, arsimimi, te ngjizja e kulturës së sjelljes së njeriut ndaj sfidave që sjell në tërësi zhvillimi dhe elementë të tjerë të këtij zhvillimi dhe të kësaj dinamike të jetës njerëzore”. Ndër të tjera, kreu i Shtetit Nishani nënvizoi se i pandërprerë duhet të jetë edhe përmirësimi i infrastrukturës.
“Shqipëria po njeh dhe jam i sigurt që do të vazhdojë çdo vit e më shumë të njohë përmirësim cilësor të infrastrukturës rrugore. Ka qenë një nga borxhet e mëdha që ka pasur shoqëria shqiptare. Dhe është një investim jo vetëm për të sotmen, por dhe për të ardhmen e vendit, është një investim për cilësinë e jetës. Kjo infrastrukturë rrugore kërkon medoemos një standard të lartë të sinjalistikës rrugore.”,  vijoi më tej ai.
Ndërkaq duke iu adresuar auditorit, Kreu i Shtetit nënvizoi se “është shumë e rëndësishme gjithashtu që qytetarët të kuptojnë sesa i rëndësishëm është respekti ndaj autoriteteve, në rastin konkret autoritetet policore, të cilët kanë detyrën dhe përgjegjësinë e tyre të ndjekin zbatimin e ligjit, por që shpeshherë fatkeqësisht ndodhen nën presionin e shkelësve të rregullave, e shkelësve të ligjit, nga një pjesë që për shkak se nuk e mendojnë gjatë sa e rëndësishme është jeta e tyre dhe jeta e tjetrit, apo nga një pjesë tjetër që për shkak të egos individuale, e cila është krejt e parëndësishme përballë rëndësisë që ka respektimi i sigurisë dhe realizimi i sigurisë, për parandalimin e çdo fataliteti për jetën e tyre, por dhe për jetën e tjetrit. Prandaj, respekti ndaj autoriteteve policore dhe autoriteteve të tilla që merren me garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e rregullave është obligim, detyrim qytetar, dhe përsëri do ta përmend, është pjesë e kulturës”,  theksoi Presidenti Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›