“Debati për taksën progresive, kohë e humbur”
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon
Debati politik për sistemi fiskal është i dëmshëm për thithjen e investimeve e huaja. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri Nicholas Cannon gjatë një dreke pune me biznesmen në Dhomën Britanike të Tregtisë deklaroi se për biznesmenët është shumë e rëndësishme që të jenë të sigurt për sistemin e taksave që do të aplikohet .
“Në Shqipëri ka ende probleme në klimën e biznesit aktual apo potencial. E për të qenë i sinqertë këto gjëra pranohen disi edhe prej lidershipit në Shqipëri. Jemi në prag të zgjedhjeve të qershorit dhe ajo që vihet re është një debat për meritat e taksës së sheshtë dhe asaj progresive por sistemi i taksave në një vend është shumë i rëndësishëm për investitorët po aq sa edhe niveli i taksave. Biznesmenët duhet që të dinë dhe të jenë të sigurt se se ku do të përqendrohen autoritetet me taksat. Koha e humbur duke predikuar sistemin e taksave do të ishte më mirë të shfrytëzohej në të mirë të biznesit”, theksoi Cannon.
Ndër të tjera ambasadori i Britanisë ka përmendur edhe një sërë problemesh të tjera që rëndojnë biznesin në Shqipëri.
“Një ndër problemet që mund të përmend është e drejta e pronës .Dihet tashmë që ky problem është i lidhur me të shkuarën komuniste të vendit por kjo është një pasiguri për të tërhequr investime sidomos në sektorin e turizmit. Problem gjithashtu mbetet edhe ekzekutimi i kolateralit të bankave si dhe ideja e korrupsionit apo e moszbatimit të ligjeve është e dëmshme për klimën e biznesit” shtoi ai. Pavarësisht të gjithave ambasadori i Britanisë së Madhe vlerësoi mundësitë që ofron vendi ynë për investime në sektorët e energjisë,turizmit apo të bujqësisë.