Rama, skemë mafioze për të dhunuar jetën private të qytetarëve të Tiranës

Ministria e Brendshme ka denoncuar dje praktikën mafioze që po ndjek bashkia e Tiranës për të vjedhur të dhënat private të qytetarëve, si adresat e punës, numrat e telefonit dhe të dhëna të tjera personale. Skema e ndërtuar, mbi formularin e deformuar të adresave të reja të kryeqytetit, synon të mbledhë informacion, i cili mund të keqpërdoret në të ardhmen, gjatë fushatave zgjedhore
Një ditë prej publikimit nga Bashkia Tiranë e lajmit se kryeqyteti ka më në fund një sistem të ri adresash, ka reaguar Ministria e Brendshme, e cila pohon krejt të kundërtën. Zëvendës ministri Ferdinand Poni tha për mediat se sistemit të ofruar nga bashkia, minimalisht i mungojnë 130 rrugë dhe maksimalisht mund të bëhet pengesë për mbivendosje të popullsisë për shkak të të dhënave të pasakta. Ndaj dhe Poni, numri dy institucionit të angazhuar me këtë proces nën monitorimin e OSBE, i kërkoi bashkisë të mos bëhet pengesë për krijimin e sistemit të ri të adresave.
Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni u shpreh dje gjatë një komunikimi me mediat se bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Edi Rama, kanë manipuluar sistemin e adresave të reja.
Sipas zëvendësministrit të Brendshëm, materialit të bashkisë i mungojnë mbi 130 rrugë dhe mijëra ndërtesa që kanë korrelacion me Projektin e Sistemit të Adresave.
“Dje Edi Rama u përpoq të mbulonte dështimin dhe paaftësinë për të implementuar sistemin e adresave me anë të një shfaqjeje butaforike, por të rrezikshme për qytetarët e Tiranës dhe projektin për sistemin e adresave. është vendi t’ju informojmë se sipas kalendarit dhe udhëzimeve të Ministrit të Brendshëm, Bashkia e Tiranës duhet të kishte përgatitur informacion të detajuar në sistemin GIS lidhur me emërtimin e pjesëve publike të territorit; rrugë, bulevarde, sheshe, si dhe numërtimin e çdo ndërtese sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Ajo që Rama u përpoq të trumbetonte si sukses dje, është një punë që duhet të kishte përfunduar në janar 2009, në mars 2009, në tetor 2009, por fatkeqësisht edhe sot që flasim informacioni nuk është i plotë dhe as në përputhje me standardet e Projektit të Sistemit të Adresave. Materialit të Bashkisë i mungojnë mbi 130 rrugë dhe mijëra ndërtesa që kanë korrelacion teknik me to. Z. Rama nga ana tjetër në mungese të plotë të transparencës dhe respektit ndaj shtetit ligjor ka penguar qëllimisht transmetimin e këtyre të dhënave në Ministrinë e Brendshme për t’u bërë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Adresave”, u shpreh zëvendësministri Poni.
Sipas tij, fillimi i popullimit të njësive vendore, duhet të realizohet pas certifikimit të punës me materialin GIS dhe me rregulla të qarta lidhur me sasinë e informacionit që kërkohet; cilët persona do ta kryejnë popullimin; si do të menaxhohet informacioni që mblidhet, si transmetohet informacioni etj; procedura këto që për shkak të mos prurjes së informacionit nga Bashkia e Tiranës, dhe Bashkia Përrenjas, nuk kanë filluar në asnjë prej bashkive e komunave. “Për më tepër në shkelje të hapur të ligjit dhe garancive kushtetuese për qytetarët shqiptarë Edi Rama ka deformuar në mënyrë të paturpshme dhe të rrezikshme për projektin formularin e hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.
Shumica e informacioneve që kërkohen nga bashkia; numri i celularit, punësimi, arsimi, profesioni, vendi nga vjen nuk janë fare kërkesa të Projektit dhe cenojnë hapur konfidencialitetin e të dhënave duke rrezikuar vonimin dhe dështimin e procesit.
I bëj thirrje publike kryetarit të bashkisë së Tiranës, në rast se vjen ndonjë ditë në punë, dhe administratës së tij, të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi, të sjellë dhe certifikojë punën e bërë sikundër dhjetëra e dhjetëra bashki e komuna, si dhe gjithë procesin e popullimit ta kryejë në standardet më të larta të transparencës, efektivitetit dhe konfidencialitetit të të dhënave të tij”, vuri në dukje zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni.