E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofët, në mbrojtje të Kosovës

Shqipëria ka njerëz të ditur, të mençur, por nganjëherë për të marrë zemër presin një zhdoganim të zjarrit të tyre intelektual nga jashtë vendit. Sidomos filozofëve frankofonë, pasi kanë qenë më afër botës shqiptare. Një prej filozofëve që kanë qenë mbrojtës të kauzës së popullit të Kosovës është padyshim Alain Finkielkraut, shkrimtar dhe eseist francez. Alain Finkielkraut ka qenë më 1999, gjatë luftës së Kosovës, edhe zv/president i Komitetit “Kosova” në Paris. Artikujt e tij janë të shumtë në përkrahje të shqiptarëve të Kosovës. Autor i mjaft veprave mbi kujtesën, modernitetin dhe kulturën bashkëkohore, ai mbron nocionin e identitetit, idenë e përcjelljes së diturive ndërmjet brezave, dhe frymën e humaniteteve. Ndërhyrjet e tij të shumta sillen mbi antisemitizmin dhe racizmin, mbi multikulturalizmin, mbi të çarat e sistemit arsimor francez dhe mbi luftërat në Jugosllavi. Po sjellin këtu një shkrim të 8 gushtit 1998 në gazetën franceze “Le Monde” ku analizon figurën e Sllobodan Milloshevic dhe sjelljen e pavëmendshme të Europës ndaj çështjes kosovare.
***
Dashuria sipas Sllobodan Millosheviç - nga Alain Finkielkraut dhe Antoine Garapon (Le Monde)

Më 19 nëntor 1988, presidenti i Lidhjes komuniste të Serbisë deklaron përpara një turme të ndezur: “çdo komb ka një dashuri e cila ngroh përjetësisht zemrën e tij. Për Serbinë, kjo është Kosova”. Dhe këto fjalë dashurie do të ndiqeshin shpejt nga aktet. Pas heqjes së autonomisë së provincës, Milosheviç zbaton një politikë zyrtare segregacioni. Shqiptarët pushohen në masë nga puna në sektorin publik, spitalet dhe ndërmarrjet. Në ato pak shkolla ku pranohen të gjithë fëmijët, WC ndahen veçmas për Serbë dhe për Shqiptarë. Me qëllim për të parandaluar atë çka intelektualët e Akademisë së Shkencave të Beogradit e quajnë “gjenocid i kulturës serbe”, Instituti albanologjik mbyllet dhe sallat e leximit të Bibliotekës kombëtare i jepen një shkolle ortodokse serbe.
Të tmerruar nga një dashuri kaq e fortë, Sllovenia dhe republikat e tjera të Jugosllavisë marrin rrugën e shkëputjes. Gjatë luftës që pason më tej, shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë arritur të ngrenë në këmbë një shoqëri të vërtetë paralele, zgjedhin, nën drejtimin e Ibrahim Rugovës, udhën e jo-dhunës. Dhe për këtë, ata përgëzohen ngrohtësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Përgëzohen por jo shpërblehen. Vetëpërmbajtja e tyre bën që ata të harrohen nga akordet e Dejtonit. Dhe Millosheviçi, po aq dinak sa edhe i dashuruar i madh, arrin ta zhvlerësojë më në fund Rugovën pranë popullit të vet, duke e futur në bisedime të pafrytshme.
Nga këtej, ajo çka duhej të ndodhte, ndodhi. Skenari i paralajmëruar nga të gjithë protagonistët e krizës jugosllave shtjellohet pa u ndalur.
Sepse është pikërisht Millosheviçi ai që ka marrë përgjegjësinë për të hapur një konflikt të armatosur duke filluar operacionet e para të policisë speciale kundër fshatrave të Drenicës nga fundi i shkurtit të këtij viti. çka kjo e shtyu Ushtrinë çlirimtare të Kosovës (UçK), deri atëherë me ekzistencë të pasigurt, të hyjë në skenë. Synimi i Beogradit, ç’është e vërteta, është i dyfishtë: ta shkatërrojë këtë ushtri, të pajisur dobët dhe pa ndonjë përvojë, por sidomos të realizojë ëndrrën e vjetër për ta zbrazur rajonin nga përbërësja e tij shqiptare. çfarë terroristësh të rrezikshëm mund të fshiheshin në ata katërmbëdhjetë të pushkatuar mbi pragun e shtëpisë së tyre më 28 korrik në Junik? Pesëmbëdhjetë mijë banorë të Rahovecit është dashur të ikin dhe dyqind e gjashtëdhjetë mijë kosovarë, ose më shumë se 10% e popullsisë, të hedhur në rrugë të madhe, përgatiten për një dimër të gjatë. Vlerësohet se janë më shumë se dhjetë mijë banesa dhe ndërtesa bujqësore të shkatërruara, qysh nga operacionet e spastrimit.
Drama e ish-Jugosllavisë prek fundin e saj. Lufta që ka filluar në Kosovë përfundon në Kosovë. “Policia” jugosllave ndeshet me “separatistët” shqiptarë. Megjithë fermat e djegura, fshatrat e rrafshuara, masakrat e civilëve dhe dëbimin gjithnjë e më të madh të popullsive të terrorizuara, megjithë shfrenimin dhe përsëritjen e mizorisë së skajshme, opinioni, mospërfillës, numëron pikët ndërsa Grupi i Kontaktit, i shqetësuar por jo fort i merakosur të respektojë zotimet e veta, u drejton të dyja palëve këshilla moderimi, duke u kujdesur mirë që të mos i zbatojë qortimet e tij të ndryshme solemne.
Të goditur nga harresa ngaqë nuk kanë dashur të marrin armët, shqiptarët e Kosovës rrezikojnë tani të jenë të ndëshkuar për t’iu rikthyer këtyre armëve. Shtrëngimet gjeopolitike nuk lejojnë ndoshta për t’iu dhënë të drejtë kërkesave të tyre. Por lufta e gjatë e Bosnjës do të duhej të na kishte mësuar që opsioni diplomatik dhe ai ushtarak nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin: i dyti është kushti i të parit. Nuk do të ketë kompromis të mundshëm sa kohë që Millosheviç do të mbetet i bindur që ai mund ta vendosë me forcë ligjin e dashurisë së tij të pashtershme.
Sigurisht, shqiptarët e Kosovës formojnë një komb etnikisht homogjen, çka kjo është më pak në përputhje me frymën e kohës sesa “United Colors of Benetton” apo ekipi i Francës në futboll. A është kjo një arsye për t’i braktisur, pa shtënë asnjë krismë, në përqafimin mortor të Serbisë?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›