Berisha: Universitet publik për administratën shtetërore
Punonjësit e administratës publike do të kenë mundësi të kualifikohen më tej, duke studiuar në një universitet publik shqiptar. Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga ministritë përkatëse, nisjen e punës për ngritjen e një universiteti publik, dedikuar vetëm punonjësve të administratës dhe specializimit të tyre. Ky universitet, sipas Kryeministrit, mund të nisë të funksionojë vitin e ardhshëm. "Ministri i Arsimit dhe ai i Brendshëm, - tha Kryeministri, - të procedojnë me shpejtësi, për të ngritur Universitetin për Administratën Publike. Ngritja e këtij universiteti është një domosdoshmëri për të trajnuar, kualifikuar dhe shkolluar punonjësit e administratës publike". Berisha tha më tej se ky universitet është një domosdoshmëri, nisur nga kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian për administratën publike. "Ngritja e Universitetit të Administratës Publike është një domosdoshmëri e mprehtë dhe e ngutshme. Ne dorëzojmë tani pyetësorin dhe të mos harrojmë që në momentin e marrjes së vendimit nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Ministrave, për t'i akorduar Shqipërisë statusin e kandidatit, sigurisht në kohën e caktuar, para Shqipërisë hapet një etapë e re në marrëdhëniet me BE-në, ajo e negocimit të dhjetëra kapitujve të procesit të integrimit të plotë të vendit në BE. Ndaj është e domosdoshme që mbi baza tërësisht publike apo partneriteti publik privat të përzgjedhim modelin më funksionues, të ngremë një universitet të administratës publike" - shtoi Berisha. Ai tha më tej se Departamenti i Administratës Publike nuk ka mundësi për trajtimin e të gjithë punonjësve. Kryeministri Berisha kërkoi që përpjekjet të jenë maksimale nga ministritë, në mënyrë që universiteti të fillojë punë vitin e ardhshëm, ndërkohë të fillohet puna për curricul-ën e tij, duke u kërkuar edhe ndihma e vendeve anëtare të BE-së. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Berisha tha se së shpejti do të shkojë në Parlament edhe ligji i ri për sektorin minerar në vend.