PE, mbështetje për vizat,Topalli lobon me 16 homologë
Erald Kapri
Partia Evropiane Socialiste miraton një deklaratë, sipas së cilës kërkon që vendet e Ballkanit të integrohen në Bashkimin Evropian brenda 2014-ës. Gjithashtu, PES kërkon që Shqipërisë t'i heqin vizat deri në muajin korrik. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste Evropiane, mbajtur në konferencën "Shoqëritë progresive në Ballkan", ku mori pjesë edhe kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama. "Shqipëria, por edhe Bosnje-Hercegovina mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave që në korrik të 2010-ës. Liberalizmi i vizave mbetet shtyllë themelore për aderimin në BE, që do të inkurajojë mirëkuptimin ndërkulturor kozmopolitan dhe mentalitetin pro evropian në rajon", thuhet në deklaratën e PES. Në këtë konferencë, kreu i PS-së, Edi Rama, kërkoi mbështetje për mundësimin e udhëtimit të lirë nëpër Evropë, pa viza, ashtu si dhe për të gjithë qytetarët e tjerë evropianë apo edhe të rajonit.
"Anëtarësia në BE është projekti ynë politik i transformimit dhe i demokratizimit. është e rëndësishme që të ndërtojmë Evropën në vendet tona, por është po ashtu e rëndësishme që Evropa të mos i zbehë ambiciet dhe standardet në marrëdhëniet e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor. Objektivi i BE-së në Shqipëri nuk mund të jetë më thjesht stabiliteti", nënvizoi Rama. Duke theksuar rëndësinë e këtyre konferencave, ky i fundit ftoi PES që takimin e radhës ta organizojë në Tiranë, duke u shprehur: "Shpresoj që në takimin tjetër qytetarët e Sarajevës dhe qytetarët e Shqipërisë do të jenë të lirë të udhëtojnë nëpër Evropë pa viza." Sipas zyrës së shtypit të Partisë Socialiste, kreu i PS-së zhvilloi një takim me Presidentin e PES. Në këtë takim, Rasmussen ka mbështetur idenë e PS-së për transparencë të zgjedhjeve, që sipas tij, duhet të vijë nga një komision hetimor parlamentar. Sipas zyrës së shtypit, Rasmussen hodhi idenë që komisioni hetimor mund të asistohet nga ekspertë të huaj. "Kjo është arsyeja përse sot i kam thënë zotit Edi Rama se unë po u bashkohem përpjekjeve për të arritur transparencë të plotë, se do të doja t'i shprehja dëshirën time për ngritjen e një komisioni hetimor, një komision hetimor të pavarur, i cili të negociohet dhe të pranohet edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Një komision, i cili mund të përbëhet nga shqiptarë, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë të pavarur, çka do të garantonte shqyrtimin e çdo pikëpyetje, dyshimi apo çështje të tjera mbi zgjedhjet e fundit. Transparencë e plotë, komision hetimor, le ta mbarojmë këtë punë", ka thënë Rasmussen.
Kreu socialist u shoqërua edhe nga sekretarja për çështjet ndërkombëtare, Arta Dade, e deputetët Ditmir Bushati e Arben Ahmetaj. Në këtë aktivitet marrin pjesë edhe përfaqësues të LSI-së. Një dite më parë PS informoi se Edi Rama i ka shkruar një letër komisionerit për zgjerim në BE, Stefan Fule, mbi krizën në të cilën është futur klasa politike shqiptare.
Liberalizimi i vizave, Topalli lobon me 16 kryetarë parlamentesh
Lobi për çështjen e liberalizmit të vizave ka qenë një nga objektivat kryesorë të kryeparlamentares, Jozefina Topalli, gjatë takimet që ka pasur me homologët e vendeve të BE-së. Që pas rikonfirmimit të saj në postin e Kryetares së Kuvendit në këto 6 muaj, Topalli ka zhvilluar takime me 16 kryetarë parlamentesh dhe senatesh të vendeve të BE-së. Kryetarja e Parlamentit, Topalli, në takimin e fundit me homologun e saj çek në Tiranë, deklaroi se ajo do të intensifikojë diplomacinë parlamentare, pasi edhe pse vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet teknike, tashmë janë 26 vende anëtare të BE-se që duhet të japin dritën jeshile për këtë vendim të rëndësishëm, të cilin Tirana zyrtare shpreson ta përfitojë brenda këtij viti. Në këtë axhendë intensive parlamentare përfshihen takimet me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, të Patrick Dewael dhe me Kryetarin e Senatit së Mbretërisë të Belgjikës, Armand De Decker. Belgjika, vend që merr Presidencën e radhës së BE-së në korrik të vitit 2010. Në këto takime Topalli deklaroi se "meqenëse korriku i ardhshëm, kur shqiptarët shpresojnë dhe besojnë se do të hiqen vizat, do të koençidojë me Presidencën belge, ishte kjo arsyeja kryesore për të cilën unë jam këtu. Unë u inkurajova nga autoritetet më të rëndësishme belge, për të bërë të mundur që gjatë kësaj presidence, të arrijmë atë që është gjëja më kryesore për Shqipërinë, heqjen e vizave". Ndërsa përgjatë këtyre gjashtë muajve ka pasur takime me kryetarin e Parlamentit italian. Xhianfranko Fini, me kreun e Budenstagut gjerman. Më 15 janar, me një axhendë të ngjeshur në Bruksel, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u prit në një takim nga Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, përfaqësues i grupit socialist në PE, Libor Rouçek. Një njohës i mirë i Shqipërisë gjatë viteve si raporter dhe në vijim, zoti Rouçek tha se vlerëson shumë hapat që Shqipëria ka bërë drejt BE-së, si dhe për plotësimin e angazhimeve për liberalizimin e vizave. Ndërsa Joseph Daul, president i Grupit të Partive popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se "Për ne, Shqipëria është pjesë e Evropës, është pjesë e qenësishme e saj dhe duhet absolutisht të hyjë në Bashkimin Evropian".