Rama, spot elektoral në "shpellën e vdekjes"
Kreu socialist ka filmuar dje në minierën e Bulqizës një spot, që pritet ta përdorë në fushatë
Edi Rama ka mbërritur krejt papandehur në Bulqizë, vizitë e cila nuk është lajmëruar as për drejtuesit lokalë të PS-së, dhe as për autoritete të tjera. Qëllimi i kësaj vizite nuk ka qenë ndonjë takim me anëtarë apo militantë të PS-së, por realizmi i një spoti elektoral në thellësi të minierës. Ai ka qenë i shoqëruar vetëm nga reporterë dhe përfaqësues të medias pranë selizë rozë, duke u futur brenda në minierën e Bulqizës, minierë e cila, prej pak muajsh ka rrëmbyer shumë jetë minatorësh dhe, me sa duket, mjerimi shqiptar është gjetur të personifikohet përmes këtij vendburimi të nxjerrjes së kromit.
Për realizimin e këtij spoti, Edi Rama ka hyrë në nivelin e pestë të pusit nr. 2, nën shoqërinë e kamerave televizive, thonë burime nga miniera. Ndërkohë, mësohet gjithashtu se, Rama, gjatë realizimit të spotit të tij televiziv në brendësi të galerive të minierës, ka premtuar edhe një herë dhënien e statusit për minatorët pas fitores të së majtës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Rama ka realizuar dhe spotin elektoral të "Aleancës për Ndryshim" në thellësi të minierës së Bulqizës, por kësaj radhe pa trazuar askënd në qytezën veriore të vendit, madje pa kryer as ritin e pirjes së një kafeje, ku zakonisht mblidhen shumë përkrahës të kësaj partie apo kureshtarë të tjerë, për t'u kthyer menjëherë pas xhirimeve në minierë, për në Tiranë.
Faktikisht, duket se nëpërmjet këtij spoti PS-ja kërkon t'u kujtojë zgjedhësve shqiptarë që para se të votojnë më 28 qershor, të bëjnë mirë analizën e asaj që ka prodhuar qeverisja e djathtë në këto katër vite, ku vetëm në këtë minierë, për shkak të mungesës së përkujdesit shtetëror, kanë humbur jetën më shumë se dhjetë minatorë. Ky është vetëm një nga frontet e pambuluar nga qeveria në qeverisjen e saj, pasi siç bëjnë të ditur burime pranë selisë rozë, ka dhe shumë çështje të tjera, të cilat do të përpiqen që të shfrytëzohen gjatë kësaj fushate.
Kjo vizitë është e disata brenda një harku kohor prej një viti e kryetarit socialist në minierën e Bulqizës. Ai e ka vizituar shpesh këtë zonë, jo vetëm për të sensibilizuar instancat shtetërore që të marrin masat për përmirësimin e kushteve të punës në brendësi të minierës, por edhe për të marrë pjesë në mortet që kanë pllakosur familje të tëra të Bulqizës, të cilat kanë humbur njerëzit e tyre në përpjekje për të nxjerrë bukën e gojës, në atë që Rama më parë e ka cilësuar si "shpella e vdekjes".