E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takime në Korçë

Tiranë- Turi i Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama ka vazhduar në komunën e Sheqerasit të qarkut Korçë. Edi Rama është ndalur gjatë në këtë komunë duke prekur çdo cep të saj në një rrugëtim ku jo rrallë herë ka parë dhe ka prekur nevojën e banorëve të saj për ndryshimin që kanë shumë vite që e presin.

“Asgjë nuk është e pamundur nëse ne jemi të gjithë bashkë. Ne besojmë se nuk është e pamundur që ne të ulim koston e prodhimit, që ne t’ua japim naftën pa akcizë, që ne t’ju mbështetim për farërat, për plehrat, për pesticidet, që ne t’ju qëndrojmë pranë dhe t’ju garantojmë rrugët e nxjerrjes së prodhimit në treg, që ne t’ju mbrojmë nga konkurrenca e pandershme dhe e padrejtë, dhe që ne t’ju japim krahët që ju kanë munguar deri sot, për të vrapuar drejt një të ardhme që me patjetër do të jetë e ndryshme nga e sotmja”-theksoi Rama.

Në këtë takim të zhvilluar në Sheqeras, Rama u tha atyre se ai së bashku me ekipin e tij, nuk janë në këtë garë elektorale për të ndryshuar një kabinet qeverisës me një tjetër, por për të ndryshuar cilësinë e jetës së shqiptarëve pavarësisht largësive gjeografike me kryeqytetin.

“Votojeni Partinë Socialiste që nesër të mos e keni qeverinë në kutinë e televizorit, por këtu pranë jush. Ta keni qeverinë aty në fushë, ku hidhet fara e prodhimit tuaj, aty në rrugë ku duhet të vijë për të gjithë uji i pijshëm në shtëpitë tuaja, aty pranë tek shkolla ku duhet të mësojnë fëmijët tuaj. Votojeni Partinë Socialiste në mënyrë që nesër të na keni përsëri këtu, siç na keni sot, që të diskutojmë dhe vendosim së bashku dhe të hedhim së bashku çdo hap për të rritur mirëqenien dhe cilësinë e jetës në fshatin tuaj, për të rritur dinjitetin dhe respektin për vendin tonë të përbashkët, për Shqipërinë e shekullit të ri.”-tha më tej Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›