E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci ndahet në tri pjesë

Dje Kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi të ndajë gjykimin e Mediut nga pjesa tjetër e të pandehurve dhe procesi civil


Ish- ministri i Mbrojtjes nuk do të gjykohet me pjesën tjetër të të pandehurve. Reagojnë familjarët e viktimave


TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga Besnik Ymeraj, nëpërmjet një vendimi të ndërmjetëm, vendosi ndarjen e dosjes së Gërdecit në tri procese të ndryshme.


Një proces gjyqësor me të pandehurin e vetëm ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të gjykohet pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Procesi tjetër, me 28 të pandehurit ushtarakë dhe civilë si dhe firmën "Albademil" si personin juridik do të gjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet nga dhoma penale.


Procesi tjetër gjyqësor, ka të bëjë me paditë civile të familjarëve të viktimave, Avokaturës së Shtetit dhe disa të gjymtuarve të shpërthimit të punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, i cili do të shqyrtohet në një dosje të vetme gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë pranë dhomës civile.


Ky vendim i Kolegjit Penal të kryesuar nga gjyqtari relator Besnik Ymeraj dhe anëtarët Irma Balaj, Majlinda Andrea, Evelina Qirjako dhe Evgjeni Sinoimeri u mor tre orë pas parashtrimit të kundërshtimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët kërkuan nga gjykata mos pranimin e kërkesave të 28 të pandehurve për ndarjen e çështjes.


Kjo kërkesë e akuzës nuk u morr parasysh nga Kolegji Penal, që vendosi veçimin e çështjes. Sipas vendimit të djeshëm, ish-ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm, ish-punonjësit e administratës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtuesit e kompanisë "Albademil" që janë marrë në cilësinë e të pandehurve do të gjykohen pranë Gjykatës së Shkallës së Parë.


"Kërkesa e avokatëve mbrojtës dhe vetë 28 të pandehurve të dosjes Gërdeci për mos kompetencën e kësaj gjykate për shqyrtimin e dosjes penale në ngarkim të tyre është i drejtë. Pasi, gjykimi i tyre pranë kësaj gjykate i shkel të drejtën Kushtetuese që çdo qytetar i dënuar nga një gjykatë ka të drejtë të ankohet në të gjitha shkallët e gjyqësorit.


Gjithashtu, mungojnë kushtet e një procedimi të lidhur mes të pandehurve dhe subjektit me cilësi të posaçme, të parashikuara në Kushtetutë siç është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kështu që, pavarësisht se procedimi është një, të pandehurit mes vete nuk janë në unitet me njëri-tjetrin në kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohen,- thuhet në vendimin Gjykatës së Lartë.


Akuza


Drejtuesi i grupit të hetimeve, që përfaqëson çështjen pranë Gjykatës së Lartë, Sokol Stojani, në fjalën e parashtrimit të kundërshtimeve të kërkesave të vetë të pandehurve dhe avokatëve të tyre, renditi argumentet dhe pretendimet përse dosja nuk duhet veçuar.


"Ndarja e çështjes dëmton faktet dhe provat, pasi secili nga të pandehurit është i lidhur me faktet e ndryshme, që kanë sjellë si pasojë 15 marsin e 2008, ku shpërtheu punishtja e demontimit të municioneve në Gërdec. Gjithashtu, ndarja cenon edhe barazvlefshmërinë e fakteve dhe cenimin e barazisë juridike në vendimet që mund të jepen në kontradiktë me vendimet e tjera.


Çështja duhet të jetë e bashkuar pasi i gjithë procesi penal është në unitet me provat dhe faktet që ndodhen në dosje. Kështu që, kërkojmë mos pranimin e kërkesave si të pambështetura në Kodin e Procedurës Penale dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut",-thanë prokurorët në kërkesën e tyre, që pas tre orë këshillimi mes gjyqtarëve u vendos që dosja të ndahet.


Gjithashtu, në vendimin e djeshëm, togat e zeza akoma pa legjitimuar paditësit civilë në këtë proces penal, vendosi veçimin e padisë civile nga procesi penal, duke e dërguar atë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të dhomës civile në kryeqytet.


Pas, leximit të vendimit të ndërmjetëm, gjykata vendosi të shtyjë gjyqin duke lënë datën 15 qershor ora 10:00 si ditë kur do të fillojë procesi penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili do të gjykohet i vetëm pranë kësaj gjykate për akuzat e "shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim.


Gjykata po i favorizon "vrasësit" e njerëzve tanë. Kjo është vrasje për së dyti
Vendimi irriton familjarët e viktimave


TIRANË- Menjëherë pas leximit të vendimit të dhënë nga pesëshja gjykuese e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë e drejtuar nga relatori Besnik Imeraj, kanë reaguar në sallë familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, duke u shprehur se "vrasësit po favorizohen nga gjykata".


Një grua e veshur me të zeza, të cilës i kishin vdekur të afërmit nga shpërthimi i punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, në kohën që trupi gjykues po lironte sallën e gjyqit shprehu irritimin e saj për këtë vendim.


"Çfarë drejtësie është kjo. Neva na vdiqën të afërmit në mes të ditës nga këta kriminelë dhe gjykata i favorizon. Kjo është vrasje për të dytën herë për ne. Vendimi i gjykatës është i njëanshëm e i padrejtë.


Ne kërkojmë drejtësi dhe jo favorizim të vrasësve, - tha gruaja e veshur në të zeza, që nuk pranonte të qetësohej edhe përkundër fjalëve për qetësi dhe durim të drejtuara nga avokati i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Ardian Visha. "Qetësohu zonjë, se do të vendoset drejtësia.


Ligji kështu është dhe do ta shikoni se fajtorët do të ndëshkohen",-iu drejtua Visha zonjës që ishte me lot në sy. "Mua më kanë vdekur njerëzit në atë tmerr e ju më thoni të pres dhe ky është ligji. Ku është Fatmir Mediu, pse nuk vjen në gjyq e të na shikojë në sy, po del e bën fushatë lart e poshtë",-u shpreh ajo duke lëshuar akuza në adresë të gjykatës për një anshmëri.


Ndërsa, edhe përfaqësuesja ligjore e familjarëve të viktimave, avokatja Blerta Kraja, pas vendimit të veçimit të padisë civile nga procesi penal, u shpreh se do ankimonte vendimin në të gjitha rrugët e gjyqësorit. "Do të bëjmë ankimin në Gjykatën Kushtetuese, pasi vendimin e këtij trupi gjykues është në kundërshtim me bazat ligjore në fuqi",-tha ajo.


TË PANDEHURIT QË DO GJYKOHEN VEÇMAS
Agim Lala
Ndue Marku
Ardian Mullai
Zija Bahja
Luan Hoxha
Zenun Ferro
Hysni Cocka
Lavdi Shatro
Jorgo Mino
Fiqiret Mato
Armand Tartari
Fatbardh Kuçi
Shpëtim Spahiu
Adriatik Mema
Rezart Tërshana
Denis Hajdari
Gëzim Hoshafi
Besnik Dauti
Agim Babameto
Fahri Toska
Shkëlzen Madani
Ardian Mullai
Juliana Margariti
Dashnor Çaushi
Hilmi Lacaj
Sokol Ngjeci
Ylli Pinari
Mihal Delijorgji
Dritan Minxolli
"Albademil" sh.p.k

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›