“Rama synon ta kthejë Shqipërinë pas, në kohën e Robin Hudit”
Vokshi dhe Bregu, takime me gratë demokrate në Korçë
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi dhe Ministrja e Integrimit, njëkohësisht zëdhënëse e Qeverisë, Majlinda Bregu u takuan dje me aktivistet e LDG-së, Korçë nga ku ritheksuan se reformat e ndërmarra nga Kryeministri Berisha kanë fuqizuar statusin e grave dhe vajzave në Shqipëri. Ministrja Bregu deklaroi se Partia Demokratike hyn në zgjedhjet e 23 Qershorit me premtimet e mbajtura dhe me rekorde në të gjitha reformat e ndërmarra në ekonomi, infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi. Ndërsa akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama për bllokim të proceseve integruese dhe se me debatin për taksën progresive po tenton të kthejë vendin në kohën e Robin Hudit.
“Ajo që sot PS e quan Rilindje, nuk është asgjë më shumë se sa përpjekja për të rikthyer komunizmin, që kjo forcë politike e ka në gjak”, tha Bregu.
Ministrja Bregu, duke i ftuar gratë që të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes politike dhe jo vetëm, ka theksuar se PD është e vetmja forcë politike ,që ka respektuar ligjin për barazinë gjinore, ndërkohë që partitë e tjera ose nuk e kanë respektuar ose e bëjnë thjesht për propagandë elektorale. Në ndryshim nga PD, vijoi Bregu, lideri socialist Rama, nuk bën gjë tjetër, veçse sulmon gratë. “Është Rama ai që sot u premton grave mundësi për punësim, ndërsa ka qenë po Rama ai që dy vjet më parë nisi fushatën me sulme ndaj tyre, duke ju shmangur në këtë mënyrë debatit me burrat”.
Sipas konstatimit të Bregut, Rama nuk do të bëhet kurrë shtetar, sepse ai urren vendin e tij. Ministrja e integrimit ka vlerësuar arritjet e mazhorancës në këto 8 vite qeverisje, duke kërkuar angazhimin e të gjitha grave, për të vazhduar ndryshimin e nisur dhe për të kontribuar, që jeta e çdo shqiptari të bëhet më e mirë.