E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Thaçi: “Nacionalizmi shqiptar, jo pretendime territoriale, por respektim i të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetojnë”

02-03-2013 / Gazeta 55

Pas raundit të tretë të negociatave me Serbinë, kryeministri Hashim Thaçi ishte dje në Tiranë për konsultime, por edhe për të evokuar perspektivën e Kosovës drejt anëtarësimit në organizmat ndërkombëtare

Zhvillimet aktuale në Kosovë e Shqipëri si dhe përpjekjet drejt perspektivës evropiane e  dy vendeve ishin pjesë e bisedimeve mes kryeministrit Sali Berisha dhe homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi. Kështu, gjatë ditës së djeshme, kreu i qeverisë shqiptare prit në një takim homologun e tij, Thaçi ku u theksua bindja se tashmë Kosova ecën e sigurt drejt objektivit të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë së drejtuar prej tij për organizimin e një procesi zgjedhor dinjitoz dhe të denjë për shqiptarët.
“E informova kryeministrin Thaçi për përpjekjet që po bëhen në Shqipëri për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe dinjitoz si dhe për vendosmërinë e qeverisë për një proces të civilizuar dhe të denjë. Gjithashtu e njoha me reformat që po ndërmerr qeveria në mënyrë që të përballojë krizën dhe të garantojë rritje ekonomike dhe punësimin e qytetarëve”, vuri në dukje Berisha.
Duke komentuar zhvillimet rajonale dhe duke u ndalur te dialogu Prishtinë-Beogard, Berisha tha se nuk ka asnjë dyshim që eficensa e këtyre marrëveshjeve të vihet në pikëpyetje.
“Paragjykimi nuk shërben, bisedimet dhe marrëveshjet që arrihen mendoj se kanë për ndërmjetës fuqinë politike të Bashkimit Europian. Nuk kam ndonjë arsye që të vihet në dyshim vendosmëria e BE për të parë këto marrëveshje të zbatuara. Që të mund të injorohet se faktorë të shumtë kanë ndikimin e tyre në këtë zbatim, por unë jam optimist. Ajo që mund të arrihet në Bruksel do të bëhet e prekshme nga qytetarët e të dy vendeve. Çështjet për të cilat është rënë dakord janë shumë të rëndësishme”, u shpreh Berisha.
Për kryeministrin Hashim Thaçi dialogu është e vetmja alternativë për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.
“Sot ajo që ka qenë e paimagjinueshme para dy vitesh po bëhet realitet. Jemi në fazë të rëndësishme të demokratizimit të rajonit. Zgjedhje për herë të parë të lira në katër komuna, OSBE do i vëzhgojë, ne do iu shërbejmë qytetarëve. Procesi i stabilizimit të marrëdhënieve ka mbështetjen e plotë të BE. Baronesha Ashton po bën punë brilante”, deklaroi kryeministri kosovar. Gjithashtu, në këtë konferencë të përbashkët është sqaruar dhe një tjetër moment, ai i lëvizjes së shtetasve kosovare në hapësirën ‘Schengen’”. “Konsolidimi i pavarësisë së Kosovës është interesi kombëtar i shqiptarëve  dhe nuk mund të mendohet të bëjmë një by pass, këtej të negociohet me Brukselin për vizat e këtej të them unë hajde se ua zgjidh këtë punë. Por lidhur me vizat, për qytetarët kosovarë qëndrimi im ka qenë se do të zgjidhet me një marrëveshje të negociuar me qeverinë e Kosovës në kohën e përshtatshme”, vlerësoi Berisha.
Por nga ana tjetër, erdhi dhe një shpjegim mbi qëndrimet nacionaliste të Kosovës dhe Shqipërisë. Kryeministri Berisha sqaroi se nacionalizmi shqiptar nuk kërkon ndryshim kufijsh, por respektimin e të drejtave të shqiptarëve, kudo ata ndodhen.
“E kam theksuar jemi një komb dy vende dy administrata dhe do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen një kudo që janë. Do bëjmë gjithçka që të bashkohemi me Europën. Një shembull, kur filloi Kryeministri filloi autostradën thanë është nacionalizëm, kur e filluam në Kosovë është nacionalizëm. Kush e kupton kështu nacionalizimin e ka gabim. E ardhmja jonë europiane është autostrada evropiane”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Temë e diskutimit mes dy kryeministrave ishin edhe çështjet e bashkëpunimit ekonomik, edukimit, etj, ndërsa pas takimit ata iu përgjigjën edhe interesit të medias.
Më pas dy kryeministrat ju përgjigjën edhe interesimit të gazetarëve.

Z. Berisha, cila është pritshmëria e qeverisë shqiptare për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kur Beogradi dihet se shpeshherë u bën bisht marrëveshjeve që arrihen atje?
Së pari, personalisht mendoj se paragjykimi nuk shërben. Së dyti këto bisedime dhe marrëveshjet që arrihen mendoj se kanë për ndërmjetës fuqinë politike të BE-së. Ato po ndërmjetësohen nga baroneshë Ashton, e cila është zëvendëspresidente e Komisionit dhe si të thash dhe është përfaqësuesja më e lartë në politikën e jashtme të BE. Nuk është ndonjë arsye që të vihet në dyshim vendosmëria e BE për të parë këto marrëveshje të zbatuara. Natyrisht, nuk mund të injorohet se faktorë të shumtë kanë ndikimin e tyre në zbatim. Por unë jam optimist dhe besoj se ajo që do të arrihet në Bruksel, do të mund të bëhet e prekshme nga qytetarët e të dy vendeve. P.sh, po marrim kontrollin e integruar të kufijve. Është vendosur kalueshmëria në 6 pikat kufitare mes dy vendeve, është vendosur njohja  e targave, pra përbën kjo një normalitet të madh në drejtim të lëvizjes. Unë gjykoj se çështjet për të cilat është rënë dakord janë çështje shumë të rëndësishme dhe natyrisht nuk duhet të merrem me përgjigjen që do të japë kryeministri Thaçi, por janë absolutisht interesi më i mirë i funksionimit të shtetit ligjor në Kosovë. Në tërësinë e vet këto masa

Z. Thaçi, ju gjithmonë pas bisedimeve me homologun tuaj serb keni deklaruar se qëllimi i këtyre bisedime është funksionalizimi i shtetit të Kosovës në të gjithë hapësirën e vet. A mendoni se kjo mund të arrihet, nëse Serbia vazhdon dhe nuk ka një presion më të qartë të BE-së, që ajo Kosovën ta trajtojë si pjesë të territorit të vet me dokumentin e saj të MSA-së?
Aktualisht dialogu është e vetmja alternativë e problemeve ende të hapura që kanë  mbetur mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi pasur  një armiqësi prej një shekulli mes shqiptarëve dhe Serbisë. Ne kemi zhvilluar kryengritje të ndryshme, deri në vitin 1998-99 për tu kurorëzuar  me suksesin tonë të plotë, çlirimin e Kosovës, për të kaluar shumë etapa e për të ardhur deri tek dita e madhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt  2008. Sot, Kosova është në një proces konsolidues dhe forcues, një proces për reformash të thella demokratike dhe zhvillimore. Kosova po ndryshon ashtu si gjithë rajoni dhe Shqipëria. Ne jemi dëshmitarë se në 13 vitet e kaluara, në atë pjesë të republikës së Kosovës nuk ka pasur zgjedhje të lira, nuk ka pasur lidership legjitim, janë 30 mijë qytetarë dhe ajo pjesë e territorit të Kosovës që kanë qenë të zaptuara prej strukturave ilegale, mund të them edhe kriminale, sot ajo që ka qenë e paimagjinueshme para 2 vitesh po bëhet realitet. E theksoi kryeministri, menaxhimi i integruar i kufirit ka qenë i paimagjinueshëm të realizohet para 2 vitesh, por ndodhi mrekullia më 25 korrik 2011 atë ditë kur policia e Kosovës vuri në kontroll pikat kufitare. Sot në 6 pikat kufitare, Serbi-Kosovë janë policia e Kosovës, doganierët e Kosovës dhe gjithë mekanizmi institucional shtetëror i Kosovës, natyrisht edhe me lehtësimin e EULEX  për krijimin e ambienteve te sigurisë nga NATO. Tani ka ndodhur edhe njohja e kartave të identitetit, të diplomave, të targave të makinave, ndërsa jemi në një fazë shumë të rëndësishme për demokratizimin e rajonit dhe të asaj pjese, për rend dhe ligj.

Ka një projekt të kryeministrit Berisha për dhënien e shtetësisë, shqiptarëve kudo që ndodhen. A jeni ju dakord me këtë projekt dhe për sa i përket Kosovës a e shikoni të mundur..., kryeministri Berisha ka thënë që kjo mund të diskutohet dhe mund të ketë një marrëveshje mes dy qeverive?
Lidhur me vizat, dua të bëj një qartësim. Për qytetarët e Kosovës qëndrimi im që në deklaratën e parë ka qenë dhe është, kjo do të zgjidhet me një marrëveshje të negociuar me qeverinë e Kosovës në një kohë të përshtatshme. Aktualisht konsolidimi i pavarësisë së Kosovës është interesi kombëtar i shqiptarëve dhe nuk mund të mendohet që të bëhet një by-pass që këtej të negociohet me Brukselin për vizat dhe këtej të them –“Hajde se do tua zgjidh unë”. Kjo nuk mund të ndodhë. Ky është një proces, në të cilin qeveria e Kosovës është e angazhuar në mënyrën më serioze, është një proces certifikimi në të cilin paraqitet një listë prej 120 kërkesash dhe duhet të plotësohen. Dëshira ime është dhe duhet tu bëjmë thirrje që tua akordojmë sa më shpejt lëvizjen e lirë, por hapat të cilat ndërhyjnë në një proces, këto nuk mund të ndodhin nga Shqipëria.

Z. Berisha, lidhur me retorikat nacionaliste të shprehura së fundi, si i keni vlerësuar thirrjet e SHBA-ve, duke iu referuar këtu deklarimit të fundit të zotit Reeker dhe a do të ketë një reflektim nga ana juaj?
Shqipëria nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë pretendime territorial. Shqipëria ka qenë e angazhuar, në interesin më të mirë të kombit shqiptar, në ruajtjen, respektimin e kufijve ekzistues në Ballkanin Perëndimor dhe në Ballkan në tërësi. Shqipëria, bazuar në të gjithë të drejtën ndërkombëtare, konventat që ajo ka firmosur, si dhe Kushtetutën e vendit, do të qëndrojë e palëkundur në mbrojte të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, aty ku ata ndodhen, të cilat përbëjnë njëkohësisht vlera të sigurta euroatlantike. Shqiptarët duhet të jetojnë të lirë dhe të barabartë para ligjit, aty ku ata janë. Në qoftë se ky quhet nacionalizëm, unë mbetem shumë krenar dhe i vendosur në të. Kjo është vendosmëria ime. E kam theksuar dhe e theksoj se nuk ekziston në doktrinat kombëtare të shqiptarëve, të shkruara mbi 120 vjet më parë e në vazhdim, asnjë projekt, asnjë program, asnjë dokument, që të parashikojë eksterminimin, genocidin, shfarosjen e kombeve të tjera. Jo. Kjo nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. E theksoj këtë gjë, sepse ky është një nacionalizëm i bazuar në vlera qytetare.
Kryeministri Thaçi: Për sa u përket disa opinioneve që paraqiten aty këtu, nga ndonjë burokrat, kudo që paraqiten, dëshiroj të theksoj se kur Kryeministri Berisha filloi autostradën e Kombit, disa thanë se është nacionalist, kur ne e filluam atë nga Prishtina, thanë është nacionalizëm. Nëse dikush i sheh si nacionalizëm autostradat tona, gabohen. Nëse dikush e sheh si nacionalizëm ndërtimin e hekurudhës që kemi diskutuar, me kufirin e Shqipërisë, është një gabim. Ne duhet ta modernizojmë hapësirën tonë, kudo që jetojmë. Nëse dikush e sheh si nacionalizëm ndërtimin e Magjistralit të Prizrenit, prej 40 km, deri në Tetovë, është gabim, nëse dikush e sheh si nacionalizëm autostradën që lidh Prishtinën dhe Shkupin, është gabim. Ne duhet të investojmë kudo në hapësirat ku jetojmë, për t’i dhënë kuptim hapësirës sonë, jetës sonë të re. E theksoj se e ardhmja jonë evropiane është me autostrada evropiane dhe duhet ta harrojnë ata që mendojnë se aty ku jetojnë shqiptarët duhet të ketë vetëm shtigje, pasi do të ketë vetëm vlera evropiane të një shteti modern.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›